info@hibrid.info
Peci s’ka paralajmëruar grup të ri parlamentar nëse LVV nuk e mbështet Osmanin për presidente
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh në të cilin shihet Faton Peci, bashkëkryetar i partisë GUXO, njëherësh kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, me një mbishkrim që pretendon kushtëzimin e zgjedhjes së presidentes së Kosovës. “Faton Peci, nese Albini nuk ja bene votat Vjosa Osmani, lista guxo largohet nga vetvendosja me 15 deputet, e beme grupin parlamentar vete.”, thuhet në mbishkrim.

Kjo përmbajtje është publikuar të enjten (8 janar) në Facebook, nga një faqe me emrin “TV Prishtina”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info gjeti se një deklaratë e Pecit për mundësinë e krijimit të grupit parlamentar nga partia GUXO, është manipuluar në këtë përmbajtje.


Deri në momentin e trajtimit ky postim ka marrë mbi 460 pëlqime dhe mbi 380 komente, nga përmbajtja e të cilave mund të vlerësohet se audienca ka mundësi ta perceptojë pretendimin e trajtuar si të vërtetë.


Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, me fjalët “faton peci grup parlamentar”, duke kontrolluar për përmbajtjet e shtatë ditëve të fundit (shih këtu). Nga rezultatet e kërkimit u gjet një video-material, i publikuar të mërkurën (7 janar) në faqen në Facebook të mediumit “KlanKosova”, me titullin: “A do të krijoj GUXO grup parlamentar më vete, ndaras nga VV-ja? – BEFASON Faton Peci: Mundet edhe me pas… (shih këtu)”

Videoja është shkëputur nga një intervistë e Pecit, në emisionin “D.P.T Fidani”, që transmetohet në televizionin “Klan Kosova”.

Në këtë përmbajtje shfaqet përgjigjja e Pecit, në pyetjen për krijimin e mundshëm të një grupi parlamentar të GUXO, subjekt politik që garoi në listën e koalicionit bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe parti të tjera.

Përgjigjja e transkriptuar e Pecit në pyetjen rreth formimit të grupit parlamentar nga Guxo:

“E jona është me e pa tani qysh funksionon. Duhet ma së pari me i ulë deputetët, me e pa mënyrën se qysh funksionon Kuvendi. Nëse na vlerësojmë se ta zëmë qeverisjes i kontribuon dy grupe parlamentare, mundet edhe me pasë grup të ri parlamentar. Por, gjithçka duhet me shku mbi bazën e një analize, bisedimi, diskutimi do të thotë edhe me partnerët, për shkak se nuk është korrekte me thanë ‘ne u futëm në listën e juaj (Lista e VV-së) tash jemi bëmë deputetë, po bëjmë grup parlamentar’. Duhet me u vlerësu, a është më e dobishme funksionalisht edhe në prezantim të pikëpamjeve, ideve, apo bindjeve tona, çka besojmë, themelimi i grupit.”

Pra, në bazë të këtij video-materiali, vërtetohet se Peci nuk e ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një grupi parlamentar nga partia GUXO, por nuk ka deklaruar se kjo gjë mund të ndodhë nëse Vjosa Osmani nuk votohet për presidente nga LVV.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, hibrid.info ka gjetur një artikull që tregon se Peci është deklaruar në këtë emision për këtë çështje. Faton Peci ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk e zgjedh presidentin deri më 4 mars, vendi automatikisht shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke theksuar se ky nuk është kërcënim, por një konstatim kushtetues dhe ligjor. Ndërsa rreth mundësisë që Vjosa Osmani të zgjidhet presidente edhe për një mandat, ai ka thënë se kjo çështje varet nga marrëveshja mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së (shih këtu).


Partia GUXO në koalicionin me emrin “Lëvizja Vetëvendosje!” për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, kishte 12 kandidatë për deputetë (shih këtu).

Në bazë të rezultateve të votave të numëruara, kandidatët nga GUXO të cilët kanë arritur të marrin votat për deputetë janë: Donika Gërvalla – Schwarz, Nezir Kraki, Jeta Statovci, Haxhi Avdyli, Blerim Gashi, Albena Reshitaj dhe Fatos Geci (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se Faton Peci ka deklaruar formimin e grupit parlamentar nga partia GUXO, nëse Vjosa Osmani nuk mbështetet për presidente nga LVV, nuk është i saktë.

Peci në fakt ka folur vetëm për mundësinë e krijimit të një grupi parlamentar nga GUXO, por nuk e ka lidhur atë me procesin e zgjedhjes së presidentit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply