Të fundit | Aterimi i “Ruslan”-it në Prishtinë nuk lidhet me armatosjen në kuadër të ba… Të fundit | Përmes një fotografie të vjetër pretendohet rrejshëm se nën organizimin e R… Të fundit | Pretendim i rremë se qeveria ndau 11 milionë euro për qytetarët Të fundit | Pretendim i pakonfimuar se Kurti i kërkoi Bondsteel-it të paguajë qira Të fundit | Narrativa serbe se  Kurti do ta ndërtojë fushatën në “politikë anti-serbe”,… Të fundit | Profilet e rreme online si sulm kibernetik apo manipulim digjital i opinion… Të fundit | Himni i BE-së në videon e Kurtit paraqitet rrejshëm si himni i Maqedonisë s… Të fundit | Pretendim i rremë se gazetari gjerman Tiede ka bërë deklaratë për Kurtin dh… Të fundit | Pretendohet rrejshëm se u realizua një sondazh në Prishtinë për partitë pol… Të fundit | Rishikimi i javës: Lajme të rreme dhe dezinformata për zgjedhjet dhe figura…
[ ARTIKULLI ]

Spiropali nuk ka thënë se Vjosa Osmani e Edi Rama i bënë puç Albin Kurtit

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Në media sociale është pretenduar se ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë për “Top Channel” se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i kanë bërë puç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pretendimi u publikua nëpërmjet një videoje nga faqja “Atalanta-Shqip” (arkivuar) në Facebook më 11 mars, me titull: “LAJMI I FUNDIT Elisa Spiropali ne Top Channel Tregon se sj Vjosa Osmani me Edi ramen I ben puq Albin Kurti”.

Videoja përmban fotografi të mëhershme të të katër udhëheqësve institucionalë.

E vërteta?

Pretendimi nuk është i bazuar në fakte. Spiropali nuk ka dhënë deklaratë të tillë, kurse audioja në video është e gjeneruar me inteligjencë artificiale (IA).

Përmbajtja që dëgjohet në video:

Si e tradhtoi Vjosa Osmani Albin Kurtin, personin që e bëri presidente dhe e ngriti figurën e saj? Ajo e tradhtoi Albin Kurtin duke bashkëpunuar pas shpinës së tij me Edi Ramën dhe Richard Grenellin. Ajo kishte takime të fshehta me ta në vilën e Edi Ramës në Surel, e cila është e ndërtuar krejt nën tokë, si një lloj bunkeri. Ajo gjithashtu kishte takim me Richard Grenell dhe Marko Gjuriq. Pjesë e takimit ishte edhe Elisa Spiropali. Thuhet se në vizitën e fundit në Kosovë para një jave, Elisa Spiropali i tregoi Albin Kurtit planin që po përgatiteshin për rënien e tij nga pushteti dhe pas dy ditësh Edi Rama e shkarkoi. Vjosa Osmani kjo lakmitare e milionave.


Pretendimi ka grumbulluar më shumë se 90 mijë shikime për më pak se një ditë që nga publikimi. Ai ka marrë edhe 174 komente e më shumë se 560 shpërndarje. Në mesin e komenteve vërehet gjuhë polarizuese.

Faktet:

Hibrid.info ka verifikuar në platformat e mediumit “Top Channel” dhe nuk ka hasur një pretendim të tillë. Një pretendim i tillë nuk shfaqet as në portalin informativ “top-channel.tv” e as në kanalet e këtij mediumi në rrjete sociale.

Ndërkaq, platforma për detektim të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale “HiveModeration” ka vlerësuar me 99.9 për qind se audioja është e gjeneruar me IA.

Nëse kërkohet në “Google” me fjalët “Spiropali njoftoi Kurtin se Osmani e Rama i bënë puç” hasen publikime në media sociale me pretendimin se Spiropali ishte shkarkuar nga posti i ministres në Shqipëri menjëherë pas vizitës në Kosovë, “sepse e paralajmëroi Kurtin se po përgatitet një puç ndaj tij nga Edi Rama dhe Vjosa Osmani”. Publikimi u has vetëm në llogari në media sociale dhe jo në publikues kredibilë (shih këtu, këtu dhe këtu)

Këto tri publikime kanë marrë qindra komente e qindra mijëra shikime. Vetëm publikimi në “TikTok” i ka marrë më shumë se 600 mijë shikime e 23 mijë pëlqime.

Përfshirja e Spiropalit, Ramës dhe Grenellit

Llogaritë në media sociale që kanë publikuar këtë përmbajtje pretendojnë për një plan të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për largimin e Kurtit nga pushteti në Kosovë.

E Spiropali qëndroi në Kosovë më 25 shkurt. Gjatë qëndrimit, takoi udhëheqësit shtetërorë të Kosovës, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Jashtëm Glauk Konjufca, e liderë të partive opozitare (shih këtu). Një ditë më pas, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përfshiu Spiropalin në mesin e shtatë ministrave të cilët i shkarkoi (shih këtu).

Sipas pretendimeve, Spiropali u shkarkua sepse e njoftoi Kurtin për këtë “plan”.

Nëpër pretendime u përfshi edhe emri i Richard Grenellit, i dërguar i presidentit amerikan për misione të posaçme. Grenell ka qenë në të kaluarën i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun Kosovë-Serbi. Grenell në shtator të vitit 2025 kishte takuar udhëheqësit e shteteve të Ballkanit në një takim në New York. Presidenca e Kosovës pati bërë të ditur se i ishte bashkuar takimit në pjesën e dytë të tij. Të pranishëm në takim, sipas fotografive, ishin Spiropali dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq. (Shih trajtimin që Hibrid.info ia pati bërë pretendimit se Kosova nuk ka qenë pjesë e takimit).

Rama dhe Grenell në disa raste kanë qenë kritikë publikë të veprimeve të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. E Kurti e pati akuzuar publikisht Grenellin për ndërhyrje vite më parë (shih këtu). Kurti pati refuzuar edhe një takim me Ramën (shih këtu)


Këto pretendime pa fakte u publikuan pak ditë pasi presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars, nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit që të zgjedhë një president të ri deri më 5 mars (shih këtu)

Dekreti i saj u kundërshtua nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, që e çuan në Gjykatën Kushtetuese (shih këtu).

Kushtetuesja e ka pezulluar dekretin dhe punën e Kuvendit deri më 31 mars, deri në vlerësim të tij (shih këtu).


Presidentja Osmani i ka quajtur konspiracione pretendimet se është përfshirë në komplot a skenar për ngjarjet e fundit (shih këtu).


Në një analizë të publikuar ditë më parë, Hibrid.info paralajmëroi se me shtimin e përplasjeve politike dhe në periudha të mundshme elektorale, ka vëllim të shtuar edhe të qarkullimit të përmbajtjeve keqinformuese. Partitë po e akuzojnë njëra-tjetrën për dështim të zgjedhjes së presidentit dhe se njëra apo tjetra janë “fajtorë” se përse vendi mund të shkojë në zgjedhje. Fryma polarizuese është përcjellë edhe te komentuesit apo llogaritë në media sociale. Edhe studimet ndërkombëtare kanë theksuar se në mjedise shumë të polarizuara krijohen kushte më të favorshme për përhapjen e informacioneve të rreme (shih këtu).

Analiza:

Pretendimi se ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka deklaruar në “Top Channel” se Vjosa Osmani dhe Edi Rama i kanë bërë puç Albin Kurtit është i pavërtetë.

Nuk ekziston një deklaratë e tillë në platformat e “Top Channel”.

Verifikimet kanë treguar po ashtu se audioja në videon që qarkullon në rrjete sociale është e gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Pretendimi për një ngjarje të tillë qarkullon vetëm në media sociale nga llogari dhe jo nga burime zyrtare a media kredibile.

Arsyetimi

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere