Autorë: Etrit Rexhepi dhe Fatbardh Dema
Një pamje që po qarkullon në rrjete sociale në masë të madhe dy ditët e fundit është ajo e asaj që po njihet tashmë si “Fantazma e Prishtinës”.
Në pamjet e para që ekipi i hibrid.info ka arritur të gjejë në rrjet të kësaj “fantazme”, shihet një trup i gjatë, i veshur me një pallto të gjatë të zezë, me fytyrë të maskuar, me kapelë të zezë, ndërsa në vend të shputave ka thundra që ngjasojnë me të kafshëve.
Kjo pamje u përhap shpejt në rrjet, ndërsa pati edhe media që raportuan për të.
Media “Sinjali” të dielën (11 janar) publikoi në faqen e saj zyrtare në Facebook një fotolajm mbi këtë “fantazmë” me mbishkrimin: ““Fantazma e Prishtinës” – Një person i maskuar endet natën rrugëve të kryeqytetit””.
Pos mbishkrimit që i kishin vendosur fotos së “fantazmës”, në përshkrim shkruan: “Qytetarët ankohen se ky person i maskuar po ‘tmerron’ me pamjen e tij duke i përndjekur ata gjatë natës”.
Të njëjtin pretendim e ka bërë edhe “Revista Kosovarja”, kurse faqe tjera si, “Revista Ora” dhe “Qendra Info” kanë lëshuar po ashtu pretendime të paverifikuara mbi “Fantazmën e Prishtinës” (këtu dhe këtu arkiv).
Çka nuk shkon me këto raportime?
Media dhe faqe të ndryshme në Facebook, si “Sinjali”, “Revista Kosovarja”, “Revista Ora” e “Qendra Info”, këto publikime i bënë pa asnjë verifikim paraprak të përmbajtjes në fjalë, duke nxitur komente e reagime të shumta.
Pos mediave dhe faqeve të ndryshme që zakonisht publikojnë lajme, për këtë figurë shkruan e publikuan edhe përdorues tjerë të rrjeteve sociale, kryesisht në Facebook (këtu) dhe TikTok (këtu dhe këtu).
Pretendimet kryesisht flisnin për “fantazmën” që po qarkullon nëpër “Rrugën C” të Prishtinës.
Ndërkaq, përdorues të rrjeteve sociale “e dërguan” “fantazmën” edhe nëpër pjesë tjera të qytetit, por edhe në qytete tjera të vendit. (këtu, këtu, këtu)
Megjithatë, figura e parë që hibrid.info ka arritur të gjejë të publikuar online, dallon nga figurat që qarkullojnë më pas në rrjet.
Në imazhin e parë, figura shihet se ka këmbë me lesh dhe shputa kafshësh, ndërsa në pamjet tjera, figura e “fantazmës” shihet se ka të veshur pantallona të bardha, kurse edhe fytyra dallon nga imazhi në imazh.
Ka përdorues të tjerë të rrjeteve sociale që këtë imazh e shfrytëzuan për sarkazëm, por edhe për marketing.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), përmes një reagimi publik, kritikoi mediat për raportimin mbi këtë fenomen, ndërkaq tha se pamjet janë të krijuara me inteligjencë artificiale.
“Raportimi në disa media për një “fantazmë” që “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës është i pasaktë, pasi që bëhet fjalë për një përmbajtje të gjeneruar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (AI)”.
“Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me këto përmbajtje”.
“Mediat duhet të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik”.
“KMShK bën thirrje që raportimet të bëhen kujdesshëm, të jenë korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës”. (këtu)
Megjithatë, siç do të shihet më vonë nga verifikimet teknike, ky vlerësim i KMShK-së, se imazhi është gjeneruar me AI, nuk mund të konfirmohet me siguri të plotë.
Hibrid.info ka përdorur disa platforma për verifikimin e autenticitetit të imazhit, me qëllim të përcaktimit nëse fotografia është reale, e gjeneruar me inteligjencë artificiale apo është manipuluar përmes aplikacioneve të tjera të editimit.
Megjithatë, rezultatet nuk japin konkluza të prera.
“ImageWhisperer.org” është një platformë për verifikimin e mediave, e cila imazhin e “Fantazmës së Prishtinës” e cilëson si foto reale, por me ndërhyrje – rrjedhimisht imazh të manipuluar.
“Fotografi reale me elemente të edituara. Figura në qendër, këmbët/shputat e figurës”, thuhet në rezultatet e ofruara nga “ImageWhisperer”.

Ndërkaq, platforma tjera që përdoren për detektimin e përdorimit të AI-së nëpër imazhe, si “HiveModeration”, “WasitAI”, japin rezultate të ndryshme. E para thotë se potenciali që imazhi të jetë gjeneruar me AI është 25.5%, kurse e dyta thotë se nuk është gjeneruar me AI.


Rrjedhimisht, fotoja e publikuar më 10 janar nëpër rrjete sociale, nuk mund të thuhet me saktësi nëse është krijuar me inteligjencë artificiale apo me ndonjë aplikacion tjetër për ndërhyrje në foto.
Ndërkaq, imazhet tjera që kanë pasuar atë të 10 janarit janë konstatuar se janë krijuar me platforma për gjenerim të imazheve me AI.
Aspekti sociologjik i shpërndarjes së këtij imazhi
Për imazhin në fjalë është deklaruar edhe sociologia Ambera Kelmendi në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova. Ajo e quajti shqetësues si fenomen përdorimin e këtij karakteri, si marketing e humor, megjithatë sipas saj, fëmijët dhe njerëz të caktuar si shtatzënat, apo dikush tjetër, mund të kishin pësuar trauma nga frika.
“Ne jemi popull që jemi mësuar të jemi gjithmonë nën tension të diçkaje, dhe besojmë gjithçka që na servohet. Mua më ka shqetësuar, shqetësimi i fëmijëve. Mendova që natën munden me i pas prindërit në ndërrimin e dytë ose të tretë të punës, munden me qenë për 1 orë ose 2 vetëm nëpër shtëpitë e tyre. I mendova disa nëna shtatzëna që munden me dalë me kry punë në orët e vonshme të mbrëmjes ”, tha ajo.
Ndërkohë, pamja e figurës së përhapur në rrjet ka nxitur edhe krahasime me krijesa mitologjike.
“Fantazma e Prishtinës” dhe Centauri
Centauri (Kentauri) është një krijesë mitologjike nga legjendat greke, e paraqitur me kokën, krahët dhe bustin e një njeriu të bashkuar me trupin dhe këmbët e një kali. Ai shpesh simbolizon egërsinë dhe instinktin, por edhe urtësinë dhe dijen.
Rëndësia e verifikimit para publikimit
Rasti i ashtuquajtur “Fantazma e Prishtinës” është një shembull i qartë se sa shpejt mund të përhapen informacione të paverifikuara, sidomos kur ato shoqërohen me imazhe që ngjallin frikë, kureshtje apo sensacion. Në një kohë kur rrjetet sociale dhe mjetet e inteligjencës artificiale po përdoren gjithnjë e më shumë për krijimin dhe manipulimin e përmbajtjeve, përgjegjësia për raportim të saktë bëhet edhe më e madhe.
Mediat, por edhe vetë përdoruesit e rrjeteve sociale, duhet të ndalen një hap më parë përpara se të publikojnë apo shpërndajnë materiale të tilla. Verifikimi i burimit, krahasimi i informatave nga më shumë se një burim i besueshëm, si dhe kërkimi i sqarimeve zyrtare janë hapa të domosdoshëm për të shmangur keqinformimin. Publikimi i pretendimeve të pakonfirmuara, pa fakte dhe pa kontekst, jo vetëm që cenon etikën profesionale, por mund të shkaktojë frikë dhe shqetësim të panevojshëm te qytetarët.
Në fund, ky rast duhet të shërbejë si kujtesë se besueshmëria ndërtohet me kujdes dhe përgjegjësi. Raportimi korrekt, i bazuar në fakte dhe i verifikuar, mbetet mënyra e vetme për të informuar drejt publikun dhe për të ruajtur besimin e publikut në media dhe në informacionin që qarkullon në hapësirën publike.