info@hibrid.info
“Novosti” dhe Petkoviqi e lidhin pa asnjë bazë mosvotimin e qeverisë në Kosovë me përgatitje për luftë
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Më 27 tetor 2025, tabloidi serb “Večernje Novosti” publikoi një artikull me titull: KURTI SE SPREMA ZA RAT JER MU IZMIČE VLAST? — Lider Samoopredeljenja bez većine za novu vladu, zato se naoružava (përkth.: “A po përgatitet Kurti për luftë sepse po i ikën pushteti? – Lideri i Vetëvendosjes pa shumicë për qeverinë e re, prandaj po armatoset”).

Artikulli lidh drejtpërdrejt planet për blerje dhe modernizim të kapaciteteve të sigurisë në Kosovë me faktin politik të ditës: propozimi i Kurtit për përbërjen e qeverisë së re të dielën (26 tetor) nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Artikulli është publikuar edhe në faqen e parë të gazetës më 27 tetor.

Detajet e pretendimit në “Novosti”

“Novosti” pretendon se, për shkak të këtij dështimi parlamentar dhe pretendimit për rënie të pozicionit të tij politik, Albin Kurti po e shfrytëzon rrugën e armatosjes së institucioneve të sigurisë për të “konsoliduar” shtetin e tij dhe për të avancuar një projekt të madh shqiptar, që sipas gazetës do të rezultonte në “një shtet pa serbë” dhe një hap drejt “Shqipërisë së madhe”.

Artikulli lidh mungesën e shumicës parlamentare me rritjen e aktivitetit të qeverisë në fushën e sigurisë: furnizime me dronë, negociata për fabrika municionesh dhe rritje buxhetore për FSK-në.

Sipas tekstit, kjo armatosje është një strategji që shërben për të kompensuar humbjen e legjitimitetit politik të Kurtit dhe për të forcuar pozicionin e tij në terren.

Artikulli citon deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq, si mbështetje politike për këtë interpretim.

Çka tha Petkoviqi për dështimin e votimit të qeverisë në Kosovë?

Deklarata e Petar Petkoviqit është një reagim i drejtpërdrejtë politik dhe propagandistik ndaj fjalimit të fundit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Në këtë komunikatë, Petkoviq e akuzon Kurtin se e ka ndërtuar të gjithë programin e tij politik mbi “urrejtjen ndaj gjithçkaje serbe”, duke e përshkruar si “nxitës të parealizuar të luftës” dhe si figurë që synon “terrorizimin dhe persekutimin e serbëve në Kosovë”. Ai e cilëson fjalimin e Kurtit si “tendencioz dhe të dështuar”, duke pretenduar se me këtë Kurti ka treguar “rënien e tiranisë së tij”.

Petkoviq përdor një gjuhë të ashpër akuzuese për të ndërtuar narrativën se “kërcënimi i vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon” është Kosova dhe “matrica e Shqipërisë së madhe”, ndaj së cilës Kurti, sipas tij, është “besnik verbërisht”. Ai e mbyll deklaratën me mesazhin se Beogradi do të vazhdojë “politikën e paqes dhe ndihmën për serbët në Kosovë”, ndërsa nënvizon se “Kurtin e kanë ndëshkuar edhe vetë votuesit e tij”.

Në thelb, deklarata e Petkoviqit është pjesë e një strategjie të vazhdueshme komunikimi të Beogradit, që synon ta paraqesë Kurtin si figurë radikale dhe Kosovën si destabilizuesin kryesor të rajonit.

Pretendimet përballë fakteve

Armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është pjesë e një procesi ligjor dhe të njohur ndërkombëtarisht për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe nuk lidhet me zhvillimet politike të brendshme, përfshirë mosvotimin e formimit të qeverisë. Furnizimet me armë dhe pajisje ushtarake janë bërë përmes marrëveshjeve dypalëshe me shtete të NATO-s dhe në përputhje me Ligjin për FSK-në, që përcakton funksionin e saj ekskluzivisht mbrojtës.

Rezoluta 1244 nuk e pengon furnizimin me armë të Kosovës. Megjithëse ajo ruan kornizën e përkohshme ndërkombëtare të sigurisë. Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë dhe ka siguruar njohje ndërkombëtare, si dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe ushtarake dhe për armatim me shtete anëtare të NATO-s. (shih këtu dhe këtu).

Blerja e dronëve nuk e cenon mandatin e KFOR-it dhe nuk përbën militarizim të ndaluar. Sipas Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK-ja ka disa kompetenca dhe disa parime. Në to përfshihen vetëm aspektet e mbrojtjes së sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe të interesave të Kosovës.

Kosova, marrëveshjet për blerje armësh me shtete të NATO-s i ka bërë tash e sa vjet, qëkur u miratuan tri ligje në dhjetor të vitit 2018 për transformimin e FSK-së në ushtri. Pak pas miratimit të ligjeve për transformim më 2018, Kosova u furnizua me automjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Kosovë kishin ardhur disa automjete të tipit “Humvee”. Qeveria pati nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane “AM General”. 27 automjete ushtarake ishin donacion nga ShBA-ja e 24 ishin blerë nga Kosova. (shih këtu)

Në gusht të vitit 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës edhe 55 automjete të tipit ASV (Armoured Security Vehicle) (shih këtu). E ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në një shkrim në Facebook të enjten (9 tetor, 2025) ka thënë se për blerjen e kapaciteteve strategjike është shfrytëzuar sistemi i blerjes “shtet me shtet, në përputhje me praktikat e NATO-s” (shih këtu).

Asnjëherë nuk ka pasur raportime në mediat ndërkombëtare, e as ndonjë raport nga institute kredibile ndërkombëtare, se Forca e Sigurisë së Kosovës ka cenuar stabilitetin në rajon.

KFOR-i është misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë. Trupat e tij kanë për mandat të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare (Shih këtu).

Pas tranzicionit të FSK-së në ushtri nëpërmjet ligjeve, kryeministri i atëkohshëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se “FSK-ja nuk do ta zëvendësojë KFOR-in” e se FSK-ja është e gatshme të shërbejë bashkë me forcat e KFOR-it.

ShBA-ja e pati konsideruar të drejtë sovrane të Kosovës transformimin e FSK-së në forcë “me mandat për mbrojtje territoriale” (shih këtu).

Rrjedhimisht, pretendimet e “Novosti”-t dhe Petkoviqit për përgatitje lufte nuk mbështeten në fakte, por përbëjnë vazhdim të narrativave dezinformuese që synojnë paraqitjen e Kosovës si faktor destabiliteti në rajon.


Ndërsa, narrativi i “Shqipërisë së madhe” shpesh përdoret nga mediat në gjuhën serbe dhe zyrtarët serbë për të kritikuar apo portretizuar si kërcënim çdo ngjarje, festë apo iniciativë ndër-shqiptare, duke i interpretuar si përpjekje për bashkimin e territoreve me shqiptarë në një shtet të vetëm. Ky narrativ shfaqet veçanërisht në kontekste që lidhen me simbolet dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Për më tepër, ky narrativ është shpesh i pranishëm gjatë ngjarjeve që simbolizojnë forcimin e lidhjeve ndër-shqiptare, si festa kombëtare, përkujtimore dhe takime zyrtare që kanë si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rajon. (shih këtukëtukëtu dhe këtu)


Analiza:

Gazeta serbe “Večernje Novosti”, në një artikull të publikuar më 27 tetor, me titullin “Kurti se sprema za rat jer mu izmiče vlast?”, ka pretenduar se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po përgatitet për luftë pasi po humb pushtetin. Artikulli, i cili përmend edhe faktin se propozimi i Kurtit për formimin e qeverisë së re nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve, e lidh situatën politike me “strategjinë e armatosjes” së Kosovës. Sipas “Novosti” dhe deklaratave të drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, armatosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po përdoret si mjet për “realizimin e misionit ideologjik të Kurtit – krijimin e ‘Shqipërisë së madhe’ dhe dëbimin e serbëve nga Kosova”.

Në fakt, armatosja e FSK-së është pjesë e një procesi ligjor dhe transparent, të mbështetur nga shtetet e NATO-s, që ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Ky proces është i parashikuar me Ligjin për FSK-në dhe nuk ka lidhje me zhvillimet e brendshme politike apo me mosvotimin e qeverisë së re. Pretendimet e “Novosti” dhe Petkoviqit për përgatitje lufte nuk mbështeten në fakte, por përbëjnë vazhdim të narrativave dezinformuese që synojnë paraqitjen e Kosovës si faktor destabiliteti në rajon.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e konsideron si “Teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others