Shkroi: Etrit Rexhepi
Në Kosovë në rritje është praktika që politikanët t’i quajnë raportimet e pasakta ndaj tyre si “lajme të rreme” apo “dezinformata”. Edhe kur demantimi është i drejtë, këto etiketime shpesh janë të pabazuara dhe rrezikojnë të delegjitimojnë mediat, duke ndërlikuar debatin publik.
Platformat për kontrollin e fakteve janë ato që verifikojnë përmbajtjet dhe që japin vlerësimet për to, në varësi nga metodologjia e vlerësimit. Kjo vlen për përmbajtjet keqinformuese dhe ato dezinformuese. Hibrid.info është shembulli i platformave që ka për qëllim luftën kundër formave të çrregullimit informativ. Vlerësimet në këtë platformë bazohen në verifikimin e pretendimeve të publikuara në media dhe vendosjen e fakteve përkatëse.
Për disa përmbajtje të trajtuara nga hibrid.info, në disa raste, si fakte janë marrë edhe demantet e institucioneve dhe organizatave të ndryshme (shih këtu, këtu, këtu). Një fenomen në rritje është vërejtur demantimi që bëjnë politikanë të ndryshëm në Kosovë, ndaj përmbajtjeve të pasakta (shih këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Përveç demantimit dhe sqarimit të së vërtetës në këto reagime, zyrtarët politikë e institucionalë japin vlerësime për përmbajtjet që ata pretendojnë se janë të pavërteta, duke i cilësuar si lajm i rremë, dezinformatë, shpifje e propagandë.
Çka thonë artikujt hulumtues?
Një artikull hulumtues i titulluar “Fake news as a two-dimensional phenomenon” (në shqip, Lajmet e rreme si fenomen dydimensional) nga Egelhofer & Lecheler (2019) thotë se termi “fake news” përdoret për dy gjëra të ndryshme, të cilat duhet dalluar qartë.
“Lajmi i rremë” si zhanër prodhohet me qëllim për të mashtruar. Pra, qëllimi është dezinformimi dhe jo gabimi aksidental. Lajmi i rremë duket si gazetari e vërtetë, ka formën, stilin, strukturën e një lajmi profesional, edhe pse është i rremë.
Gjithashtu kjo përmbajtje synon ndikim, ka qëllim politik, ekonomik, social ose emocional. Sipas këtij përkufizimi, përmbajtjet e vlerësuara si gabim, clickbait apo satirë nuk janë “lajm i rremë” (shih këtu).
“Lajm i rremë” si etiketë (label) përdoret nga aktorët politikë për të delegjitimuar media të caktuara, për të hedhur poshtë lajme faktike, për të krijuar dyshim dhe konfuzion dhe për të sulmuar kundërshtarët politikë.
Pra, një politikan mund ta quajë “lajm të rremë” edhe një raportim të saktë, vetëm për të dobësuar besimin te media. Sipas artikullit, ky dimension është retorik, strategjik dhe shpesh i rrezikshëm për demokracinë, sepse minon besimin në burimet e informimit.
Në një artikull tjetër me titullin “It’s nothing but a deepfake! The effects of misinformation and deepfake labels delegitimizing an authentic political speech” (në shqip, Efektet e etiketave të “keqinformimit” dhe “deepfake” në delegjitimimin e një fjalimi politik autentik) nga M. Hameleers & F. Marquart (2023), publikuar në “International Journal of Communication”, tregon se aktorë të ndryshëm, politikanë, media alternative apo grupe interesash, shpesh akuzojnë mediat kryesore, ekspertët apo kundërshtarët politikë se po përhapin “keqinformim”, “dezinformim” ose “lajme të rreme”. Edhe ky artikull e përsërit se këto akuza nga politikanët funksionojnë si etiketa delegjitimimi, të destinuara për t’i bërë njerëzit të mos i besojnë informacionit autentik.
Artikulli po ashtu fokusohet te etiketa “lajm i rremë” si një taktikë diskursive për të akuzuar të tjerët se po fshehin realitetin apo po manipulojnë publikun. Keqinformimi nënkupton informacion të pasaktë pa qëllim mashtrimi, ndërsa dezinformimi nënkupton përhapjen me qëllim të informacionit të rremë ose të manipuluar (shih këtu*).
Paradoksalisht artikulli thotë se vetë këto akuza nga politikanët kur janë të rreme, mund të konsiderohen si formë dezinformimi. Në shumë raste nuk ka prova apo ekspertizë që t’i mbështesin këto etiketime, dhe ato shpesh shfaqen si një taktikë për të akuzuar mediat dhe elitat politike se po gënjejnë publikun.
Hulumtimet tregojnë se akuzat për dezinformim reduktojnë besimin e publikut te mediat e shënjestruara. Ndërkohë, etiketat për keqinformim mund të jenë më delikate dhe më bindëse si strategji delegjitimimi. Edhe ky lloj etiketimi i informacionit të saktë mund të rrisë skepticizmin dhe të ulë pranimin e mesazhit.
Rastet në Kosovë
Në rastet e shembujve të hasur në Kosovë, demantimi i përmbajtjeve të publikuara është i drejtë dhe i bazuar, pasi titujt dhe raportimet në rastet e përmendura nga politikanët nuk pasqyrojnë qartë të vërtetën. Korrektimi i këtyre pasaktësive është i nevojshëm dhe i dobishëm për informimin e publikut.
Megjithatë vlerësimi i këtyre përmbajtjeve si “Dezinformatë” dhe “lajm i rremë” është i gabuar. Termet e përdorura nga politikanët në Kosovë, nënkuptojnë se përmbajtjet e demantuara, janë publikuar qëllimisht për të mashtruar publikun. Për këtë arsye, përdorimi i etiketave të tilla mund të mos jetë përcaktimi më adekuat në të gjitha rastet.
Një shembull të cilin e kishte trajtuar hibrid.info, është reagimi i Mytaher Haskukës, zyrtar politik nga Lëvizja Vetëvendosje. Haskuka kishte demantuar një artikull që pretendonte se një i arrestuar me mbiemrin e njëjtë me të, ishte familjar i tij. Ish-kryetari i Prizrenit e kishte cilësuar atë pretendim si lajm të rremë.
Por, hibrid.info pas trajtimit të kësaj përmbajtjeje, pretendimin e kishte vlerësuar si “Përmbajtje të paverifikuar”, që ka të bëjë me ato përmbajtje informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes (do të thotë se nuk kemi të bëjmë me mashtrim të qëllimshëm) (shih këtu).
Andaj, në mungesë të provave se kemi të bëjmë me qëllim për mashtrim, vlerësimi më i saktë do të ishte që këto raste të trajtohen si pasaktësi, keqinterpretime ose mungesë konteksti. Kjo qasje ndihmon në ruajtjen e standardeve profesionale të komunikimit publik dhe shmang përdorimin e etiketimeve delegjitimues në mënyrë të panevojshme.
Edhe pse, demantimi dhe saktësimi i informacionit janë të domosdoshëm, përdorimi i etiketave si “dezinformatë” apo “lajm i rremë” duhet të bëhet me kujdes dhe në përputhje me kriteret profesionale. Platformat e kontrollit të fakteve janë ato që, mbi bazën e metodologjive të tyre, ofrojnë vlerësime të strukturuara dhe të paanshme për përmbajtjet e dyshuara për pasaktësi, keqinformim apo dezinformim. Kjo qasje ndihmon të ruhet qartësia, saktësia dhe besueshmëria në komunikimin publik, duke shmangur etiketime të panevojshme ose të pabazuara.



