Të fundit | Si (s’)erdhën Marco Rubio dhe Ivanka Trump në Shqipëri Të fundit | Mediat në serbisht e paraqesin viktimën kosovare në Austri si shtetas të Se… Të fundit | Pretendohet pa fakte se Policia e Kosovës rrahu fëmijë serbë në Jarinjë Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin mars 2026 Të fundit | Pretendohet pa fakte për rritje 40% të çmimit të ujit të ambalazhuar Të fundit | Rishikimi i javës: Pretendime për konfiskimin e pronave të Vjosa Osmanit dh… Të fundit | Keqinformatat e mundshme deri në përfundimin e afatit të zgjedhjes së presi… Të fundit | Hibrid.info në shënjestër të fushatës dezinformuese ruse “Matryoshka” me na… Të fundit | Pretendim i pasaktë, bëhet fjalë për tërheqjen e planit për një tjetër xham… Të fundit | Paraqiten si fakte të kryera ndarja e shtesave për fëmijë dhe pensionistë
[ ARTIKULLI ]

Dita e Mbrojtjes së të Dhënave

HIBRID

Në vitin 2006, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës vendosi ta caktojë 28 janarin si Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave. Kjo ditë tani festohet në të gjithë botën, nën emrin “Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave” ose “Dita e Privatësisë”.

Për të shënuar Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave, Këshilli i Evropës ka publikuar një shkrim për të na kujtuar të gjithëve rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave tona personale dhe të drejtës sonë për privatësi.

Këto rreziqe janë shumëfishuar për shkak të zhvillimit të teknologjisë së inteligjencës artificiale. Përpunohen sasi shumë më të mëdha të të dhënave duke krijuar efikasitet dhe përfitime të konsiderueshme, por edhe duke rritur rreziqet, veçanërisht rrezikun e diskriminimit ose të ekspozimit ndaj dezinformimit dhe manipulimit. Ky rrezik është shtuar edhe si pasojë e transformimeve gjeopolitike.

Dita e Mbrojtjes së të Dhënave shënon momentin kur Këshilli i Evropës hapi për nënshkrim Konventën për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale – e njohur si “Konventa 108” – më 28 janar 1981.

Një risi botërore në mbrojtjen e të dhënave

Kjo konventë ishte traktati i parë ndërkombëtar juridikisht detyrues në botë për mbrojtjen e privatësisë në epokën digjitale. Sot, 45 vjet pas miratimit, 55 shtete e kanë ratifikuar deri më tani traktatin, përfshirë 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, si dhe Argjentinën, Kepin e Gjelbër, Mauritiusin, Meksikën, Marokun, Senegalin, Tunizinë dhe Uruguajin. Shumë shtete të tjera e kanë përdorur atë si model për legjislacionin e tyre.

Në vitin 2018, Këshilli i Evropës hapi për nënshkrim një protokoll për modernizimin e “Konventës 108”. Ky protokoll adreson sfidat e reja për mbrojtjen e të dhënave personale që kanë dalë që nga viti 1981. Ai do të hyjë në fuqi kur 38 nënshkrues ta kenë ratifikuar, shpresohet në një të ardhme të afërt.

Beatriz de Anchorena, kryetare e Komitetit Këshillimor të Konventës për Mbrojtjen e të Dhënave të Këshillit të Evropës dhe drejtoreshë e Agjencisë së Argjentinës për qasje në informata publike, tha: “Viti 2026 na gjen në një moment përcaktues. Transformimi digjital i përshpejtuar dhe vendosja e inteligjencës artificiale po udhëheqin vendime strategjike për politika dhe standarde lidhur me qeverisjen, rregullimin dhe konkurrueshmërinë, në një kohë ndryshimesh të mëdha gjeopolitike. Në këtë peizazh në zhvillim, mbrojtja e të dhënave personale mbetet thelbësore për garantimin e të drejtave individuale, vlerave demokratike dhe besimit në mjedisin digjital”.


Rastet që cenuan sigurinë e të dhënave të qytetarëve të Kosovës, të trajtuara nga Hibrid.info

Qytetarët e Kosovës përballen me cenimin e sigurisë së të dhënave, kryesisht përmes mesazheve elektronike (SMS).

Hibrid.info ka trajtuar dhjetëra raste të tilla. Përmes këtyre mesazheve mashtruese, dërguesit imitojnë Postën e Kosovës, bankat, si dhe platformën elektronike “eKosova”.

Rastet “Posta e Kosovës”

Mesazhe të shumta iu janë dërguar qytetarëve të Kosovës me pretendime se vijnë nga Posta e Kosovës, duke bërë thirrje se duhet të klikohet vegëza që paraqitet në SMS në mënyrë që pakoja t’u dërgohet në adresë të saktë. (shih këtu, këtu, këtu, këtu e këtu)

Hibrid.info ka trajtuar disa nga këto raste, e që pas verifikimit është vërtetuar se ato përmbanin linqe të dyshimta (mashtruese) dhe që nuk ishin nga ueb-faqja zyrtare e Postës së Kosovës.

Madje edhe vetë Posta e Kosovës kishte reaguar ndaj mesazheve të formës së ngjashme, që bëheshin në emër të saj, duke njoftuar publikun që të mos bjerë pre këtij mashtrimi. (shih këtu)

Rasti “NLB Banka”

Qytetarëve në vend po u dërgohen SMS që pretendojnë rrejshëm se përdoruesve do t’u bllokohet llogaria bankare e “NLB Banka”, duke i nxitur të klikojnë në një vegëz për përditësim të të dhënave të tyre. (shih këtu)

Vegëza i drejton përdoruesit në një faqe që imiton “NLB Banka” dhe kërkon të dhëna personale, ndërkohë që domeni nuk përputhet me ueb-faqen zyrtare të bankës.

Analiza përmes platformave të verifikimit të ueb-faqeve (këtu) dhe paralajmërimet zyrtare të vetë “NLB Banka” (këtu) konfirmojnë se këto SMS janë mashtruese.

Rasti “eKosova”

Kohët e fundit janë vërejtur edhe SMS-të mashtrues që pretendojnë rrejshëm se janë dërguar nga platforma “eKosova”, duke i njoftuar për një gjobë trafiku dhe duke i ftuar ta paguajnë përmes një vegëze të dyshimtë (“ekosova.top/gov”).

Mesazhi dërgohet nga një adresë private emaili, jo nga një burim zyrtar.

Verifikimi i hibrid.info ka vërtetuar se ky SMS nuk është autentik dhe se vegëza nuk i përket platformës zyrtare “eKosova”, e cila operon vetëm në domenin “ekosova.rks-gov.net”. Platformat për identifikimin e ueb-faqeve e vlerësojnë këtë domein si të dyshimtë. (këtu dhe këtu)

Hulumtimi i mëtejshëm tregon se ueb-faqja shfaq gjoba edhe për targa inekzistente të automjeteve dhe më pas kërkon të dhëna bankare për pagesë, çka dëshmon se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi me qëllim vjedhjen e të dhënave financiare. (shih këtu)


Mbani të dhënat tuaja personale të sigurta: mos klikoni në linqe të dyshimta dhe mos ndani informacione personale në faqe apo mesazhe (SMS) të panjohura. Verifikoni gjithmonë burimin, sepse një klik i pakujdesshëm mund t’ju bëjë pre të mashtrimeve online.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere