Në Shqipëri qe dy javë me anë të protestave po kundërshtohet një projekt i madh turistik në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, pranë Vlorës. Aty parashikohet ndërtimi i hoteleve dhe vilave luksoze me vlerë miliarda euro dhe si projekt është i lidhur me investitorë të huaj, përfshirë plane të mëhershme të përmendura të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Banorët, aktivistët dhe shoqëria civile po protestojnë kryesisht për shkak të ndikimit të mundshëm në mjedisin e ndjeshëm të zonës, kontesteve të pronësisë së tokës, si dhe mungesës së transparencës rreth projektit dhe mënyrës së miratimit të tij (shih këtu).
Hibrid.info ka trajtuar në dy artikuj përmbajtje keqinformuese që lidhen me ngjarjet nga kjo protestë (shih këtu dhe këtu).
Megjithatë, edhe pas trajtimit, keqinformatat e njëjta dhe të tjera që lidhen me këto protesta, kanë qarkulluar dhe po vazhdojnë të përhapen në hapësirën digjitale. Ky artikull paraqet disa nga rastet e keqinformimit për këto protesta, të cilat janë ndërlidhur me figura politike në Kosovë ose janë shpërndarë nga publikues me ndikim të konsiderueshëm në Kosovë.
Thirrjet e pretenduara pro-Kurti në protesta
Një tjetër pretendim i trajtuar nga Hibrid.info lidhej me një video-material për të cilin pretendohej se gjatë protestave në Shqipëri dëgjoheshin thirrje “Duam Albin Kurtin”. Megjithatë, pas verifikimit të fakteve, u konstatua se në audio dëgjoheshin thirrjet “Ju erdhi fundi”, të drejtuara ndaj qeverisë në Shqipëri.
Edhe në këtë rast, me gjithë trajtimin nga hibrid.info, video-materialet me të njëjtin pretendim po vazhdojnë të qarkullojnë (shih këtu, këtu dhe këtu).
Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, nëse burime kredibile kanë raportuar për thirrje pro-Kurtit në këto protesta, por kërkimi nuk ka sjellë rezultate (shih këtu).
Nuk dihet se prej nga është bazuar, por në emisionin me emrin “Politiko”, që u transmetua të mërkurën (10 qershor), në televizionin “Kanal 10”, në një moment janë ngritur si çështje, thirrjet e pretenduara pro kryeministrit të Kosovës në këto protesta (shih këtu).
Pretendimi i tillë mund të jetë bindës, për shkak të ngjashmërisë fonetike. Fjalitë “Ju erdhi fundi” dhe “Duam Albin Kurtin” kanë një strukturë ritmike dhe gjatësi relativisht të ngjashme. Kur audioja është me zhurmë (siç ndodh zakonisht në protesta), truri i njeriut tenton të plotësojë pjesët e padëgjuara mirë duke u bazuar te teksti që i sugjerohet (shih këtu).

Imazhet e gjeneruara me inteligjencë artificiale
Në njërin artikull të trajtuar nga Hibrid.info, po qarkullonte një fotografi që pretendohej se shfaqte pamje nga protesta, ku shihej një pankartë me portretin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe mbishkrimin: “Kosovë, na jep Albinin për një mandat; Shqipëria ka nevojë për ndryshim”.
Pas trajtimit u vlerësua se imazhi ishte gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Një përmbajtje e tillë edhe pas trajtimit nga hibrid.info, po vazhdon të publikohet në mediat sociale (shih këtu dhe këtu).

Përveç imazheve me figura politike të Kosovës në pankarta, me anë të IA janë gjeneruar edhe pamje të një grumbulli njerëzish buzë bregdetit, përmes të cilave është pretenduar se protesta po zhvillohet në lokacionin ku mendohet të bëhet investimi. Në këtë organizim që shihet në imazh vërehet një prani e simboleve kombëtare dhe shtetërore, duke përfshirë flamurin kombëtar shqiptar, atë të Republikës së Kosovës, si dhe flamurin me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) (shih këtu).

Këto pretendime janë shoqëruar me imazhe që duken si dëshmi vizuale e një ngjarjeje reale. Studimet tregojnë se fotografitë tërheqin më shumë vëmendje dhe mund të rrisin ndikimin e mesazhit krahasuar me tekstin e vetëm, duke i bërë pretendimet e lidhura me to më të besueshme për publikun (shih këtu).
Pretendimi se Kushner do të tërhiqet nga investimet në Sazan
Pretendimi tjetër ishte se dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, një prej investitorëve të lidhur me projektin, do të tërhiqet nga një resort i projektuar në Sazan dhe simotra e tij në Zvërnec, për ta dërguar investimin në ishullin grek Mykonos.
Ky pretendim erdhi nga një postim në “X” në llogarinë e Fitim Çeku, një gazetar nga Kosova, i cili menaxhon me “Gazzetta Journal”, një faqe në Facebook (shih këtu). Pavarësisht paralajmërimit, në llogarinë e gazetarit në fjalë, nuk janë publikuar detaje shtesë për këtë çështje.

Pretendimi më pas u postua nga një deputet i Partisë Socialiste për Vlorën, Ardit Bido. Për këtë arsye ky pretendim u trajtua nga “Faktoje.al”, kontrollues i fakteve me bazë në Shqipëri. Verifikimi konstatoi se deri në momentet e publikimit të trajtimit, pretendimi për tërheqjen e Jared Kushner nga investimet në Sazan, nuk kishin ndonjë bazë reale (shih këtu).
Imazhi me një person pranë një makine me targa të Beogradit
Një imazh që shfaq një person afër një makine që mban targën e Serbisë, u publikua në Facebook në llogarinë e Taulant Ballës, kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë (shih këtu). Balla në mbishkrimin e postimit pretendoi se bëhej fjalë për protestues të ardhur nga Serbia në Zvërnec.
Pretendimi i Ballës u publikua si lajm nga mediumi në gjuhën shqipe “Koha Jonë” (shih këtu). I njëjti imazh me të njëjtin pretendim është publikuar nga opinionistë në Kosovë (shih këtu dhe këtu).

Pretendim tjetër që u përhap në lidhje me këtë imazh, ishte ai i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Agron Shehajt, i cili demantoi pretendimin e Ballës dhe tha se makina i përkiste gazetarëve të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve “Reuters”, të cilët kishin ardhur në Zvërnec (shih këtu).
Ky pretendim u paraqit si lajm në portalin dhe në faqen në Facebook me emrin “Mekuli Press” (shih këtu dhe këtu).
Por, hibrid.info vërejti se nga kjo fotografi, e vetmja gjë që mund të vërtetohet është prania fizike e një automjeti me targa të Beogradit dhe një personi pranë tij në një terren të hapur. Çdo interpretim tjetër rreth personave që udhëtonin në të, qëllimit të qëndrimit apo pronësisë aktuale të automjetit nuk mund të vërtetohet vizualisht nga kjo fotografi.
Përfundimi
Në mjedisin e sotëm digjital, ku materialet vizuale mund të krijohen apo të interpretohen pa ndonjë bazë reale, mbështetja vetëm në burime të verifikueshme dhe kredibile mbetet rruga e vetme për të shmangur keqinformimin. Ky rast nënvizon rëndësinë e verifikimit të përmbajtjeve audio-vizuale përpara se ato të bëhen pjesë e diskutimit publik. Përhapja e mëtutjeshme e materialeve, edhe pasi ato janë deklaruar si të pasakta, tregon se trajtimi fillestar shpesh nuk mjafton për të ndalur qarkullimin e tyre nëse nuk ka një kujdes të shtuar nga vetë publikuesit dhe mediat me ndikim. Prandaj, ndarja e qartë mes asaj që mund të vërtetohet faktikisht dhe interpretimeve të njëanshme është thelbësore për të ruajtur saktësinë e informimit publik.