Shkroi: Festim Rizanaj
Faqja në Facebook “Lajme Nga Bota” ka publikuar sot, 10 mars, një imazh me pretendimin se tregon sulmet e Iranit mbi Tel Aviv, si hakmarrje për një sulm amerikan-izraelit ndaj Teheranit një ditë më parë.
Pas verifikimit të imazhit në disa platforma të specializuara për detektimin e përmbajtjeve të krijuara me inteligjencë artificiale (AI), rezultoi se fotografia është gjeneruar nga AI.
Verifikimi i imazhit
Disa platforma të specializuara për verifikimin e përmbajtjeve dixhitale konfirmuan se imazhi është krijuar me inteligjencë artificiale.
Hive Moderation sugjeroi se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale me 99.6% siguri, ndërsa Imagewhisperer.com raportoi gjithashtu se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale, me besueshmëri shumë të lartë.
Në platformën Sightengine, fotografia u vlerësua si “me shumë gjasa e krijuar nga inteligjenca artificiale” me 99% siguri, ndërsa analiza në InVID tregoi 81% shanse që të jetë gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Analiza vizuale evidentoi disa shenja që mbështesin këtë përfundim: gjurmët e dritës, që supozohet të jenë raketa ose projekte, janë tepër vertikale dhe të hollë, duke mos përputhur me fizikën e dritës në fotografi reale me ekspozim të gjatë; tymrat duken të përsëritura dhe me teksturë “të butë”, ndryshe nga tymi i kaotik i vërtetë; ndërtesa në plan të parë ka deformime arkitekturore të vogla.
Gjithashtu, pamja që shfaqet në ekranin e telefonit nuk përputhet me skenën që supozohet të filmohet, një gabim i zakonshëm në imazhet e krijuara me AI.

Analiza:
Imazhi i publikuar nga llogaria në Facebook “Lajme Nga Bota” më 10 mars, që pretendon të tregojë sulmet e Iranit mbi Tel Aviv si hakmarrje për një sulm amerikan-izraelit ndaj Teheranit, është i gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Këtë e sugjerojnë verifikimet në platforma të specializuara, si dhe disa deformime vizuale dhe elemente të pazakonta në imazh.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.



