Shkroi: Festim Rizanaj
Agjencia e lajmeve “EkonomiaOnline.com” ka publikuar të hënën, më 6 tetor 2025, një artikull me pretendimin për një sondazh për zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan, ku thuhet se AAK kryeson, LDK renditet e dyta, ndërsa partitë e tjera mbeten me diferencë të theksuar.

Artikulli i referohet faqes në Facebook “NewsKs”, e cila ka publikuar një imazh me grafikë dhe mbishkrimin: “Ky sondazh, i cili përfshin rreth 800 deri në 1.000 votues, nuk përfshin votat e diasporës. Sipas rezultateve, AAK renditet e para, LDK e dyta, INC e treta, VV e katërta, PSD e pesta, ndërsa PDK e gjashta”.

Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët “Sondazh për zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan”, por nuk është gjetur asnjë publikim nga burime kredibile për këtë sondazh të cilit i mungojnë të dhënat për autorin, institucionin dhe metodologjinë.
Rrjedha e publikimit të “sondazhit”
Të hënën, më 6 tetor 2025, agjencia e lajmeve “EkonomiaOnline.com” ka publikuar një artikull me pretendimin për një sondazh lidhur me zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan, duke iu referuar një postimi të faqes në Facebook “NewsKs”, në të cilin thuhet se AAK kryeson, LDK renditet e dyta, ndërsa partitë e tjera mbeten me diferencë të theksuar.
Ky artikull me sondazh të pretenduar është publikuar të hënën edhe nga portali “GazetaProjekti.com”, me pretendimin se “një sondazh ka arritur në adresë të portalit online Gazeta Projekti”, duke e paraqitur atë si burim informativ pa ofruar të dhëna për autorin, institucionin apo metodologjinë e sondazhit.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes motorit të kërkimit “Google” me fjalët kyçe “Sondazh për zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan”, por rezultatet nuk kanë shfaqur asnjë publikim në media apo burime të besueshme, gjë që tregon se pretendimi për ekzistencën e një sondazhi të tillë nuk mbështetet në fakte apo burime kredibile, dhe se nuk janë ofruar të dhëna për autorin, institucionin apo metodologjinë e sondazhit.
Po ashtu, faqja “NewsKS” nuk ka të dhëna të qarta se kush qëndron prapa saj, nuk përmban informacione rreth menaxhimit apo kontaktit, dhe nuk mund të konsiderohet si portal informativ në kuptimin profesional të fjalës, ashtu siç i është referuar nga agjencia e lajmeve “EkonomiaOnline.com” në artikullin e saj.
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, hibrid.info ka identifikuar disa sondazhe të rreme për kryetarë të komunave të ndryshme (shih këtu, këtu, këtu, këtu).
Analiza:
Agjencia e lajmeve “EkonomiaOnline.com” ka publikuar të hënën, më 6 tetor 2025, një artikull me pretendimin për një sondazh lidhur me zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan, duke iu referuar një publikimi në faqen në Facebook “NewsKs”. Mirëpo i njëjti rezulton të jetë i pabazë sipas fakteve.
Faqja “NewsKs” nuk jep asnjë informacion mbi autorin, institucionin apo metodologjinë e sondazhit, prandaj nuk mund të konsiderohet një burim i besueshëm informativ.
Gjithashtu, kërkimi i kryer nga Hibrid.info në “Google” me fjalët kyçe “Sondazh për zgjedhjet e 12 tetorit në Deçan” nuk ka nxjerrë asnjë publikim nga media apo burime të kredibilitetit të verifikuar, që rrjedhimisht konstatohet se pretendimi për ekzistencën e këtij sondazhi është i pabazë.
Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



