Të fundit | Pretendohet pa bazë se vetëm dy nga ish-krerët e UÇK-së do të lirohen më 16… Të fundit | Deklarata e vjetër e avokatit të Thaçit paraqitet rrejshëm si “lajmi i fund… Të fundit | Çka dihet për pretendimin se mjete ushtarake serbe po lëvizin drejt kufirit… Të fundit | Ambasada e SHBA-së nuk u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të mo… Të fundit | Rishikimi i javës: Përmbajtje manipuluese për zhvillimet në Kosovë, lajm të… Të fundit | Nga “do të lirohet” te “dënim i rëndë”: narrativat e Vuçiqit për procesin g… Të fundit | Dhjetë burime që hedhin poshtë teoritë konspirative për 11 Shtatorin Të fundit | Vazhdon narrativa ruso-serbe për “spastrim etnik” të serbëve nga Kosova Të fundit | Mihali nuk ka bërë krahasimin mes Listës Serbe dhe nënkryetarëve të PDK-së… Të fundit | Kur temat sociale bëhen karrem për klikime
[ ARTIKULLI ]

Pretendohet pa bazë se vetëm dy nga ish-krerët e UÇK-së do të lirohen më 16 shtator

ETRIT REXHEPI

VERDIKTI YNË

DEZINFORMATË

Data e shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-Së është caktuar, por rezultati i procesit gjyqësor ende nuk dihet.

“Për fat të keq vetëm dy nga këta do të lirohen me 16 shtator. Në vendin tonë do të ketë trazira nga mbrenda dhe jashta. Ju lusim qytetarë të nderuar që me datën 16 të mos rrini në turma të mëdha të njerëzve sepse do të ketë luftë qytetare.”

Ky është mbishkrimi i një imazhi të publikuar të hënën (14 shtator) në TikTok, ku shfaqen ish-krerët e UÇK-së, të cilët janë të akuzuar në procesin gjyqësor në Hagë, për krime kundër njerëzimit (shih këtu).

Cila është e vërteta?

Data e shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është caktuar për 16 shtator, por rezultati i procesit gjyqësor ende nuk është bërë i ditur.

Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja në fjalë ka marrë  mbi 66 mijë shikime, mbi 340 pëlqime dhe mbi 40 komente.


Hibrid.info kontrolloi në uebfaqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyres së Prokurorit Special. Aty u gjet njoftimi për datën e shpalljes së aktvendimit në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit (shih këtu).

Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftonin se ky aktgjykim do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00. Sipas njoftimit zyrtar, Trupi Gjykues e kishte caktuar këtë datë duke marrë parasysh vëllimin e provave dhe kompleksitetin e procesit gjyqësor, si dhe nevojën për një vlerësim të plotë dhe të arsyetuar të provave.

Në njoftim, gjykata e tregonte datën e shpalljes së aktgjykimit dhe jo rezultatin e tij.


Gjithashtu në hulumtimin tutje, në asnjë nga burimet zyrtare të këtij institucioni, nuk bëhet i ditur paraprakisht përmbajtja e aktgjykimit (shih këtu).


Hibrid.info ka kontrolluar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe vërejti se sipas Nenit 43 (Aktgjykimi) të Ligjit për Dhomat e Specializuara, Trupi Gjykues është i vetmi autoritet kompetent që merr dhe shpall aktgjykimet, si dhe shqipton dënimet ndaj personave të shpallur fajtorë për krimet në juridiksionin e kësaj gjykate.

Ky nen përcakton qartë se aktgjykimi merret nga shumica e gjyqtarëve dhe shpallet publikisht, i shoqëruar me arsyetimin me shkrim dhe mendimet përkatëse.

Ndërsa, Nenit 31 (Pavarësia e gjyqtarëve) i këtij ligji, përcakton se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara gëzojnë pavarësi të plotë në ushtrimin e funksioneve të tyre, duke vepruar ekskluzivisht në kapacitet individual pa lejuar asnjë lloj ndërhyrjeje apo veprimtarie që cenon besimin në paanësinë e tyre.

Ky nen shpjegon se vendimmarrja e tyre është tërësisht e mbrojtur nga çdo ndikim i jashtëm apo spekulim publik, çka e bën çdo pretendim se rezultati i gjykimit mund të dihet apo të parashikohet nga jashtë plotësisht të pabazuar dhe në kundërshtim me vetë parimet e pavarësisë gjyqësore.

Deklaratat institucionale

Në njoftimet publike të Policisë së Kosovës dhe Ambasadës amerikane është paralajmëruar për aktivitete dhe demonstrata të mëdha më 16 shtator, ditën kur pritet të shpallet vendimi në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për pasojat e mundshme në qarkullim dhe sigurinë publike (shih këtu dhe këtu).

Në një njoftim tjetër të publikuar më 14 shtator, Policia e Kosovës bëri të ditur se, në lidhje me zhvillimet e parapara për 16 shtator, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve. Policia njoftoi gjithashtu se ka zhvilluar takime koordinuese me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë dhe se, varësisht nga zhvillimet, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura (shih këtu).

Ndërkaq, më 14 shtator, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përkushtimi i Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë do të mbetet i pandryshuar, pavarësisht zhvillimeve që mund të pasojnë aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e trazirave të dhunshme, Rutte theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, ndërsa NATO-ja do të vlerësojë vazhdimisht përbërjen dhe vendosjen e trupave të KFOR-it në përputhje me situatën e sigurisë (shih këtu).

Këto paralajmërime institucionale lidhen me masat e sigurisë dhe menaxhimin e tubimeve të paralajmëruara për 16 shtatorin, por nuk mund të interpretohen si dëshmi se rezultati i procesit gjyqësor dihet paraprakisht. Vendimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së do të bëhet i ditur vetëm me shpalljen e aktgjykimit.

Analiza

Një imazh i publikuar në TikTok më 14 shtator paraqet ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të shoqëruar me mbishkrimin se “vetëm dy do të lirohen” dhe se do të ketë “luftë qytetare”.

Verifikimi dëshmon se Dhomat e Specializuara kanë caktuar vetëm datën e shpalljes së aktgjykimit (16 shtator 2026) dhe nuk kanë publikuar asnjë rezultat paraprak, duke e bërë vendimmarrjen plotësisht të panjohur dhe të mbrojtur me ligj.

Ndërkohë, paralajmërimet e institucioneve të sigurisë janë vetëm masa standarde për menaxhimin e tubimeve.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen e trajtuar si “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere