Të fundit | Çka dihet për pretendimin se mjete ushtarake serbe po lëvizin drejt kufirit… Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të… Të fundit | Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin g… Të fundit | Dhjetë burime që hedhin poshtë teoritë konspirative për 11 Shtatorin Të fundit | Vazhdon narrativa ruso-serbe për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova Të fundit | Mihali nuk ka bërë krahasimin mes Listës Serbe dhe nënkryetarëve të PDK-së… Të fundit | Kur temat sociale bëhen karrem për klikime Të fundit | Mbishkrimet nuk e tregojnë se vendimi për këto shtesa është marrë në Greqi Të fundit | Stërvitjet e KFOR-it paraqiten pabazë si përgatitje për trazira në Kosovë
[ ARTIKULLI ]

Çka dihet për pretendimin se mjete ushtarake serbe po lëvizin drejt kufirit me Kosovën?

HIBRID

Autorë: Fatbardh Dema dhe Etrit Rexhepi

Më 14 shtator, portali informativ “Nacionale.com” ka publikuar një video-material në faqen zyrtare në Facebook, e cila mban përshkrimin “Çfarë po ndodh? Forca të shumta ushtarake serbe në drejtim të kufirit me Kosovën dy ditë para vendimit të Hagës. Një lexues i Gazetës Nacionale, emër i njohur dhe burim i besueshëm e ka nisur një video në redaksinë tonë, ku afër fshatit Ribaric, shihet një autokolonë e gjatë e motorizuar e ushtrisë serbe”.

Më pas kjo video u publikua edhe nga disa faqe tjera në Facebook (shih këtu).

Çka paraqitet në video?

Në këtë video-material shfaqet një kolonë e gjatë mjetesh ushtarake, të cilat lëvizin në një rrugë të ngushtë, të rrethuar me pemë. Në pjesën e dukshme të videos, mjetet ushtarake shfaqen duke lëvizur në drejtim të kamerës.

Pamjet tregojnë disa mjete ushtarake të njëpasnjëshme, por nuk shfaqet ndonjë tabelë rrugore, shenjë identifikuese apo element tjetër i qartë që do të mundësonte përcaktimin e saktë të vendndodhjes ose destinacionit të kolonës. Për këtë arsye, nga vetë videoja nuk mund të përcaktohet nëse kolona po lëvizte në drejtim të kufirit me Kosovën.


Çka dihet?

Gjatë datave 13-15 shtator 2026, Ushtria e Serbisë zhvilloi aktivitete të gjera ushtarake në kuadër të stërvitjes së përbashkët taktike me qitje luftarake “Pobednik 2026”.

Aktivitetet kryesore u zhvilluan në poligonin e përkohshëm ushtarak “Pešter” (Peshter), në zonën e Sjenicës.

Sipas njoftimit zyrtar të Ushtrisë së Serbisë, në fazën përfundimtare të pjesës së parë të stërvitjes në Peshter ishin angazhuar më shumë se 2,000 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe mbi 500 mjete kryesore të teknikës ushtarake.

Në stërvitje morën pjesë njësi të Forcave Tokësore, Forcave Ajrore dhe Mbrojtjes Kundërajrore, si dhe forca speciale dhe të policisë ushtarake.

Sipas të njëjtit burim, në aktivitet u përdorën tanke dhe automjete të blinduara të modernizuara, avionë dhe helikopterë, sisteme raketore, artileri, si dhe platforma pa ekuipazh dhe robotike.


Mjetet ushtarake ishin zhvendosur para stërvitjes

Aktivitetet në Peshter nuk nisën më 13 shtator. Në ditët paraprake, një pjesë e forcave dhe mjeteve ushtarake ishte zhvendosur drejt zonës së poligonit.

Në një raportim të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), më 9 shtator, komandanti i Brigadës së 98-të Ajrore, gjeneral brigade Aleksandar Miliçeviq, tha se ishte bërë zhvendosja e një pjese të forcave dhe mjeteve nga lokacionet e tyre të përhershme drejt zonës së poligonit të përkohshëm “Pešter” (Peshter).

Sipas tij, stërvitja kishte nisur me marshimin e një kompanie të një batalioni të Forcave Tokësore nga zona më e gjerë e Malit Zvornik, ndërsa më pas në zonën e Peshterit ishin sjellë njësi të tjera të Forcave Tokësore dhe forca speciale.

Kjo tregon se lëvizja e mjeteve dhe njësive ushtarake ishte pjesë e përgatitjeve të planifikuara për stërvitjen.


Çfarë ndodhi më 13 shtator?

Më 13 shtator u zhvillua aktiviteti kryesor i stërvitjes “Pobednik 2026” në Peshter.

Sipas RTS, rreth 2,000 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë dhe mbi 500 mjete kryesore të teknikës ushtarake morën pjesë në prezantimin e aftësive të forcave serbe.

Skenari përfshinte veprime të një operacioni luftarak dhe përdorimin e sistemeve të reja dhe të modernizuara.

RTS raportoi gjithashtu se në Peshter u zhvillua prova gjenerale e stërvitjes, ndërsa ndër sistemet që do të prezantoheshin ishin edhe dy sisteme të reja raketore shumëgrykëshe.

Në aktivitetin e 13 shtatorit ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Edhe pse aktiviteti kryesor me qitje luftarake u zhvillua më 13 shtator, aktivitetet e fazës së parë të stërvitjes ishin planifikuar të vazhdonin deri më 15 shtator.

Ushtria e Serbisë njoftoi më 11 shtator se njësitë pjesëmarrëse kishin dalë në terren që nga mesi i javës së kaluar dhe se aktivitetet intensive në poligon do të përfundonin më 13 shtator me stërvitjen e një grupi taktik të përforcuar.


14 shtatori – Dita e Artilerisë

Më 14 shtator, në Serbi shënohet Dita e Artilerisë. Sipas faqes zyrtare të Ushtrisë së Serbisë, 14 shtatori lidhet me fillimin e përgatitjes së artilerisë për depërtimin e Frontit të Selanikut më 14 shtator 1918.

Në të njëjtën datë shënohet edhe Dita e Brigadës së Përzier të Artilerisë.


Deklaratat institucionale

Në njoftimet publike të Policisë së Kosovës dhe Ambasadës amerikane është paralajmëruar për aktivitete dhe demonstrata të mëdha më 16 shtator, ditën kur pritet të shpallet vendimi në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për pasojat e mundshme në qarkullim dhe sigurinë publike (shih këtu dhe këtu).

Në një njoftim tjetër të publikuar më 14 shtator, Policia e Kosovës bëri të ditur se, në lidhje me zhvillimet e parapara për 16 shtator, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve. Policia njoftoi gjithashtu se ka zhvilluar takime koordinuese me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë dhe se, varësisht nga zhvillimet, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura (shih këtu).

Ndërkaq, më 14 shtator, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e trazirave të dhunshme, Rutte theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, ndërsa NATO-ja do të vlerësojë vazhdimisht përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it në përputhje me situatën e sigurisë (shih këtu).

Pra, ndonëse Policia e Kosovës ka përmendur mundësinë që individë apo elemente të caktuara, përfshirë edhe nga jashtë vendit, të tentojnë të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese, në reagimet e Policisë së Kosovës, Ambasadës amerikane dhe NATO-s nuk përmendet ndonjë lëvizje e forcave serbe drejt kufirit me Kosovën apo ndonjë rrezik i drejtpërdrejtë ushtarak nga Serbia. Përkundrazi, deklaratat dhe njoftimet e tyre lidhen me menaxhimin e aktiviteteve dhe demonstratave të planifikuara për 16 shtatorin.


Përfundim

Ajo që dihet nga burimet zyrtare është se 13–15 shtatori përkoi me një periudhë të aktivitetit të shtuar ushtarak të Serbisë.

Në Peshter u zhvillua faza kryesore e stërvitjes “Pobednik 2026”, ku morën pjesë më shumë se 2,000 ushtarë dhe mbi 500 mjete kryesore ushtarake. Para kësaj, një pjesë e forcave dhe mjeteve ishte zhvendosur nga lokacionet e përhershme drejt Peshterit dhe stërvitja kishte përfshirë edhe marshimin e njësive.

Më 14 shtator u shënua Dita e Artilerisë së Ushtrisë së Serbisë, ndërsa aktivitetet e fazës së parë të stërvitjes u zhvilluan në këtë periudhë.

Ndërkohë, deklaratat institucionale të Policisë së Kosovës, Ambasadës amerikane dhe NATO-s, të cituara më lart, nuk përmendin ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë ushtarak nga Serbia apo ndonjë kërcënim të jashtëm ndaj sigurisë së Kosovës.

Këto institucione flasin për masat e sigurisë, demonstratat e mundshme, ruajtjen e rendit dhe stabilitetit, si dhe për mundësinë e incidenteve apo provokimeve gjatë grumbullimeve të mëdha, por jo për ndonjë përgatitje ushtarake serbe ndaj Kosovës.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere