Të fundit | “The Guardian” s’ka publikuar artikull me pretendimin se si do të përfundoj… Të fundit | Me citat të vjetër nga Policia, u raportua pa bazë për arrestimin e Ikballe… Të fundit | Edona Llalloshi mohon se ka komentuar “Ti jap unë do vota” për Adelina Thaç… Të fundit | Titull i rremë në emër të BBC-së për rastin ndaj Thaçit Të fundit | Pretendohet pa fakte se paralajmërimi i aktakuzës për sulmin ndaj Jasharëve… Të fundit | Kosova e 47-ta dhe jo e 55-ta në IGP në kategorinë e militarizimit Të fundit | Pretendohet pa fakte se LDK-ja i ka ofruar kushte LVV-së për koalicion Të fundit | SMS mashtrues në emër të KRU “Prishtina” Të fundit | Pretendohet pa bazë në titull se një deputet i pakicave i ka thënë PO Kurti… Të fundit | Si u shndërrua paralajmërimi i aktakuzës për sulmin ndaj Jasharëve në narra…
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet pa fakte se paralajmërimi i aktakuzës për sulmin ndaj Jasharëve synon “fshehjen e krimeve të UÇK-së”

FESTIM RIZANAJ

VERDIKTI YNË

TEORI KONSPIRATIVE

Mediumi rus në gjuhën serbe “Sputnik Srbija” ka publikuar një artikull në të cilin pretendohet se paralajmërimi për ngritjen e një aktakuze lidhur me sulmin ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998 dhe “kërkesa e institucioneve të Kosovës për qasje në dokumente ushtarake serbe” janë pjesë e një përpjekjeje të koordinuar “për të fshehur krimet e UÇK-së”, “për të kriminalizuar Serbinë” dhe “për të paraqitur shqiptarët si viktima të krimeve masive”. Këto pretendime paraqiten përmes deklaratave të zyrtarit serb Milovan Drecun, pa u mbështetur me dëshmi apo burime të pavarura.

Cilat janë pretendimet?

Artikulli pretendon se institucionet e Kosovës po përdorin aktakuzat për krime lufte për të “rishkruar historinë” e luftës në Kosovë dhe për të mbuluar “krimet e kryera nga UÇK-ja”. Sipas këtij pretendimi, procedurat e paralajmëruara nga Prokuroria Speciale e Kosovës “synojnë të krijojnë përshtypjen se Serbia ka kryer krime masive ndaj shqiptarëve dhe të forcojnë narrativën e promovuar nga kryeministri Albin Kurti për përgjegjësinë e Serbisë gjatë luftës”.

Në artikull pretendohet gjithashtu se këto veprime janë “të lidhura” me procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe se synojnë të largojnë vëmendjen nga aktakuza dhe vendimet e mundshme ndaj tyre. Po ashtu, artikulli paraqet si fakt pretendimin se Adem Jashari e kishte sakrifikuar familjen e tij për “qëllime politike” dhe se pjesëtarët e familjes së tij ishin pjesë e një organizate “terroriste”.

Cilat janë faktet?

Artikulli nuk ofron asnjë provë që do të mbështeste pretendimin se aktakuza e paralajmëruar për rastin Jashari është e motivuar politikisht ose se ka për qëllim fshehjen e krimeve të pretenduara të UÇK-së. Nuk paraqitet asnjë dokument, deklaratë zyrtare apo dëshmi që do të vërtetonte lidhjen ndërmjet procedurave të Prokurorisë Speciale dhe procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Po ashtu, pretendimi se institucionet e Kosovës po përpiqen të krijojnë “artificialisht” një narrativë për krime masive ndaj shqiptarëve nuk merr parasysh faktin se krimet e luftës të kryera gjatë konfliktit në Kosovë janë dokumentuar nga organizata ndërkombëtare, misione hetimore dhe procese të ndryshme gjyqësore vendore e ndërkombëtare.

Po ashtu, pretendimet se Adem Jashari ka përdorur gra dhe fëmijë si “mburojë njerëzore”  nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura ndërkombëtare. Në raportet e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si Human Rights Watch dhe Amnesty International, si dhe në dokumentacionin e përdorur në proceset e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), nuk ekziston ndonjë konstatim i verifikuar që mbështet këto akuza. Përkundrazi, ngjarjet e 5-7 marsit 1998 në Prekaz janë dokumentuar si një operacion ku u vranë dhjetëra anëtarë të familjes Jashari, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Për rrjedhojë, pretendimet e përhapura nga disa media serbe dhe ruse mbeten të pakonfirmuara dhe bazohen kryesisht në narrativa politike e propagandistike, e jo në prova të verifikuara në mënyrë të pavarur.

Në mars të vitit 1998, në Prekaz, forcat policore dhe ushtarake serbe ndërmorën një operacion të gjerë kundër kompleksit të familjes së Adem Jashari, një prej figurave kryesore të rezistencës së armatosur shqiptare në Kosovë. Sulmi i parë u pasua nga një ndërhyrje më e madhe, e mbështetur nga forca të shumta të vendosura edhe nga një fabrikë municioni në afërsi, duke e shndërruar ngjarjen në një operacion të shkallës së lartë ushtarake.

Sipas Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), gjatë sulmeve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz u vranë gjithsej 59 persona. Viktimat përfshinin fëmijë, gra dhe të moshuar, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të rënda të asaj periudhe.


Analiza:

Pretendimet e publikuara nga “Sputnik Srbija” se aktakuza e paralajmëruar për rastin Jashari dhe “kërkesat për qasje në dokumente ushtarake serbe” synojnë “fshehjen e krimeve të UÇK-së, manipulimin e historisë së luftës dhe largimin e vëmendjes nga proceset në Hagë” nuk mbështeten me fakte apo dëshmi konkrete.

Artikulli bazohet kryesisht në interpretime politike dhe pretendime spekulative të një zyrtari serb, pa ofruar prova që do t’i vërtetonin këto pohime.

Po ashtu, pretendimet se Adem Jashari ka përdorur familjarët si “mburojë njerëzore” nuk janë konfirmuar nga asnjë raport i pavarur ndërkombëtare.

Këto pohime përsëriten kryesisht në narrativa politike dhe propagandistike nga media serbe dhe ruse, pa prova të verifikuara.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtjeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere