Është publikuar një imazh që shfaq Ramush Haradinajn, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me mbishkrimin: “Ramushi: Diaspora e don Kosovën më pak? Deklarata që po shpërthen rrjetin!”
Kjo përmbajtje është postuar të martën (7 prill) në Facebook, nga faqja me emrin “ZeriSot”.
A është i vërtetë pretendimi?
Ramush Haradinaj ka qenë i ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, të hënën më 6 prill. Pretendimi i kësaj faqeje i referohet pikërisht kësaj interviste.
Por, Haradinaj në këtë paraqitje nuk e ka përmendur fare diasporën.

Në tekstin e shkruar në imazh, faqja e shtron në formë pyetjeje gjoja deklaratën e ish-kryeministrit të Kosovës, kurse në mbishkrimin e postimit ajo paraqitet si fakt i kryer.
Mbishkrimi i postimit:
“Një deklaratë e fundit e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Gjatë një paraqitjeje televizive në RTV Dukagjini, Haradinaj u shpreh se ata që janë lindur dhe jetojnë në Kosovë e duan vendin më shumë sesa ata që kanë lindur apo janë rritur në diasporë.
Kjo deklaratë ka hapur debat të gjerë publik, ku shumë qytetarë, veçanërisht nga diaspora, e kanë konsideruar si të padrejtë dhe ofenduese.
Nga ana tjetër, disa e kanë interpretuar këtë qëndrim si një theksim të lidhjes së përditshme me realitetin në Kosovë.
Debati vazhdon në rrjetet sociale, ku qytetarët po ndajnë mendime të ndryshme lidhur me këtë deklaratë.”
Pra, në bazë të këtij përshkrimi, Haradinaj në një paraqitje televizive në mediumin “RTV Dukagjini”, është shprehur se ata që janë lindur dhe jetojnë në Kosovë e duan vendin më shumë sesa ata që kanë lindur apo janë rritur në diasporë.
Hibrid.info ka kryer kërkime në YouTube, një platformë për shpërndarjen e përmbajtjeve audio-vizive, duke analizuar përmbajtjet në kanalin zyrtar të “RTV Dukagjini” (shih këtu).
Ndër videot e publikuara, u gjet njëra që në “thumbnail” paraqiste, mes tjerësh, edhe imazhin e Haradinajt (shih këtu).

Ky video-material shfaq emisionin “Debat Plus” të datës 6 prill, që transmetohet në RTV Dukagjini, dhe ku për intervistë ishte i ftuar edhe lideri i AAK-së.
Hibrid.info kontrolloi përmbajtjen e intervistës dhe gjeti një deklarim që deri diku përkon me atë që pretendohet në përmbajtjen e trajtuar. Aty, Haradinaj tha se Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje (e cila jeton në Shqipëri), si dhe familja e kryeministrit Albin Kurti (bashkëshortja dhe vajza e tij), nuk janë të lindur dhe rritur në Kosovë, dhe për këtë arsye, sipas tij, as Albin Kurti dhe as Dejona Mihali nuk mund ta duan vendin më shumë se ai apo bashkëshortja e tij (shih këtu, 01:41:50).
Deklarata e transkriptuar
“Qysh ka mundësi, Dejona, nuk po thom pse e ka emrin Dejona, as Mihal, as Albin Kurti? Qysh ka mundësi qëta njerëz, që për shembull ajo s’ka lind në Kosovë, nuk ka jetu në Kosovë, nuk e ka kalu nji prej atyre dhimbjeve që i kem kalu na, s’e ka një anëtar të familjes të vramë për këtë Kosovë, naj plagë të marrne, e, simbas jush, ajo po e dojka Kosovën ma shumë se unë e njerztë si unë? Si ka mundësi, kryeministri që i jeton gruaja në Norvegji (më falni), e vajza në Norvegji, e po e dojka Kosovën ky ma shumë, ose kjo, ose fmija i tij, ose gruaja e tij, ma shumë se Anita, që ka lind në Prishtinë e që e ka nanë e babë shqiptare? Kush po kujton që mrrin me na tregu neve se qashtu është ma e vërtetë? Na jem të këtij vendi, na kem tolerancë, na kem respekt, na kem nderë për të gjithë. Ama, ndëgjoni, po kthehna te ajo fjala e Ibrahim Rugovës: “Bëhuni gati të gjithë, bëhuni gati të gjithë për llogaritë”. Tanë kanë me dhanë llogari, gjithkush për sjelljet e veta, për veprimet e veta, çka bëjnë, para ligjit dhe para Zotit, të gjithë kanë m’u përballë. Pse po ju them kështu? Nuk mundet dikush me ofendu këtë vend, me i ofendu këto vlera. Na kem respekt, se unë e du çdo pllamë të atdheut tim shqiptar dhe s’ka lidhje që s’kam lind atje. Por, unë s’mund mi thanë atij në Progonat ose në Korçë se unë e du Korçën ma shumë se ti ose e du Tetovën ma shumë se ti”.
Pra, në bazë të kësaj deklarate, provohet se Haradinaj nuk ka shprehur qëndrim ndaj diasporës, por ka reaguar ndaj një ideje të caktuar përmes pyetjeve retorike. Ai vë në dyshim pretendimin se individë që nuk kanë jetuar në Kosovë, nuk jetojnë në Kosovë, apo nuk kanë përjetuar luftën dhe sfidat e përditshme, mund ta duan vendin më shumë se ata që i kanë kaluar këto përvoja.
Hibrid.info ka hulumtuar po ashtu, nëpërmjet makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “ramush radinaj për diasporën” (shih këtu).
Rezultatet nga ky kwrkim kanw shfaqur disa artikuj qw kanw raportuar qwndrime publike ndwr vite tw kryetarit tw AAK-sw, me anw tw cilave ai shpreh vlerwsime pozitive pwr diasporwn (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Analiza:
Pretendimi se Ramush Haradinaj ka deklaruar se diaspora e do më pak Kosovën sesa njerëzit që jetojnë në të, nuk është i saktë.
Ai ka folur për Albin Kurtin dhe familjen e tij, dhe për zyrtaren e LVV-së Dejona Mihali, të cilët sipas tij nuk kanë jetuar apo lindur në Kosovë në periudha të caktuara, dhe për këtë arsye nuk mund ta duan vendin më shumë se ai apo ata që jetojnë dhe përjetojnë realitetin e saj.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, ky pretendim vlerësohet si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.