[email protected]
Televizioni serb “Pink” pretendoi rrejshëm se ka filluar një konflikt i armatosur në Kosovë
shape
shape
shape

Televizioni në gjuhën serbe “Pink”, në pasditen e së dielës (31 korrik), përmes një emisioni të jashtëzakonshëm debatues kanë analizuar situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendosjes së barrikadave në rrugët që dërgojnë në dy pikë-kalimet kufitare, Bërnjak e Jarinje.

Udhëheqësi i këtij emisioni, duke iu referuar disa të dhënave të paverifikuara, pretendon se nga ngjarjet e ardhura nga ajo zonë, kanë filluar të raportohet edhe për viktima, duke paralajmëruar konflikt të armatosur.

Burimi, të cilit i referohet ky prezantues është, siç i referohet ai, drejtori i Qendrës Klinike – Spitalore të Mitrovicës, Milan Jovanoviq.

Megjithatë, ky pretendim për evidentimin e personave të plagosur, duke mos përdorur shifra, është vërtetuar të jetë i rremë.

Pjesë e shkëputur nga emisioni në televizionin “Pink”, e trajtuar nga mediumi kosovar “Gorazdevac.com”, e përkthyer në shqip:

Sipas drejtorit të Qendrës Klinike – Spitalore në Mitrovicë, Milan Ivanoviq, kanë ardhur të plagosurit e parë dhe se numri i tyre nuk dihet.

Vegëza e emisionit të televizionit “Pink” e shkëputur nga mediumi kosovar “Gorazdevac.com”:


Pretendimi i bërë nga prezantuesi i këtij emisioni, rezulton të jetë i rremë, duke qenë se burimi i informacionit është i pakonfirmuar.

Këtë e vërteton edhe trajtimi i bërë nga mediumi në gjuhën serbe (këtu) “Gorazdevac.com”, që vepron në Kosovë.

Sipas trajtimit të fakteve nga ky medium, në emisionin e televizionit serb “Pink”, është pretenduar rrejshëm se janë regjistruar raste me të lënduar nga, siç thuhet, përplasje të armatosura.

Hibrid.info i ka trajtuar edhe më parë pretendime të tilla (këtu), dhe ka vërtetuar se ato janë të pavërteta, bazuar në njoftimin e Policisë së Kosovës të lëshuar po atë ditë (31 korrik), ku thuhet se nuk ka informacione zyrtare për të lënduar nga ngjarjet e kësaj dite në veri të vendit (këtu).

Gjithashtu, sipas trajtimit të bërë nga “Gorazdevac.com”, pretendimi se informacionet për të lënduar kanë ardhur nga drejtori i Qendrës Klinike-Spitalore të Mitrovicës së Veriut, janë të pavërteta. Në fakt, personi të cilit i referohet ky prezantues si drejtor të kësaj qendre spitalore, Milan Jovanoviq, është i pavërtetë. Sipas informatave të siguruara nga ueb-faqja e këtij institucioni, drejtor aktual është Zlatan Elek (këtu).

Për më tepër, në disa paraqitje të Elek për media, e ka thënë krejtësisht të kundërtën, pra që nuk është paraqitur asnjë person me lëndime nga përplasjet e pretenduara me armë zjarri gjatë asaj dite (këtu).


Analiza:

Pretendimet e bëra në emisioni e jashtëzakonshëm debutues të televizionit serb “Pink” për ngjarjen e 31 korrikut në veri të Kosovës, rezultojnë të jenë tërësisht të pavërteta.

Duke filluar nga pretendimi se ka pasur përplasje të armatosur, të plagosur nga pjesëtarë të komunitetit serb atje e deri të pretendimi se informacionet i ka të siguruara nga drejtori i Qendrës Klinike-Spitalore të Mitrovicës së Veriut, janë komplet të sajuara.

Për këtë arsye, bazuar në metodologjinë e hibrid.info, këto pretendime vlerësohet si “lajme të rreme”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.

Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others