Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka ndihmuar së fundmi një grua të alivanosur në rrugë.
Pretendimi u publikua nga llogaria “reflektori_”, më 17 shtator (e mërkurë).
E vërteta?
Hibrid.info ka përdorur makinën e kërkimit “Google” me fotografinë e publikuar dhe ka gjetur se bëhet fjalë për një raportim të para katër vjetëve në disa media në gjuhën shqipe. Pra fotografia është e vjetër.

Mbishkrimi në foto:
“Rastësisht, Ekrem Hyseni ndodhet në qytet kur një grua papritur alivanoset. Në mungesë të ndihmës mjekësore, ai tregon humanizëm dhe gjakftohtësi, duke i dhënë ndihmën e parë gruas. Falë ndërhyrjes së tij të shpejtë, gjendja e zonjës përmirësohet.”
Në bazë të shkrimit, lihet të mendohet se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur së fundmi.
Publikimi ka marrë më shumë se 36 mijë shikime deri tash dhe rreth 600 pëlqime.
Si raportohej më 2021 për këtë fotografi?
Kërkimi me fotografi në “Google” çon në një listë të publikimeve. Përmbajtja ishte publikuar më 13 gusht 2021 në disa mediume në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).
Llogaria në fjalë në TikTok publikon vazhdimisht përmbajtje që lidhen me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Së fundmi ka përmbajtje me kandidatët e kësaj partie për kryetarë të komunave, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Analiza:
Paraqitja si ngjarje aktuale nga llogaria llogarisë “reflektori_” në TikTok se kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e 12 tetorit, Ekrem Hyseni, ka ndihmuar një grua të alivanosur në rrugë, është i pasaktë.
Pas verifikimit me “Google”, rezulton se fotografia është e vitit 2021 dhe ishte raportuar nga disa media atë kohë. Pra, materiali i paraqitur është i vjetër, ndërsa në TikTok është shpërndarë sikur të ishte aktual, duke çuar në keqinformim.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Manipulim i fakteve”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.