Të fundit | Sa u realizuan pesë vendimet e para të premtuara nga LVV gjatë fushatës së… Të fundit | “Sondazhet” në media sociale: Krijimi i një realiteti të rremë para zgjedhj… Të fundit | Instrumentalizimi ruso-serb i Kosovës në diskursin gjeopolitik dhe ripërsër… Të fundit | Katër milionë mungesa të nxënësve në të gjitha shkollat e Kosovës, jo vetëm… Të fundit | Slopaganda: Kur përmbajtja e dobët me IA kthehet në propagandë politike  Të fundit | Pretendohet pa fakte se Rushiti u propozua për presidente pas kërkesës së S… Të fundit | Fotografi e gjeneruar me inteligjencë artificiale paraqitet si “pamje ekskl… Të fundit | Rishikimi i javës: Dominimi i mashtrimeve digjitale (imazhe me IA dhe phish… Të fundit | Me pamje të mëhershme pretendohet pasaktë se Kurti e Gërvalla ishin të prem… Të fundit | Aktgjykimi për sulmin në Banjskë dhe narrativat serbe për “proces politik”…
[ ARTIKULLI ]

Rishikimi i javës: deklarata të fabrikuara të politikanëve ndërkombëtarë, mashtrime me IA dhe SMS, dhe pretendime konspirative për armatosjen e FSK-së

HIBRID

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë periudhës 05–11 janar 2026, mediat dhe rrjetet sociale në Kosovë u karakterizuan nga dominimi i lajmeve të rreme, të cilat u shpërndanë gjerësisht.

Gjatë kësaj periudhe u identifikuan disa lajme të rreme të shpërndara kryesisht në Facebook, TikTok dhe faqe të dyshimta online, të cilat kishin në fokus zhvillimet politike pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, si dhe çështje të arsimit dhe sigurisë. Përmbajtjet keqinformuese përfshinë deklarata të fabrikuara që u atribuoheshin figurave ndërkombëtare si kryeministri britanik Keir Starmer dhe gazetari Richard Quest, pretendime të rreme për qëndrime politike të publicistit Baton Haxhiu, si dhe lajme të pavërteta për shtyrje të mësimit për shkak të grevave dhe për vlerësime të supozuara nga Ambasada Amerikane për situatën në veri të Kosovës.

Dezinformatat u publikuan kryesisht në Facebook dhe u karakterizuan nga përdorimi i deklaratave të fabrikuara ose të manipuluara të figurave politike vendore dhe ndërkombëtare, duke synuar ndikimin në opinionin publik dhe tensionimin e diskursit politik; ato përfshinë atribuimin e rremë të një deklarate presidentes Vjosa Osmani për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, pretendime të pabazuara të ambasadorit rus në Serbi për një “spastrim etnik të heshtur” ndaj serbëve në Kosovë, si dhe shtrembërimin e një deklarate të Faton Pecit lidhur me kushtëzimin e zgjedhjes së presidentes dhe krijimin e një grupi parlamentar nga GUXO, të cilat u rrëzuan nga verifikimet faktike dhe burimet zyrtare.

Clickbait-et u publikuan kryesisht nga portale online dhe faqe mediale në Facebook, duke përdorur tituj sensacionalë ose të paqartë që nuk pasqyronin saktë përmbajtjen e artikujve. Këto përfshinë një titull alarmues lidhur me ujin e pijshëm nga “Kosova-sot.info”, i cili sugjeronte rrezik të përgjithshëm shëndetësor, ndonëse njoftimi i IKSHPK-së kishte karakter rekomandues dhe të kufizuar për raste specifike; publikime që paraqitën si fakt një deklaratë të një gazetari për kandidimin e Vjosa Osmanit nga LVV, pa sqaruar se bëhej fjalë për citat; si dhe një titull keqorientues nga “illyrianinfo.com” për dorëheqjen e kryetarit të PDK-së, që në realitet i referohej vetëm një dege lokale të partisë në diasporë, duke krijuar përshtypje të rreme për zhvillime në nivel qendror.

Mashtrimet u shfaqën kryesisht përmes SMS-ve dhe përmbajtjeve në TikTok, duke shfrytëzuar emra institucionesh, ngjarje aktuale dhe teknologji të inteligjencës artificiale për të mashtruar qytetarët. Rastet përfshinë dërgimin e SMS-ve të rreme në emër të platformës “eKosova” me qëllim pagesën e gjobave përmes vegëzave të dyshimta dhe mbledhjen e të dhënave bankare, si dhe publikimin e videove të gjeneruara me IA që paraqiteshin rrejshëm si pamje reale të përmbytjeve në Prishtinë apo si kronika televizive për gjetjen e arit në Kosovë. Pavarësisht shenjëzimit të disa përmbajtjeve si të gjeneruara me IA, ato arritën shtrirje të madhe dhe rrezikuan të keqinformojnë publikun, duke dëshmuar një trend në rritje të mashtrimeve digjitale dhe vizuale.

Lajmi i rremë/mashtrimi u publikua në Facebook përmes një imazhi të gjeneruar me inteligjencë artificiale, në të cilin pretendohej rrejshëm se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani ishin parë duke pirë kafe së bashku në një ambient publik, duke e paraqitur këtë si takim joformal dhe shenjë bashkëpunimi institucional, ndonëse verifikimet faktike konfirmuan se pamja nuk ishte autentike.

Teoria konspirative u shpërnda përmes një deklarate të kryetarit të Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Serbi, Millovan Drecun, i cili pretendoi se militarizimi i Prishtinës, përfshirë pajisjen me sistemin raketor anti-tank OMTAS, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për serbët dhe sugjeroi se Kosova po përgatitet për një zbarkim ushtarak me përfshirje të NATO-s, veçanërisht të Kroacisë dhe Shqipërisë, pa ofruar asnjë provë apo fakt që të mbështeste këto pretendime.

Lajm i rremë

Nëpërmjet një publikimi në Facebook është pretenduar se kryeministri britanik, Keir Starmer, e ka uruar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 duke e cilësuar si “lider të nivelit botëror”. Publikimi u bë nga llogaria “Albert Shabani” më 1 janar 2026, e më pas u ripublikua nga disa llogari e faqe të tjera. Verifikimi nga Hibrid.info tregon se një deklaratë e tillë nuk ekziston dhe nuk është publikuar në asnjë burim zyrtar apo llogari zyrtare. Ajo nuk është gjetur në llogaritë zyrtare qeveritare të të dyja shteteve e as në mediat sociale. (këtu)

Publikohet një imazh ku shihet portreti i gazetarit britanik, Richard Quest, me mbishkrimin që pretendon se paraqet një deklaratë të tij për rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Kjo përmbajtje është publikuar të martën (30 dhjetor 2025) në Facebook, nga një llogari me emrin “Faton Faton”. Pretendimi është gjetur i publikuar edhe në TikTok nga llogaritë me emrat “f.k1956” dhe “andromaka35”. Hibrid.info gjeti se deklarata e pretenduar e Quest, nuk konfirmohet nga burime kredibile apo në llogaritë zyrtare të gazetarit. (këtu)

Publikohet një përmbajtje që pretendon se publicisti Baton Haxhiu është shprehur se edhe pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ky subjekt politik nuk do të arrijë të formojë qeverinë. Artikulli është publikuar më 29 dhjetor, 2025 në domainin “topm1.net”. Hibrid.info nuk ka gjetur fakte nga burime të besueshme që do të konfirmonin deklaratën e pretenduar të Haxhiut. (këtu)

Nëpërmjet një publikimi në TikTok, është pretenduar se nisja e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkollat në Kosovë është shtyrë deri më 19 janar. Sipas publikimit nga “bbvip.Kosova4” më 7 janar, shtyrja është bërë “për shkak të grevave të mësuesve dhe reshjeve të shiut”. Ministria e Arsimit ka njoftuar shtyrjen për deri më 12 janar për shkak të vërshimeve. Nuk ka vendim zyrtar për shtyrje tjetër e as greva të mësimdhënësve për paga. (këtu)

Nëpërmjet një publikimi në TikTok është pretenduar se Ambasada Amerikane në Kosovë e ka vlerësuar punën e Qeverisë së Albin Kurtit në veri. “Vizitë e sigurtë dhe shetitje e lirëshme për herë të parë pas 25 viteve”, është një citat i vendosur në imazhin në të cilin shfaqet objekti i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë dhe një fotografi e kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Verifikimet tregojnë se nuk ka deklarata apo raportime zyrtare që e konfirmojnë këtë pretendim, i cili është hedhur poshtë edhe më herët nga hibrid.info. (këtu)

Dezinformatë

Është publikuar një përmbajtje (fotografi) në Facebook nga faqja “Gazeta Momenti” (arkivë) në të cilën shfaqet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në përshkrimin e kësaj përmbajtje shkruan “Presidentja Osmani i gëzohet fitorës së VV-së”, ndërsa në mbishkrim është vendosur fjalia “VJOSA OSMANI – FITORJA E VV-SË, NË TË MIRËN E KOSOVËS”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se Osmani nuk ka dhënë asnjëherë një deklaratë të tillë. (këtu)

Ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharçenko, pretendon se në Kosovë po ndodh një “spastrim etnik i heshtur” ndaj serbëve dhe se Bashkimi Evropian ka dështuar si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar rikthimin e procesit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kushtetuta e Kosovës (Neni 64) garanton 10 vende të rezervuara për serbët në Kuvend, ndërsa institucionet ndërkombëtare si EULEX, UNMIK dhe KFOR nuk raportojnë për asnjë fushatë dëbimi. Faktet juridike konfirmojnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka deklaruar shpalljen e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa mandati i BE-së si ndërmjetës i dialogut ndërmjet dy shteteve buron nga një rezolutë legjitime e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. (këtu)

Është publikuar një imazh në të cilin shihet Faton Peci, bashkëkryetar i partisë GUXO, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, me një mbishkrim që pretendon kushtëzimin e zgjedhjes së presidentes së Kosovës. “Faton Peci, nese Albini nuk ja bene votat Vjosa Osmani, lista guxo largohet nga vetvendosja me 15 deputet, e beme grupin parlamentar vete.”, thuhet në mbishkrim. Kjo përmbajtje është publikuar të enjten (8 janar) në Facebook, nga një faqe me emrin “TV Prishtina”. Hibrid.info gjeti se një deklaratë e Pecit për mundësinë e krijimit të grupit parlamentar nga partia GUXO, është manipuluar në këtë përmbajtje. (këtu)

Clickbait

“IKSHPK thirrje për kujdes: Të vlohet uji para përdorimit”, është titulli i artikullit të publikuar të martën (6 janar) nga portali informativ “Kosova-sot.info”. Pas klikimit në artikull, gjendet njoftimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), i cili doli me rekomandim për qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin e tyre, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë sjellë vërshime në disa pjesë të vendit, për shkak të ndikimit të mundshëm në shëndetin publik. Në këtë njoftim, ndër të tjera shuhet se “qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt”. (këtu)

Janë publikuar përmbajtje me mbishkrimin “Osmani kandidate e VV-së për presidente, marrëveshja është arritur”. Përmbajtjet janë publikuar të martën (6 janar), si imazhe në Facebook, nga faqet e mediumeve “FrontOnline.com” dhe “Ballkani.info”. Një njërin postim shfaqet vetëm portreti i Vjosa Osmanit, presidentes së Kosovës, kurse në tjetrin shfaqet fotografia e presidentes me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Pretendimi për arritje të një marrëveshjeje për kandidimin e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente nga LVV, është deklaratë e gazetarit Leonard Kërquki. Por, në titujt e disa mediave, ky informacion është publikuar si pohim faktik, pa u sqaruar se bëhet fjalë për një citat. (këtu)

Portali “illyrianinfo.com” ka publikuar të enjten (8 janar) një artikull me titullin “E FUNDIT: Jep dorëheqje kryetari i PDK-së”, i cili është shpërndarë edhe në faqen e tij në media sociale, i shoqëruar me imazh ku shfaqen simbolet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Megjithatë, pas klikimit në artikull sqarohet se lajmi nuk ka të bëjë me udhëheqjen qendrore të partisë, por me Shahin Dervishajn, kryetar i degës së PDK-së në Baden-Württemberg, Gjermani.  Pra, titulli është i paqartë dhe keqorientues, pasi përdor formulim të përgjithshëm duke mos e bërë të ditur vendin, ndërkohë që informacioni real kufizohet në nivel lokal të partisë në diasporë. (këtu)

Mashtrim

Qytetarët e Kosovës po marrin SMS mashtrues që pretendojnë rrejshëm se janë dërguar nga platforma “eKosova”, duke i njoftuar për një gjobë trafiku dhe duke i ftuar ta paguajnë përmes një vegëze të dyshimtë (“ekosova.top/gov”). Mesazhi dërgohet nga një adresë private emaili, jo nga një burim zyrtar. Verifikimi i hibrid.info ka vërtetuar se ky SMS nuk është autentik dhe se vegëza nuk i përket platformës zyrtare “eKosova”, e cila operon vetëm në domenin “ekosova.rks-gov.net”. Platformat për identifikimin e ueb-faqeve e vlerësojnë këtë faqen si të dyshimtë. Hulumtimi i mëtejshëm tregon se ueb-faqja shfaq gjoba edhe për targa fiktive të automjeteve dhe më pas kërkon të dhëna bankare për pagesë, çka dëshmon se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi me qëllim vjedhjen e të dhënave financiare. (këtu)

Është publikuar një video-material ku shfaqen pamje të përmbytjeve nga shiu, me pretendimin se bëhet fjalë për situatë të ndodhur në Prishtinë. Kjo përmbajtje është publikuar të mërkurën (7 janar) në TikTok nga një llogari me emrin “edmonndk”. Hibrid.info gjeti se videoja është gjeneruar nga inteligjenca artificiale (IA). (këtu)

Një video në “TikTok” që pretendon se paraqet kronikë televizive se një qytetar ka raportuar në autoritete dyshimet se ka gjetur 17 kilogramë ari në një fshat të Kosovës, është e gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Përmbajtja në “TikTok” e ka të vendosur etiketën që konfirmon se është përmbajtje e gjeneruar me IA. Këtë e konfirmojnë edhe platformat online për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale. Pavarësisht kësaj, videoja ka marrë mbi një milion shikime dhe ka komente, që mund të lënë të kuptohet se një pjesë e audiencës ka mundësi ta perceptojë pretendimin si të vërtetë. (këtu)

Lajm i rremë/Mashtrim

Përmes një postimi në formë imazhi në të cilin shfaqen kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, pretendohet se ata janë parë duke pirë kafen e mëngjesit së bashku në një ambient publik. Në këtë postim të publikuar të premten (9 janar) nga faqja “Shqip-Al” në Facebook, tutje pretendohet se ky është një takim joformal, i cili është parë nga një pjesë e opinionit publik si shenjë e bashkëpunimit institucional mes Kryeministrisë dhe Presidencës. Hibrid.info vërtetoi se imazhi është i gjeneruar me inteligjencë artificiale. (këtu)

Teori konspirative

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme në Serbi, Millovan Drecun, në një intervistë dhënë për Radio Televizionin e Serbisë, ka deklaruar se “militarizimi i Prishtinës është kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e serbëve në Kosovë”. Drecun ka komentuar pajisjen e Kosovës me sistemin raketor anti-tank OMTAS, duke shtuar se këto nuk janë kapacitete mbrojtëse, por ofensive. Sipas tij, Prishtina po përgatitet për një zbarkim ushtarak dhe dëshiron ndërveprim me anëtarët e NATO-s, mbi të gjitha me Kroacinë dhe Shqipërinë. Drecun në asnjë rast nuk ofron fakte që do ta mbështesnin këtë pretendim. (këtu)

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere