[email protected]
Lajme dhe përmbajtje të rreme, pro-ruse, synojnë mediat perëndimore
shape
shape
shape

Kontroll i fakteve i publikuar nga Deutche Welle



Postime pro-ruse të sajuara të cilat po pretendojnë se janë nga BBC, CNN dhe DW, po nxisin luftën e keqinformimit dhe të dezinformimit mes Rusisë dhe Ukrainës. Këto postime, po ashtu, po diskreditojnë edhe media të ndryshme ndërkombëtare.

“Duket si të jetë një raport nga DW-ja”, komenton një përdorues i Twitter-it në japonisht në një video-raport të supozuar të jetë nga DW-ja për një refugjat ukrainas që pretendohet se ka përdhunuar gra në Gjermani – akuza të rënda kundër një burri të quajtur “Petro Savchenko”. Përdoruesi i Twitter-it duke komentuar videon më tej shkruan: “Dua të shoh videon origjinale. Ju lutemi më dërgoni URL-në e videos origjinale”. Përdoruesi duket se dyshon në origjinën e videos – dhe me të drejtë. Videoja nuk është prodhim i DW-së. Është i rremë, por do ta diskutojmë më vonë këtë.

Që kur Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës më 24 shkurt, lajmet e rreme kanë mbizotëruar. Video mashtruese, raporte dhe tweets që pretendojnë se vijnë nga BBC, CNN dhe media të tjera të lajmeve janë shfaqur në platformat e mediave sociale, disa madje janë bërë virale. Qëllimi kryesor duket të jetë përhapja e pretendimeve të rreme, duke ndihmuar në luftën e Rusisë për dezinformim. Një synim i dytë duket të jetë diskreditimi i shumë mediave.

Rasti i një videoje të rreme të DW-së me propagandë anti-ukrainase

Një llogari japoneze në Twitter që fokusohet në luftën në Ukrainë ka shpërndarë së fundmi një video që raporton mbi një të arratisur të dyshuar kriminel nga Ukraina, të cilën mund ta shihni të arkivuar këtu.

Videoja që pretendohet se është bërë nga Deutsche Welle (DW) ka të bëjë me rastin e një refugjati ukrainas, Petro Savchenko, i cili ishte kapur nga policia në Gjermani. Sipas videos, Savchenko kishte shantazhuar gratë për muaj të tërë duke kërcënuar se do të nxirrte imazhet e tyre nudo që kishte regjistruar fshehurazi me një kamerë të fshehtë pasi i kishte takuar në bare. Videoja pretendon se ai është arrestuar dhe tani do të përballet me akuza dhe madje edhe mund të shkojë në burg. I pyetur nga DW, zëdhënësi i Zyrës Federale Kriminale të Policisë në Gjermani (BKA) tha: “Nuk kemi dijeni për një rast të tillë”.

Videoja, e cila është parë vetëm rreth 1000 herë, në shikim të parë duket që me të vërtetë është një video autentike nga DW-ja. Mirëpo në fakt, nuk është koherent me stilin e DW-së dhe ka ndryshime minimale, por të dukshme në dizajn në dallim me një prodhim origjinal DW: fonti i përdorur nuk është i njëjtë me atë që mund të shihet në screenshots, si për shembull, tek shkronja X. Gjithashtu, ka pika në fund të fjalive që nuk përputhen me stilin e DW-së.

Për më tepër, emri “Petro Savchenko” nuk gjendet tek motorët e kërkimit. Asnjë media tjetër nuk raportoi për incidentin e supozuar, as në gjuhën gjermane, angleze apo ukrainase, gjë që është joreale për një rast si ky. Nuk ka asnjë provë që një rast i tillë të ketë ndodhur në Gjermani edhe me një emër tjetër. Madje, videoja nuk jep asnjë informacion se ku dhe kur supozohet të kenë ndodhur aktet.

Hulumtimi i mëtejshëm çon edhe në më shumë mospërputhje: Një kërkim i imazhit të fotografisë së përdorur të autorit të dyshuar të çon në një profil në faqen ruse TopDB.ru, i cili, sipas të dhënave të disponueshme, duhet t’i përkasë Pavel Poperechnyy. Ai është nga Sevastopoli dhe sipas profileve të tjera të tij në rrjetet sociale nuk jeton në Gjermani. Akuzat e bëra në video janë të gjitha të paargumentuara dhe qëllimisht mbahen shumë të paqarta – një taktikë që tashmë është përdorur në lajmet e mëparshme të rreme për ta bërë më të vështirë verifikimin e historisë.

Video e sajuar e BBC-së për sulmin me raketa në Kramatorsk

Një video e pretenduar nga BBC arriti shumë më shumë njerëz në krahasim me videon e sajuar të DW-së: Pas sulmit me raketa në stacionin e trenit Kramatorsk që mori shumë jetë, një video u postua disa herë dhe mblodhi 500,000 shikime. Video u shpërnda në profile të shumta pro-ruse dhe tregon trupa të pajetë në Kramatorsk si dhe një raketë që ra aty pranë. Teksti pretendon se raketa erdhi nga trupat ukrainase dhe ishte gjuajtur kundër popullatës së saj.

BBC e kundërshtoi menjëherë, duke e quajtur videon “fake”. Producenti i BBC-së Joe Inwood, i cili mbuloi sulmin me raketa për BBC-në, konfirmoi se video nuk ishte origjinale, por kishte markën e BBC-së, duke theksuar se mund të pasonin më shumë falsifikime.

Videoja, e cila në pamje të parë duket autentike, u përhap shpejt: Brenda pak orësh, kontrolluesit e fakteve BR të Gjermanisë gjetën postime me video në gjermanisht, anglisht, italisht, spanjisht, katalanisht, në gjuhën indiane dhe frëngjisht. Eksperti i luftës kibernetike Sandro Gaycken i tha transmetuesit publik BR se ky ishte një “operacion i bashkërenduar por i nxituar” dezinformimi.

Kush qëndron pas këtyre sulmeve dezinformuese?

Dr. Josephine Lukito, një profesoreshë në Shkollën e Gazetarisë dhe Medias në Universitetin e Teksasit në Austin, sheh struktura profesionale pas prodhimeve të rreme. Pjesa më e madhe e dezinformatave pro-ruse mund t’i atribuohet Agjencisë së Kërkimeve të Internetit (IRA), një fabrikë ruse e trolleve aktive që nga viti 2012. IRA u bë e njohur për përpjekjet për të ndikuar në fushatën presidenciale të SHBA-së në vitin 2016 dhe raporte të shumta të rreme mbi Ukrainën që i atribuohen IRA-s gjithashtu është shpërndarë që nga viti 2014.

Ingo Mannteufel, kreu i sigurisë kibernetike në DW, theksoi se “shpesh, aktorë shtetërorë ose të lidhur me shtetin qëndrojnë prapa këtyre prodhimeve të përpunuara të dezinformatave”. Në rastin konkret që përfshin DW-në, krijuesit e videos së rreme ishin përpjekur të përdornin dizajnin e videos së DW-së “për t’i dhënë besueshmëri dezinformatave dhe për të ndikuar opinionin në hapësirën japoneze të Twitter-it në kuptimin e propagandës së Kremlinit”, tha ai. Ky fenomen i dezinformimit njihet si spoofing, në të cilin një identitet dixhital falsifikohet për të fituar besim dhe besueshmëri.

Si funksionojnë falsifikimet e videove?

Si rregull, falsifikimet e mediave bazohen në një kopje të modelit përkatës të medias. Në këtë përfundim dolën edhe ekspertët e forenzikës ligjore dixhitale në Këshillin Atlantik. Në rastin e videos së rreme të BBC-së, logoja, insertet dhe stili i BBC-së u kopjuan dhe u transferuan për të dhënë pamjen e një videoje të vërtetë të BBC-së, sipas studiuesit Eto Buziashvili. Një kopje e tillë nuk është shumë e vështirë për t’u krijuar, tha ajo, por sigurisht që kërkon njohuri për montimin e videove dhe programet përkatëse.

Sa e suksesshme është përmbajtja mashtruese?

Scott Radnitz, një profesor i asociuar i Studimeve Ruse dhe Euroaziatike në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare, Henry M. Jackson në Universitetin e Uashingtonit, thotë se është e vështirë të thuhet nëse kjo lloj përmbajtje e rreme është e mjaftueshme për të ndikuar në mënyrë thelbësore opinionet.

“Duke pasur parasysh se shumica e njerëzve tashmë kanë opinione të forta për luftën, në një mënyrë apo tjetër, kanë më shumë gjasa të konsumojnë lajme në përputhje me pikëpamjet e tyre dhe do të dyshojnë instinktivisht në pretendimet dhe imazhet kontradiktore”. Prandaj, thotë ai, “lufta e informacionit” mund të kuptohet më mirë si shfaqje për disa audienca të veçanta që mund të jenë të ndjeshme ndaj një qasjeje të tillë.

Share With Others