info@hibrid.info
Deklarata e Kurtit për krijimin e një njësie të përbashkët ushtarake me Shqipërinë keqinterpretohet si përgatitje për sulm ndaj Serbisë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohen artikuj në gjuhë serbe në titujt e të cilëve pretendohet se po përgatitet një sulm i përgjithshëm ndaj Serbisë, pas deklaratës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti: “do ta krijojmë Njësinë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Artikujt me këtë pretendim në titull janë publikuar të hënën (8 shtator) nga mediat “b92.net” dhe “alo.rs”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se një sulm i mundshëm i përgjithshëm ndaj Serbisë nuk është përmendur në fjalimin e Kurtit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).


Hibrid.info ka verifikuar tekstet e artikujve dhe ka vërejtur se në brendësi të tyre nuk është raportuar për një sulm të përgatitur ndaj Serbisë.

Kurti mbajti fjalim para Këshillit të Përgjithshëm të subjektit që ai e drejton, ku mori nominimin për kryeministër nga LVV. I njëjti, duke renditur zotimet që e presin në rast se ai e merr detyrën e të parit të ekzekutivit, përmendi ndarjen e buxhet mbi 1 miliardë euro për ushtrinë, thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s, funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve, zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova” dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, ku veçoi krijimin e Njësisë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (shih këtu).

Në fjalimin e tij, ai nuk i ka paraqitur këto zhvillime të mundshme në fushën e mbrojtjes si të ndërlidhura me Serbinë.

Çka do të thotë se pretendimi për përgatitje të një sulmi të përgjithshëm, pas deklaratës së Kurtit për krijimin e Njësisë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, është interpretim i pabazë.


Ndryshe, më 18 mars 2025, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Tiranë një deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me qëllim forcimin e ndërveprimit ushtarak, luftimin e kërcënimeve hibride dhe koordinimin e politikave për integrimet euroatlantike. Ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve theksuan se kjo nismë synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe përgatitjen e ushtrive sipas standardeve të NATO-s (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se është paralajmëruar përgatitja e një sulmi të përgjithshëm ndaj Serbisë pas deklaratës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për krijimin e Njësisë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, është i pabazë.

Kurti, në fjalimin të cilit i janë referuar mediat e lartpërmendura, ka folur vetëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe bashkëpunimin me Shqipërinë, pa e lidhur këtë me ndonjë sulm ndaj Serbisë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto raportime me këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others