Gjatë monitorimit të përmbajtjeve online që publikohen nga media, faqe e llogari, hibrid.info ka vërejtur një fenomen të përsëritur, ku figura e një personi keqpërdoret për t’i atribuar atij deklarata të paqena.
Rastet e identifikuara lidhen me figurën e Rifat Jasharit, vëllait të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari.
Nga viti 2023 deri në kohën e publikimit të këtij artikulli, hibrid.info ka trajtuar gjithsej tetë përmbajtje të publikuara online, në të cilat figura e Rifat Jasharit është keqpërdorur për prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve keqinformuese.
Bazuar në metodologjinë e punës së hibrid.info, këto përmbajtje janë vlerësuar në kategori të ndryshme të çrregullimit informativ, përfshirë “lajm i rremë”, “clickbait”, “dezinformatë” dhe “manipulim i fakteve”.
RASTET
Më 4 tetor 2023, portali informativ “Le Canton27.ch” publikoi në faqen e tij zyrtare në Facebook një imazh të Rifat Jasharit, të shoqëruar me një pretendim se ai kishte reaguar ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Në postim pretendohej se Rifat Jashari kishte deklaruar:
“’Reagon Rifat Jashari ndaj Ramës: ‘Përqafimet e puthjet me Vuçiqin do i paguash shtrenjtë nga Kosova, mbaje mend’”.
Megjithatë, hulumtimi i kryer nga hibrid.info nuk ka gjetur asnjë fakt, dëshmi apo burim të besueshëm që do ta konfirmonte se Rifat Jashari e kishte bërë këtë deklaratë. (shih këtu verifikimin e kryer nga hibrid.info).
Kjo përmbajtje e rreme u rikthye edhe në qershor të vitit 2026 në Facebook dhe TikTok (shih këtu verifikimin).
Më 27 janar 2025, llogaria në Facebook “Lajme Nga Bota” publikoi një përmbajtje ku pretendohej se kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas tensioneve të shkaktuara gjatë një tubimi të partisë së tij në Skenderaj, ishte pritur nga Rifat Jashari.
Pretendimi e paraqiste këtë takim si dëshmi se familja e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, qëndron në krah të Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, verifikimi i fakteve nga hibrid.info tregoi se fotografia e përdorur në këtë përmbajtje nuk ishte realizuar pas tubimit në Skenderaj, por ishte e vitit 2023.
Po ashtu, familja Jashari kishte deklaruar se do të vazhdonte të qëndronte jashtë përfshirjes aktive në partitë politike dhe proceset zgjedhore (shih këtu verifikimin).
Në gusht të vitit 2025, llogaria në TikTok “ffrmir” publikoi një përmbajtje përmes së cilës pretendohej se Rifat Jashari kishte deklaruar: “PDK-ja nuk e dha asnjë cent për Drenicën, sheshin e ndërtoi KFOR-i, Prekazin e ndërtoi Turqia, ndërsa Kosovën Ibrahim Rugova.”
Megjithatë, hulumtimi i kryer nga hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim, video apo publikim të besueshëm që do ta konfirmonte se Rifat Jashari kishte bërë një deklaratë të tillë (shih këtu verifikimin).
Më 6 mars 2025, faqja e televizionit “Klan Kosova” në Facebook kishte publikuar një video-material me mbishkrimin “Kritika e Jasharit – ‘Kjo qeveri, brenda ka njerëz anti UÇK’”. Videoja, në të cilën para se të klikohet shihet imazhi i Rifat Jasharit.
Në bazë të përshkrimit që është vendosur në video dhe në bazë të fotografisë së kopertinës së videos, mund të thuhet se para se të klikojë videon, audienca mund të besojë se deklarata e paraqitur ka ardhur nga Rifat Jashari.
Pas kontrollit të përmbajtjes së videos, hibrid.info ka gjetur se deklarata e vendosur në mbishkrim, është bërë nga Xhavit Jashari, kryetar i shoqatës së familjeve të dëshmorëve.
E në rast se audienca nuk e shikon përmbajtjen, mund ta keqlexojë publikimin si deklaratë e bërë nga vëllai i komandantit Rifat Jashari (shih këtu verifikimin).
Më 22 dhjetor 2025, llogaria në Facebook “Luftari Spartak” publikoi një përmbajtje përmes së cilës pretendohej se Rifat Jashari kishte bërë thirrje për mbështetje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Megjithatë, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk u gjet asnjë burim kredibil që do ta konfirmonte këtë pretendim. Kërkimet në media sociale dhe përmes Google nuk rezultuan me ndonjë deklaratë, video apo publikim të besueshëm që dëshmon se ai kishte bërë një thirrje të tillë (shih këtu verifikimin).
Një video në TikTok e publikuar me 24 prill nga llogaria me emrin “podujeva072” pretendonte se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kishin vizituar familjen e Rifat Jasharit në Prekaz më 24 prill 2026.
Megjithatë, video paraqet një vizitë të mëhershme, e bërë gjatë shënimit të Epopesë së UÇK-së (6 mars 2026) dhe nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që një vizitë e tillë ka ndodhur në datën e pretenduar (shih këtu verifikimin)
Më 4 gusht 2026, faqja në Facebook “Unioni i Shqiptarëve në Evropë – European Union of Albanians”, publikoi një përmbajtje me pretendimin se Rifat Jashari ka bërë një deklaratë në lidhje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në imazh shkruhet: “Rifat Jashari: Edi Rama do e paguash shtrenjtë hapjen e konsulatës serbe në trojet shqiptare në ndërkohë kur Kosova përballet me gjetjen e varrezave massive nga gjenocidi sërb”.
Megjithatë, pas hulumtimit përmes mediave sociale, makinës së kërkimit “Google”, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë burim të besueshëm që e konfirmon këtë deklaratë (shih këtu verifikimin).
Pse përdoret figura e një personi për të prodhuar keqinformim?
Duke pasur parasysh respektin që gëzon Rifat Jashari në mesin e qytetarëve të Kosovës, përdorimi i emrit dhe fotografisë së tij në deklarata politike të fabrikuara mund të shërbejë për ta bërë përmbajtjen keqinformuese më të besueshme.
Studimi “Quoting to deceive: fake quotes and political delegitimization in Spanish far right grassroots disinformation campaigns”, botuar në Linguistics Vanguard, analizon fabrikimin e qëllimshëm të citimeve dhe atribuimin e tyre personave realë në rrjetet sociale. Studimi tregon se citimet e fabrikuara mund të përdoren si mjet për të ndikuar në perceptimin e publikut ndaj personit të cilit i atribuohen deklaratat, si dhe ndaj qëndrimeve që ai pretendohet se përfaqëson.
Në rastin e Rifat Jasharit, deklaratat e fabrikuara i atribuohen një figure reale dhe të respektuar, e cila nuk ka mbajtur post politik. Kjo krijon një lidhje të rreme mes figurës së tij dhe një qëndrimi politik, duke i dhënë përmbajtjes një pamje të besueshme që nuk mbështetet në ndonjë deklaratë reale të tij.
Çka duhet të kemi parasysh kur shohim përmbajtje të tilla?
Kur shohim përmbajtje të publikuar online, është e rëndësishme të kemi parasysh disa gjëra bazike për të mos rënë pre e dezinformatave:
VERIFIKO BURIMIN
Kush e ka publikuar përmbajtjen?
A është medium i njohur apo faqe e panjohur që pretendon të jetë “media”?
Kontrollo nëse ka informacione për redaksinë, kontaktet apo autorin.
A raportohet e njëjta ngjarje edhe nga media të tjera të besueshme? Nëse jo, ka gjasa të jetë e pavërtetë ose e shtrembëruar.