Shkroi: Etrit Rexhepi
Në mënyrë të përsëritur, në mediat sociale dhe portale të ndryshme qarkullojnë përmbajtje që iu atribuojnë figurave publike deklarata të pabazuara, të sajuara ose që nuk janë thënë kurrë. Këto pretendime janë hasur edhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore, me qëllim të ndikimit në perceptimin e e opinionit publik. Hibrid.info ka trajtuar vazhdimisht dhe ka hasur raste të tilla, që nga shpallja e datës (më 20 nëntor) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke kryer verifikim të kujdesshëm të fakteve dhe duke nxjerrë përfundimin se shumë nga këto deklarata të pretenduara janë lajme të rreme.
Përmbajtjet e trajtuara në këtë periudhë lidheshin kryesisht me figura publike dhe politikë në Kosovë dhe rajon, duke përfshirë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, vëllain e heroit Adem Jasharit, Rifat Jasharin, presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidentin kroat Zoran Millanoviq dhe ish-analistin e CIA-s David Kanin (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Këto përmbajtje kanë pretendime që janë të rreme dhe nuk mbështeten nga burime kredibile. Shpërndarja e këtyre pretendimeve bëhet kryesisht përmes rrjeteve sociale si Facebook dhe TikTok, ndërsa procesi i verifikimit ndjek këto qasje: identifikimin e pretendimit, kërkimin e burimeve të besueshme, analizimin e kontekstit dhe nxjerrjen e një përfundimi të qartë. Bazuar në këtë metodologji, të gjitha përmbajtjet përfundojnë me vlerësimin se janë “Lajm i rremë”, duke treguar se qëllimi i tyre është të krijojë perceptime të gabuara tek publiku dhe të dezinformojë.
Këto postime shpesh arrijnë të gjenerojnë angazhim të konsiderueshëm në rrjetet sociale, duke marrë pëlqime, komente dhe shpërndarje nga përdorues të ndryshëm. Angazhimi i shtuar tregon se përmbajtje të tilla, pavarësisht mungesës së burimeve të verifikuara, arrijnë të tërheqin vëmendjen e publikut dhe të qarkullojnë gjerësisht në hapësirën digjitale. Ky nivel ndërveprimi kontribuon në përhapjen më të shpejtë të pretendimeve të pabazuara dhe rrit rrezikun që ato të perceptohen si informacione të sakta nga një pjesë e audiencës.
Gjatë kësaj periudhe, janë hasur një seri postimesh tjera në rrjete sociale që i atribuojnë figurave publike deklarata të pabazuara ose të sajuara, kryesisht në Facebook, si një postim në faqen “Specbuk” (këtu), një tjetër në grupin “Shqiptarët në Francë” (këtu), ku shihen deklarata të Adem Demaçit dhe Arsim Bajramit për Albin Kurtin dhe në faqen “Gollaku Gollaku” (këtu), ku i atribuohet Sami Lushtakut një deklaratë ndaj Bekim Jasharit, pa asnjë burim të verifikuar. Përveç këtyre, janë hasur edhe përmbajtje të publikuara në TikTok ku personalitete të ndryshme si George Robertson, Tony Blair, Nicholas Burns, Nexhat Daci, Cory Booker, Ro Khanna, Andreas Schieder, Ivana Stradner dhe Augustin Palokaj japin deklarata me superlativa për Albin Kurtin (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu). Këto poste janë gjetur të publikuara nga një llogari me emrin “elezneziraj”. Përmbajtjet e tilla tregojnë një tendencë të përsëritur për shpërndarje të informacionit jo të vërtetuar, ndërsa postimet me deklarata politike mund të konsiderohen si pretendime të paverifikuara ose deklarata të pathëna.
Për shembull, nëse kërkohet në Google me fjalët “tony blair për albin kurtin”, artikujt nga mediat kredibile janë ato që kishin raportuar për një letër që ish-kryeministri britanik i kishte dërguar kryeministrit Kurti në qershor të 2024, pas vizitës që ai i bëri Kosovës në përvjetorin e çlirimit të vendit (shih këtu dhe këtu). Në këtë letër Blair nuk ka dhënë komente për punën apo angazhimin e Kurtit.

Ngjashëm është edhe rasti i diplomatit Nicholas Burns, për të cilin, pas kërkimeve të kryera, i vetmi referim i gjetur në lidhje me Albin Kurtin është një postim në Twitter, ku ai e kishte falënderuar kryeministrin në detyrë të Kosovës për takimin e zhvilluar me studentët e Universitetit të Harvardit. (shih këtu).

Pas kontrollimit të pretendimeve të shprehura në përmbajtjet e tjera përmes kërkimeve në Google, nuk u gjet asnjë burim kredibil që të konfirmonte deklaratat e atribuara figurave të ndryshme publike për Albin Kurtin, Bekim Jasharin apo të tjerët. Kërkimet nuk dhanë artikuj të botuar në media të besueshme, intervista të verifikuara ose dokumente zyrtare që mbështesin pretendimet e qarkulluara në rrjetet sociale dhe portale të ndryshme. Kjo tregon se deklaratat që u shihen në këto postime janë të pabazuara dhe nuk kanë dëshmi që t’i verifikojnë, duke i bërë ato raste të pretendimeve të paverifikuara ose lajmeve të rreme (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
–
Andaj, lexuesit duhet të jenë gjithmonë të kujdesshëm me deklaratat që u atribuohen figurave publike në rrjetet sociale dhe portale të ndryshme. Këto deklarata mund të jenë të pabazuara, të sajuara ose të manipuluara, dhe shpërndarja e tyre mund të bëhet në formë teksti, imazhi ose video. Edhe videot, megjithëse duken më të drejtpërdrejta, nuk garantojnë saktësinë, pasi mund të jenë të montuara, të prera jashtë kontekstit ose të shpërndara nga burime jo të besueshme (shih këtu, këtu dhe këtu). Lexuesit duhet të verifikojnë burimin, datën dhe kontekstin e informacionit dhe ta krahasojnë atë me burime të tjera të besueshme, si faqet zyrtare ose mediat me reputacion.