[email protected]
Pretendim i rremë se Shqipëria ka pagat më të ulëta në botë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një artikulli të publikuar pretendohet se sipas një raporti ndërkombëtar me listën e vendeve me pagat mesatare në mbarë botën, Zvicra prin me pagat më të larta në botë, ndërsa “Shqipëria i paguan punëtorët më së paku”.

Ky artikull u publikua me 6 maj nga portali në gjuhën shqipe që operon në Zvicër “Lecanton27.ch”.

E vërteta?

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info u vërtetua se pretendimi për Shqipërinë është i pasaktë.


Artikulli i publikuar në “Lecanton27.ch”, në fjalitë e para tregohen vendet me pagat më të larta, kur thuhet se, “Zvicra është e para në botë me 7,158 dollarë. Në vendin e dytë është Luksemburgu me pothuajse 1,000 dollarë më pak – ose 6,262 dollarë, ndërsa SHBA-të janë në vendin e tretë me 4,340 dollarë”.

Më pas në përmbajtja fillon të informojë për gjendjen e vendeve të Ballkanit duke e veçuar Shqipërinë, kur thuhet se, “Ndersa vendet ballkanit paguajne shume pak punëtoret, sidomos Shqiperia në vendin e 70-të me 706 dollarë, për cka edhe eksodi eshte me i madh ne ate vend”.

Edhe pse të dhënat numerike për Kosovën mungojnë, teksti më pas jep informata krahasuese sa përket Shqipërisë dhe Kosovës në renditje, duke shkruar se, “Perkunder faktit se Kosoven e ndajne pak vite nga lufta, megjthe ne kete vend punëtoret paguhen mirë, madje me mire se sa ata ne Shqiperi dhe disa vende ne rajon”.

Artikulli vazhdon të tregojë për pagat në Ballkan duke e përmendur se Mali i Zi është në vendin e 54-të me 940 dollarë, Serbia në vendin e 58-të me 876 dollarë, Maqedonia e Veriut në vendin e 68-të me 709 dollarë.

Ndonëse në titull nuk është bërë e qartë, rrjedha dhe përmbajtja e artikullit, lë të nënkuptojë se pretendimi “Shqipëria i paguan punëtorët më së paku”, vlen në krahasim me vendet e Ballkanit.


Por, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar nga portali tjetër në gjuhën shqipe me operim në Zvicër “Albinfo.ch”, në të cilin shihet se Shqipëria renditet në vendin e 70-të me pagë mesatare 705.86 dollarë e Kosova e 80-ta me 564.76 dollarë (këtu). E lista përfshin 124 shtete.

Pas hulumtimit online, u gjet se ky raport u publikua nga Numbeo, platformë online, të cilës i janë referuar të dy këto mediume, e që ofron të dhëna statistikore. (këtu)


Megjithatë, sot (8 maj) në këtë listë Shqipëria është në pozitën e 64-të me pagë mesatare prej 712.31 dollarë, e Kosova e 77-ta (564.12). Shteti shqiptar qëndron më mirë në krahasim edhe me Maqedoninë e Veriut, për një pozitë. Që do të thotë se Shqipëria nuk është shteti me pagat më të ulëta, qoftë në botë, Evropë apo Ballkan.

Ndryshimi i shpeshtë i renditjes së vendeve në këtë tabelë, ndodhë pasi Numbeo funksionon si një platformë e hapur, ku përdoruesit nga mbarë bota raportojnë vazhdimisht çmime, paga, qira, etj.

Sa herë që dikush fut një informacion të ri, algoritmi i Numbeo e përditëson mesataren në kohë reale ose në intervale shumë të shkurtra. (shih këtu)


Analiza:

Pretendimi se Shqipëria i paguan punëtorët më së paku në krahasim me vendet e botës, Evropës apo Ballkanit, i publikuar nga portali “Lecanton27.ch”, del të jetë i pasaktë.

Hibrid.info vërtetoi se të dhënat burimore nga Numbeo e rendisin Shqipërinë në mesin e vendeve me paga më të ulëta, më saktësisht në vendin e 80-të, por jo të fundit, pasi lista përfshin 124 shtete.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply