[email protected]
Pretendohet pa fakte se plaçkitja e Postës së Serbisë në fshatin Uglarë vjen si pasojë e ndalimit të dinarit në Kosovë
shape
shape
shape

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka publikuar me datë 3 shkurt një komunikatë lidhur me plaçkitjen e, siç thuhet, zyrës së Postës së Serbisë në fshatin Uglarë afër Fushë Kosovës.

Për rastin e plaçkitjes, ky institucion është deklaruar se veprimi është kryer si “pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Kurtit për heqjen e dinarit në Kosovë” dhe “për të pamundësuar çdo lloj jete normale për serbët”.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në këtë komunikatë, kjo zyrë nuk ofron fakte që e mbështesin pretendimin lidhur me qëllimin dhe kryesit e kësaj vepre.


Vegëza e komunikatës së publikuar në ueb faqen e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë “kim.gov.rs”:

https://kim.gov.rs/lat/v5455.php


Pjesë nga komunikata e publikuar nga kjo zyrë, e përkthyer në shqip:

Shkatërrimi i degës së Postës së Serbisë në Uglarë është pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Kurtit për heqjen e dinarit në Kosovë

Sonte në Uglarë afër Fushë Kosovës, zyra e Postës së Serbisë është plaçkitur dhe më pas është plaçkitur dhe thyer, si pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Kurtit për heqjen e dinarit në Kosovë e Metohi dhe për të pamundësuar çdo lloj jete normale për serbët.

Ekstremistët hoqën video-mbrojtjen nga Posta, vodhën arkën dhe prishën ambientet e këtij institucioni, duke përmbysur tavolina, dollapë, duke thyer dyert…


Kjo komunikatë ka zënë vend edhe në disa media në gjuhën serbe, si “Tanjug.rs”, “Informer.rs” dhe “Novosti.rs”, por që po ashtu të njëjtat nuk e mbështesin me fakte pretendimin se kjo plaçkitje ka ndodhur, siç thuhet, si pasojë e vendimit për ndalimin e valutës zyrtare të Serbisë (dinarit) në Kosovë apo për të pamundësuar jetën normale për serbët.


Kujtojmë që Banka Qendrore e Kosovës, më 17 janar të këtij viti njoftoi se “Rregullorja e Re për Operacionet me Para të Gatshme” ishte miratuar më 27 dhjetor, 2023, ndërsa do të hynte në fuqi më 1 shkurt, 2024. (shih këtu)

Kjo Rregullore, veç tjerash, përcaktonte se “valutë e vetme e lejuar për përdorim për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.


Analiza:

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pretendohet pa fakte se plaçkitja e Postën së Serbisë në fshatin Uglarë afër Fushë Kosovës, është bërë si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarin në Kosovë.

Përveç këtij pretendimi, kjo zyrë pretendon pa ofruar fakte se raste të tilla po ndodhin për të pamundësuar jetën normale për serbët.

Ky institucion nuk ofron ndonjë provë të besueshme lidhur me këto pretendime, dhe se ende nuk dihet qëllimi dhe kryesit e kësaj vepre.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë komunikatë të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë si “Teori Konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others