info@hibrid.info
Deklaratë e paqëndrueshme e ministrit Vitia për vdekshmërinë e foshnjave në vend
shape
shape
shape

Arben Vitia, ministri i Shëndetësisë në një intervistë (19 dhjetor) në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka folur në lidhje me vdekshmërinë e foshnjave në Kosovë.

Vitia i ka cilësuar si të pasakta raportimet, që thonë se vdekshmëria e foshnjave në vendin tonë është 16 promil (16 vdekje të foshnjave nga 1000 lindje), duke e vlerësuar vdekshmërinë e foshnjave me rreth 7 promil.

Hibrid.info ka hulumtuar dhe verifikuar, duke gjetur raporte që bien ndesh me deklaratën e ministrit Vitia.


Hibrid.info ka vërtetuar se në raportin e progresit për Kosovën për vitin 2023, të publikuar më 8 nëntor të këtij viti thuhet se 16 fëmijë nga 1000 lindje, vdesin para se të mbushin pesë vjet, që e bën këtë numër tre herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian (BE-së) (shih këtu).


Ministri Vitia, i ftuar në një intervistë në RTK, e cila është gjetur e publikuar edhe në Youtube, pyetjes së intervistuesit në lidhje me këtë çështje, bazuar në raportin e progresit, i është përgjigjur duke i vlerësuar si jo të sakta të dhënat mbi vdekshmërinë e foshnjave.


Deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia:

Absolutisht një pjesë e mirë e raportit ka të drejtë. Në anën tjetër për shembull te vdekshmëria e foshnjave ku e përcakton si 16 promil, nuk është e saktë, sepse mënyra se si është bërë mostra nuk është e saktë. Mirëpo fatkeqësisht për shkak të mungesës të sistemit informativ shëndetësor dhe për shkak të punës dhe reformave që nuk janë bërë akoma në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK) në mënyrën e raportimit, nuk kemi pasur mundësi si t’i kundërvihemi kësaj të gjeture. Mirëpo më të gjithë ata qe kam folur edhe në bazë të raportimeve në IKSHPK, vdekshmëria e foshnjave në Republikën e Kosovës, nuk i kalon 7 promil dhe kjo është e ditur tashmë e disa vite.


Pra, hibrid.info ka hulumtuar tutje deklaratën dhe ka gjetur se ministri Vitia ka dhënë vlerësimin se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është rreth 7 promil, madje duke e theksuar si fakt të ditur për tash e disa vite.

Hibrid.info ka gjetur edhe raportime te mediave online në lidhje me këtë deklarim (shih këtu dhe këtu).


Ndaj këtij deklarimi të ministrit Vitia, ka reaguar gazetari Bujar Vitija, me anë të një postimi në Facebook, të cilin hibrid.info e ka gjetur po ashtu (shih këtu).

Gazetari Vitija ka theksuar se vdekshmëria e foshnjave është 10 promil sipas Planit të veprimit për programin për shëndet të nënës, fëmijës dhe shëndet riprodhues 2023-2025. Ndërsa sipas këtij dokumenti shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç është 15 promil.

Përkundër hulumtimit dhe kërkimit, hibrid.info nuk ka arritur të gjejë dokumentin të cilit i është referuar gazetarit Vitija.


Dokumenti i gjetur nga hibrid.info në lidhje me çështjen në fjalë është, “Plani Strategjik për Shëndetin e Nënës, Fëmijës dhe Shëndetin Riprodhues 2020-21” (shih këtu).

Nga të dhënat e paraqitura në lidhje më vdekshmërinë e foshnjave në këtë dokument, për vitet 2016-19, tregohet se në këto katër vite, numrat nuk kanë treguar asnjëherë më pak se 10 promil të vdekjeve të foshnjave.


Hibrid.info po ashtu ka verifikuar dhe ka gjetur dokumentin e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) (program në kuadër të UNICEF) për vitet 2019-20, shkalla e vdekshmërisë për foshnjat është 15 promil (shih këtu).


Duke u bazuar në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe në dokumentin e ministrisë së Shëndetësisë, deklarata e ministrit të këtij dikasteri, se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë tashmë e disa vite është 7 promil, është deklaratë e paqëndrueshme.


Përfundimi:

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija është deklaruar se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë, është rreth 7 promil, për tash e disa vite.

Por pas verifikimit dhe hulumtimit nga hibrid.info, me anë të disa raporteve të organizatave ndërkombëtare janë gjetur të dhëna që bien ndesh me deklarimin e ministrit Vitia rreth kësaj çështjeje.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi kategorinë e vërtetësisë, hibrid.info e vlerëson deklaratën e ministrit Vitia, si deklaratë të pavërtetë.


Vlerësimi:

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others

Translate »