Shkroi: Fatbardh Dema
Në Facebook është postuar një video në të cilën shihen një turmë njerëzish në qendrën tregtare “Abi Çarshia” në Prizren, ndërsa dëgjohen thirrjet “Albin Baba” dhe një pjesë e një fjalimi të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.
“Kryeministri Albin Kurti: “Baba, po me dalë në zgjedhje. Por jo veç baba, edhe djemtë, edhe vajzat, edhe nënat, edhe dajët, edhe hallat, edhe tezet, edhe kushërinjtë e të gjitha anëve. Me dalë me 9 shkurt e me votu VETËVENDOSJE!-n, e numrin 118, që është e vetmja zgjidhje e zgjedhje e vërtetë”. #cepmëcep” është përshkrimi i vendosur nga faqja në Facebook, “KosovaPost.net”. Kjo ishte pjesë e deklaratës që dëgjohet nga Kurti.

Cila është e vërteta?
Audioja nuk është origjinalja në video. Ajo është marrë nga një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri në fushatën elektorale, ndërsa pamjet janë incizuar gjatë një koncerti të mëhershëm në Prizren dhe s’ka të bëjë me tubim politik në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Hibrid.info ka verifikuar audioincizimin dhe ka gjetur se fjalimin në fjalë Kurti e ka mbajtur më 20 janar, gjatë fushatës. (shih këtu nga minuta 59)
Ndërsa për të vërtetuar se videoja ishte nga më herët, hibrid.info përmes një sekuence të videos së publikuar nga “KosovaPost.net” ka gjetur disa materiale të ngjashme që qarkullojnë në media sociale, si TikTok dhe Facebook. Ndërkohë në faqen e “Abi Çarshia” në Facebook, në një postim të 31 dhjetorit konfirmohet se ishte përmbyllur sezoni i koncerteve të fundvitit. (Shih këtu) Bazuar në të gjitha postimet e kësaj faqeje pas lajmërimit për përfundim të koncerteve, nuk ka pasur ndonjë njoftim për tubim elektoral apo koncert tjetër.
Nga krahasimi i videove të gjetura në TikTok dhe asaj të publikuar nga “KosovaPost.net” mund të vërehen ngjashmëri që konfirmojnë se pamjet janë nga koncertet e para vitit të ri. E se nuk janë në kohë fushate tregon edhe fakti se aty nuk ka flamuj apo simbole partiake, siç ka rëndom nëpër tubime partiake.
Ndërkohë Vetëvendosje ka mbajtur tubimin në Prizren më 17 janar në palestrën “Sezai Surroi”. (Shih këtu). E kjo parti nuk ka pasur ndonjë njoftim se ka mbajtur tubim në “Abi Çarshia”.
Videoja e publikuar nga “KosovaPost.net” ka qarkulluar disa ditë më herët në median sociale TikTok, por tani është publikuar nga faqja në Facebook e një portali informativ që është i regjistruar në Kosovë, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK).
Analiza:
Faqja në Facebook e portalit informativ “KosovaPost.net” ka publikuar një video në të cilën shihet një turmë njerëzish në qendrën tregtare “Abi Çarshia” në Prizren. Në video dëgjohet teksa flet kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se audioja është mbivendosur në video. Teksa videoja është gjetur se daton nga koncertet që kjo qendër i mbajti para vitit të ri, audioja është marrë nga fjalimi i Kurtit më 20 janar në tubimin e Vetëvendosjes në Vushtrri, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.