Të fundit | Videoja e lidhur me zgjedhjet, e gjeneruar me IA Të fundit | Me video të dhjetorit manipulohet për ardhjen e diasporës për zgjedhjet e 7… Të fundit | Imazhi me pankartën për Kurtin nga protestat në Tiranë është i gjeneruar me… Të fundit | Petkoviq konspiron për favorizim të Rashiqit në rastin e arrestimit në fsha… Të fundit | Analizë e thirrjeve politike nga Vuçiq dhe Petkoviq për votim në favor të L… Të fundit | Narrativat e mediave dhe zyrtarëve serbë për fushatën zgjedhore në Kosovë:… Të fundit | ZKQS e paraqet si rast të lidhur me fushatën zgjedhore një incident që ndod… Të fundit | E drejta e fëmijës mbi të drejtën e BABËS Të fundit | Pa fakte pretendohet se një sondazh parazgjedhor u krye nga LVV Të fundit | Kornizim i fushatës zgjedhore në Kosovë nga mediat ruse në serbisht
[ ARTIKULLI ]

Narrativa e pabazuar krahasuese Grenlandë–Kosovë nga Serbia dhe Rusia

HIBRID

Shkroi: Festim Rizanaj

Në diskursin politik dhe mediatik serb, së fundmi është rikthyer një narrativë e njohur: pretendimi se Perëndimi zbaton standarde të dyfishta të së drejtës ndërkombëtare, duke mbrojtur integritetin territorial të disa shteteve (Ukraina, Danimarka/Grenlanda), ndërsa e ka shkelur atë në rastin e Serbisë përmes pavarësisë së Kosovës.

Kjo narrativë është riaktualizuar duke e ndërlidhur çështjen e Grenlandës me Kosovën, me synimin për të rihapur debatin mbi legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës dhe për ta paraqitur atë si “precedent të rrezikshëm”.

Shtjellimi i narrativës ndërlidhëse Grenlandë – Kosovë

Narrativa kryesore që përçohet në tekstin e publikuar në përditshmen serbe, “Politika”, ndërtohet mbi idenë e standardeve të dyfishta të Perëndimit në zbatimin e së drejtës ndërkombëtare, duke pretenduar se ai mbron me ngulm integritetin territorial të Ukrainës dhe parimet e Kartës së OKB-së, ndërsa i ka injoruar këto parime në rastin e Kosovës, e cila paraqitet si shkelja e parë e tyre përmes ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe njohjes së mëvonshme të pavarësisë.

Në këtë kuadër, çështja e Grenlandës përdoret si paralelizëm politik për të argumentuar se çdo kundërshtim ndaj ndryshimit të statusit të saj bie ndesh me veprimet e mëparshme të Perëndimit në Kosovë. Ndërsa Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit paraqitet si dokument i injoruar që, sipas kësaj narrative, do ta përjashtonte çdo zgjidhje tjetër përveç sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën, duke krijuar kështu përshtypjen se Kosova dhe Grenlanda janë raste të krahasueshme dhe se Perëndimi po vepron në mënyrë hipokrite.

Në të njëjtën linjë kishte reaguar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila e paraqiti deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, në mbështetje të sovranitetit të Danimarkës mbi Grenlandën, si dëshmi se Bashkimi Evropian, sipas saj, po shmang njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kallas, deklaroi se “BE-ja qëndron në solidaritet me Danimarkën dhe Grenlandën, duke theksuar se Grenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe se çdo ndryshim i statusit të saj varet vetëm nga grenlandezët dhe danezët, ndërsa pret respektim të sovranitetit, integritetit territorial dhe angazhimeve ndërkombëtare sipas Kartës së OKB-së dhe Traktatit të Atlantikut të Veriut”.

Deklarata nuk përmend Kosovën dhe nuk flet për njohje shtetesh, por riafirmon parimin e mosndryshimit të kufijve me presion, megjithatë Maria Zakharova e interpretoi atë si qëndrim të BE-së kundër pavarësisë së Kosovës, duke e nxjerrë jashtë kontekstit, interpretim që u përhap edhe nga media serbe dhe ruse. (këtu, këtu, këtu)

Edhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, u shpreh lidhur me diskutimet për Grenlandën duke tërhequr paralele me Kosovën, teksa ka theksuar se nuk ka asgjë personale kundër askujt për situatën me Grenlandën, por shpreson që “disa prej aktorëve ndërkombëtarë” të kujtojnë të paktën ngjarjet e viteve 2008, 2009 dhe më herët, në 1999, “kur ata fillimisht bombarduan dhe më pas njohën pavarësinë” e Kosovës, duke përdorur kështu rastin e Grenlandës për të relativizuar veprimet e Perëndimit ndaj Kosovës dhe për të forcuar narrativën e standardeve të dyfishta.

Krahasimi i pabazë

Kosova dhe Grenlanda paraqiten në narrativën e analizuar si raste të krahasueshme, por një ballafaqim me faktet tregon se ato janë juridikisht dhe historikisht thelbësisht të ndryshme.

Kosova ishte krahinë autonome brenda Jugosllavisë me status kushtetues, autonomi që iu hoq me forcë në vitin 1989, çka u pasua nga shtypje sistematike, shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe krime të dokumentuara ndaj popullsisë shqiptare, përfshirë spastrim etnik. Pas luftës, territori u vendos nën administrim ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa statusi i tij u trajtua përmes një procesi të gjatë politik ndërkombëtar, i cili u finalizua me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. Në këtë kontekst, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2010 se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare, duke rrëzuar pretendimin se ajo përbën shkelje të rendit juridik ndërkombëtar.

Në të kundërtën, Grenlanda është territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, e cila vetëqeverisjen e parë e fitoi përmes referendumit të vitit 1979, por pa status shteti dhe pa ndonjë proces ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë. Statusi i Grenlandës rregullohet me Aktin e Vetëqeverisjes së Grenlandës (2009), i cili është një marrëveshje vullnetare dhe paqësore me Danimarkën. Në referendumin e vitit 2008, banorët e Grenlandës votuan për zgjerim të mëtejshëm të autonomisë, duke përfshirë kontroll më të madh mbi burimet natyrore dhe të energjisë, si dhe dhënien e statusit të gjuhës zyrtare gjuhës kalaallisut (Grenlandishtes Perëndimore) në vend të gjuhës daneze.

Çështja e Grenlandës në diskursin diplomatik

Çështja e Grenlandës u rikthye fuqishëm në diskursin diplomatik global pas interesit të rizgjeruar të Shteteve të Bashkuara për këtë territor strategjik, duke nxitur debat për sovranitetin dhe rendin ndërkombëtar. Presidenti amerikan Donald Trump ka insistuar se ShBA-ja duhet ta “ketë” Grenlandën për arsye sigurie kombëtare, duke mos përjashtuar madje mundësinë e përdorimit të forcës për ta siguruar atë përballë Rusisë apo Kinës, çka ka shkaktuar reagime të forta në Danimarkë dhe në nivel ndërkombëtar rreth paprekshmërisë së kufijve dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare. 

Kjo prani e theksuar diplomatike u pasua nga emërimi i guvernatorit të Luizianës, Jeff Landry, si i dërguar special për Grenlandën nga Trump, i cili deklaroi se do të punojë për ta bërë ishullin “pjesë të ShBA‑së”, një qëllim që u kritikua ashpër si në Kopenhagë ashtu edhe në Nuuk dhe që krijoi tensione diplomatike me Danimarkën, e cila madje thirri ambasadorin amerikan për shpjegime lidhur me këtë veprim, ndërsa vendet evropiane riafirmuan mbështetjen e tyre për sovranitetin e Grenlandës nën Danimarkë. (këtu, këtu)

Kjo çështje u shfrytëzua nga Rusia dhe Serbia për të zhvilluar narrativa krahasuese me Kosovën, duke e paraqitur veprimin e ShBA-së dhe diskursin rreth Grenlandës si një precedent të dyfishtë të standardeve ndërkombëtare.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere