Të fundit | Titulli e paraqet lirimin e Thaçit si të konfirmuar Të fundit | Rama s’ka thënë se mbështetësit e protestave nga Kosova e Maqedonia e Veriu… Të fundit | Nuk ka dëshmi se Engel ka deklaruar se lirimi i Thaçit do të ndikonte në sk… Të fundit | Pretendim i rremë se Hillary Clinton ka bërë një deklaratë për qeverisjen e… Të fundit | Raporti monitorues i keqinformimit për muajin korrik 2026 Të fundit | Format e manipulimit të imazheve për qëllime keqinformimi Të fundit | Hamza nuk refuzoi krijimin e institucioneve dhe nuk kërkoi zgjedhje të reja Të fundit | Videoja e vitit 2021 me aeroplanë luftarakë serbë mbi Jarinjë ripublikohet… Të fundit | Pretendime pa fakte se familja Berisha e dogji shtëpinë në Zveçan për t’i a… Të fundit | Hibrid.info në Bordin e IFCN, një hap i ri në përfaqësimin ndërkombëtar
[ ARTIKULLI ]

Ende nuk ka vendim gjykate për kërkesën e Thaçit për lirim me kusht

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

MANIPULIM I FAKTEVE

Kundërshtimi i Prokurorit nuk është vendim final. Vendimet i merr gjykata.

Janë publikuar përmbajtje ku pretendohet se Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës, i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht nga paraburgimi në Gjykatën Speciale.

Përmbajtjet me këtë pretendim janë publikuar të mërkurën nga mediat “GazetaMetro.net” dhe “TRT Ballkan” si dhe në Facebook nga llogaria me emrin “B. Cogdell” dhe nga faqja me emrin “Kosova Today”.

Pse po trajtohen këto përmbajtje?

Ajo që dihet është seThaçi kërkoi lirimin me kusht nga paraburgimi, duke ofruar dorëzani 50 mijë euro. Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kundërshtuar këtë kërkesë të mbrojtjes së ish-presidentit të vendit. E kundërshtimi i ZPS-së nuk është vendim final. Vendimet i merr gjykata.

Në artikullin e “Kosova Today” raportohet se ZPS ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim të përkohshëm. Sipas ZPS-së, Thaçi duhet të vazhdojë të mbetet në paraburgim gjatë procesit gjyqësor.

Arsyeja e paraqitur është se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe, të cilat, sipas Prokurorisë, nuk mund të zbuten me asnjë kusht lirimi. Prokurorja Kimberly West argumenton se ekziston rrezik për ndërhyrje në procedurë dhe kryerje të veprave të tjera penale nëse ai lirohet.

Megjithatë, përmbajtja nuk e sqaron nëse Thaçit i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht.


Hibrid.info ka hulumtuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit Special (shih këtu). Aty u gjet dokumenti i kërkesës së mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi për lirim me kusht në kuadër të rastit gjyqësor për pengimin e administrimit të drejtësisë, ku si argumente kryesore për lirimin e tij u përdorën edhe vendimet e mëparshme të gjykatës për lirimet me kusht të personave të tjerë. (shih këtu). Kjo kërkesë nga ekipi mbrojtës është bërë më 9 korrik.

Lidhur me këtë, u gjet edhe një dokument i datës 16 korrik 2026, ku Prokuroria e Specializuar iu përgjigj kërkesës së mbrojtjes për lirim me kusht, duke kërkuar nga gjykata që ta refuzojë atë si të pabazuar.

Prokuroria argumentoi se rreziqet e mëparshme mbeten të plota dhe të pranishme, duke përfshirë rrezikun e arratisjes, mundësinë e pengimit të procedurave përmes ndikimit te dëshmitarët e ndjeshëm, si dhe rrezikun e kryerjes së veprave të tjera penale, ndërsa theksoi se sjellja e vazhdueshme e Thaçit në shkelje të rregullave të paraburgimit tregon se asnjë masë apo kusht alternativ nuk mund t’i zbutë këto rreziqe në mënyrë efektive (shih këtu).

Në dokumentet publike nuk është gjetur asnjë vendim që do të sqaronte epilogun e kësaj kërkese (shih këtu). Por, në një njoftim të publikuar u tregua se në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët lidhur me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë caktuar të mbahen seanca në datat 17–19 gusht 2026 (shih këtu).

Bazuar në faktin se si pala mbrojtëse, ashtu edhe prokuroria i janë drejtuar gjykatës përmes këtyre dokumenteve, si dhe duke pasur parasysh se vendimet për masën e sigurisë merren ekskluzivisht nga gjykata (këtu dhe këtu), konfirmohet se Prokuroria nuk ka kompetencë të vendosë lidhur me këtë kërkesë.


Hibrid.info po ashtu hulumtoi me anë të makinës së kërkimit “Google”, duke kërkuar më fjalët “hashim thaçi”. Në artikujt e shfaqur për 24 orët e fundit, u hasën të tilla që raportonin se kërkesa e Thaçit për lirim me kusht, është kundërshtuar nga ZPS. Në këto përmbajtje nuk është paraqitur vendim i konfirmuar për këtë kërkesë (shih këtu, këtu dhe këtu).


Sipas nenit 41, paragrafi 10 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, vendimi për vazhdimin, ndërprerjen ose lirimin nga paraburgimi merret nga gjyqtari i procedurës paraprake ose trupi gjykues. Prokuroria mund të paraqesë qëndrimin e saj, por nuk ka kompetencë të marrë vendim përfundimtar (shih këtu).

Kontekst:

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, po akuzohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për pengim të drejtësisë (shih këtu).

Prokuroria Speciale pretendon se gjatë vizitave në paraburgim, më 2023, në Hagë, të akuzuarit iu dhanë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte, në të cilin është i akuzuar Thaçi.

Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë të liruar me kusht (shih këtu dhe këtu).

Aktgjykimi në çështjen gjyqësore ku Thaçi akuzohet për krime lufe, do të shpallet më 16 shtator 2026 (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se Hashim Thaçit i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht nga paraburgimi është i pavërtetë.

Dokumentet publike tregojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për lirim të përkohshëm dhe i ka kërkuar gjykatës që ta refuzojë atë. Megjithatë, ky kundërshtim nuk përbën vendim përfundimtar për kërkesën.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, vendimi për vazhdimin, ndërprerjen ose lirimin nga paraburgimi merret nga gjyqtari i procedurës paraprake ose trupi gjykues. Deri në momentin e publikimit të këtij verifikimi, nuk është gjetur ndonjë vendim i publikuar nga gjykata që konfirmon refuzimin e kërkesës së Thaçit.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere