Clickbait artikujt janë ato që kanë mbizotëruar gjatë javës së kaluar në ekosistemin keqinformues në përmbajtjet e publikuara në media reale, media sociale dhe portale të dyshimta.
Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative ndërlidhur me përfshirjen e politikës në vrasjen e Liridona Ademaj Murselit; rreth dënimeve për refuzimin e procesit të regjistrimit të popullsisë; dhe për largimin e trajnerit të klubit futbollistik, Ballkani, Ilir Dajës.
Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në rrjetet sociale dhe në platforma të tjera, të cilat kishin të bënin me publikime të rreme për dhënie kredish; si dhe shpërndarjen e një vegëze (link) të rreme për mundësinë e mbledhjes së donacioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Clcikbait/Dezinformatë është vlerësuar një artikull i publikuar në mediat sociale me paralajmërim të motit të keq, por që lajmi ishte i vjetër dhe kishte të bënte me motin në Shqipëri.
Përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar në mediat sociale dhe portale informative, në njërën nga publikimet ishte një fotografi me pretendimin se paraqet presidentin e Francës, Emanuel Makron, kur ka qenë i ri; një fotografi e dekorimit të qytetit për muajin e Ramazanit me pretendimin që është realizuar në qytetin e Gjermanisë, Frankfurtin, e që doli të jetë Londra; si dhe rreth aksioneve të Gjykatës Speciale ku u pretendua së është bastisur edhe shtëpia e Hajredin Kuçit, pas asaj të Sylejman Selimit.
Përmbajtje e paverifikuar/dezinformatë është vlerësuar postimi i fotografisë në media sociale me pretendimin se në Kalanë e Zveçanit është vendosur flamuri i shtetit të Rusisë.
Teori konspirative është vlerësuar reagimi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe subjektit politik, Lista Serbe (Lista Srpska), i publikuar në media lidhur me aksionin e Doganës dhe Policisë kundër barnave të kontrabanduara në veri.
Lajmet e rreme janë publikuar në mediat sociale me pretendimet se ka ndërruar jetë djali i artistit, Ardit Gjebrea; si dhe se Kosova po ndërton katër baza ushtarake në kufirin me Serbinë.
Në mediat në gjuhën serbe është publikuar dezinformata ndërlidhur me të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë”.
Mashtrim
Një grup në Facebook me emrin “Kredi personale” që numëron mbi 2 mijë e 600 anëtarë, pretendon se të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë nevojë për para shpejt dhe lehtë, mund të aplikojnë përmes këtij grupi. Në seksionin “About” pretendohet se personat që janë të interesuar për kredi, mund të aplikojnë vetëm me letërnjoftim (ID) ose online direkt nga telefoni apo kompjuteri. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në këtë grup publikohen kampanja të rreme të kredive, të marra nga faqja “Kredi personale”. (këtu)
Një vegëz e publikuar që ka qëllim dhurimin e fondeve për fondacionin e sigurisë së FSK-së, po konsiderohet të jetë e dyshimtë. Hibrid.info ka gjetur reagimin e Ambasadës së Kosovës në SHBA dhe një deklarim të ministrit të FSK-së, Ejup Maqedonci, në të cilat tregohet se e vetmja formë për donacione për fondin e sigurisë së themeluar nga Qeveria e Kosovës, mbetet xhirollogaria në BQK. (këtu)
Clickbait
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “NË VRASJEN E LIRIDONA ADEMAJT ËSHTË I PËRFSHIRË EDHE NJË DREJTUES AKTUAL POLITIK, I INSTANCAVE TË LARTA POLITIKE !?”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është nxjerrë nga një opinion, por pa e bërë të qartë këtë fakt. Titulli çorienton audiencën se në rastin e Liridona Ademaj Murseli, është i përfshirë një person me pozitë të lartë në organet e vendit. Mirëpo, në përmbajtje bëhet e ditur se artikulli është i bazuar në një opinion të analistit Reshat Badallaj. “Kosova-sot.info” nuk ka qartësuar në titull e as në fotografi se ky është një opinion, duke u munduar ta paraqesë atë si lajm, ndërsa opinioni është mendim individual dhe jo gjithmonë është një fakt i kryer. (këtu)
Televizioni “ATV” ka publikuar një video-material në kanalin zyrtar në “Youtube”, raportimin me titull “Regjistrimi i popullsisë në veri, kush refuzon do të gjobitet”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i kësaj përmbajtje është specifikues, pasi nuk e sqaron se regjistrimi i popullsisë do të përfshijë gjithë vendin, gjë e cila bëhet e ditur në përmbajtjen e video-materialit. Në seksionin e të dhënave te ueb-faqja e “ATV” (këtu), ky televizion paraqitet si medium që raporton për ngjarje nga Kosova, andaj edhe raportimi i një ngjarjeje që pritet të ndodhë në gjithë vendin, si ngjarje e përveçme e një rajoni të vendit, në këtë rast veriut, mund t’i bëjë audiencën të mendojnë se gjobitja do të përfshijë vetëm atë pjesë të Kosovës. (këtu)
Portali informativ “neësport.al” ka publikuar në faqen në “Facebook”, një artikull me titull “ZYRTARE/ Ballkani largon trajnerin pas 2 viteve të suksesshme bashkëpunim”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli nuk e qartëson saktësisht përmbajtjen, pasi që vetëm në kreun e artikullit tregohet se bëhet fjalë për njërin nga stafi i trajnerëvë të Ballkanit, ku thuhet se “Artim Pollozhani nuk do vazhdojë të jetë më pjesë e stafit të trajnerëve te Ballkani”. Duke u bazuar në disa nga komentet e bëra në këtë publikim në “Facebook”, mos specifikimi në titull se bëhet fjalë për largimin e njërit nga ndihmës trajnerët, tek skuadra e Ballkanit, ka bërë që disa nga lexuesit të mendojnë se klubi futbollistik nga Suhareka, ka ndarë rrugët me trajnerin kryesor, Ilir Daja. (këtu)
Portali me përmbajtje në gjuhën shqipe “Sot.com.al” ka publikuar një artikull me titull “Kontroll në banesën e 65-vjeçares, policia befasohet nga ajo çfarë gjen”. Përpos titullit përgjithësues që nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja, në këtë artikull shihet që edhe fotografia ilustruese nuk i përgjigjet përmbajtjes. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se “Policia e Berlinit është befasuar nga ajo çfarë gjeti pas kontrolleve në shtëpinë e terroristes së arrestuar të RAF, Daniela Klette. Mësohet se gjatë operacionit u gjetën në banesë arsenal armësh dhe ar”. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Faqja në Facebook “Live Neës” ka publikuar një artikull me titull ““Qëndroni në gatishmëri…”/ Jepet ALARMI për përmbytje, ja zonat dhe qytetet që rrezikohen”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli ka të bëjë me parashikimin e motit në Shqipëri dhe se i njëjti është i vjetër. Pra, faqja në fjalë ka publikuar një artikull për parashikimin e motit të datës 26 tetor të vitit të kaluar, të cilin e ka paraqitur si aktual. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Portali informativ “Ntv.al” ka publikuar në faqen zyrtare në Facebook, një postim me pretendimin se në njërën nga fotografitë paraqitet presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në moshë të re, së bashku me tashmë gruan e tij Brigitte Macron. Në mbishkrimin e këtij imazhi, ky portal informativ pretendon se së bashku me këta të dy, shihet edhe ish-bashkëshorti i Brigitte-s, Andre-Louis Ozier. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia është e montuar dhe se në atë origjinale, në vend të fytyrës së Macron-it, paraqitet imazhi i një gruaje. I njëjti imazh është verifikuar nga platforma për kontroll faktesh nga Franca “CheckNeës”, e gazetës “Liberation”. (këtu)
Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “Bota Islame” ka publikuar një imazh të një hapësire të dekoruar për muajin e Ramazanit. Ndërsa në mbishkrim pretendon se “#Frankfurti mirëpret #Ramazanin”. Mirëpo pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është gjetur se ky pretendim nuk qëndron pasi që fotografia është shkrepur vitin e kaluar në qytetin e Londrës dhe jo në Frankfurt. (këtu)
Disa portale informative në gjuhën shqipe, kanë raportuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nisur disa aksione në Kosovë. Në këto raportime, u tha se një aksion po zhvillohet në shtëpinë e ish-eprorit të UÇK-së, Sylejman Selimi, dhe atë të ish-ministri të Drejtësisë, Hajredin Kuçit. Mirëpo, më pas ishte vet Kuçi që e ka mohuar se ka qenë cak i bastisjes së shtëpisë së tij nga Specialja, duke shpjeguar se ka pasur një kontakt me ta rreth punës që bën si këshilltar i angazhuar në ekipin mbrojtës të Kadri Veselit, i cili po gjykohet në Hagë. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë
Faqja në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe “Jepi zë”, ka publikuar më 3 mars disa imazhe ku shihet një flamur i varur mbi një objekt. Përmes mbishkrimit të bashkëngjitur në imazhet e publikuara, pretendohet se në Kalanë e Zveçanit është vendosur flamuri i shtetit të Rusisë. Mirëpo pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron dhe se në fakt flamuri i vendosur në Kalanë e Zveçanit është i Serbisë. (këtu)
Teori konspirative
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe subjekti politik, Lista Serbe (Lista Srpska), kanë publikuar komunikatë lidhur me aksionin e Doganës dhe Policisë kundër barnave të kontrabanduara në veri. Për rastin në fjalë, këto dy institucione e kanë kundërshtuar këtë aksion duke e cilësuar si “veprim antiserb”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se aksioni është zhvilluar me dyshimet për kontrabandë me barna dhe produkte mjekësore. (këtu)
Lajm i rremë
Një kanal në Youtube me emrin “Fakte Interesante” ka publikuar me datë 2 mars një video-material me titull “TRAGJEDI ! Vdes DJALI i Ardit Gjebreas”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi përmes titullit është i rremë. Ndërsa në përmbajtje flitet për vdekjen e një personi të afërt të mikut të këngëtarit shqiptar, Ardit Gjebrea. Në përmbajtje të video-materialit nuk përmendet ndonjë emër i përveçëm, që do mund të qartësonte edhe më shumë se për kë bëhet fjalë. Hibrid.info duke hulumtuar në profilet zyrtare në mediat sociale të këngëtarit Gjebrea, nuk ka gjetur ndonjë informacion që flet për vdekjen e ndonjë personi të afërt të tij. (këtu)
Një llogari në TikTok me emrin “lajm.info” ka publikuar një video-material me mbishkrimin që pretendon se “Kosova po ndërton katër baza ushtarake në kufirin me armikun”. Bazuar në raportet e Kosovës me vendet me të cilat kufizohet, hibrid.info vlerëson se shteti të cilit autori i publikimit i është referuar si armik, është Serbia (këtu). Por, kërkimet e hibrid.info nuk kanë gjetur të dhëna që mbështesin pretendimin e publikuar nga kjo llogari. Në bazë të komenteve në këtë publikim, hibrid.info vlerëson se ky pretendim i paraqitur mund të merret si vërtetë nga audienca. (këtu)
Dezinformatë
Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull duke raportuar për vizitën e priftit ortodoks serb, Dimitrije Markoviq që i bëri të ashtuquajturës “Shtëpi e verdhë” në Shqipëri. Këto media, duke përshkruar qëndrimin e priftit Markoviq, kanë përcjellë pretendimet e pabazuara të tija për transplantim të organeve të qytetarëve serbë gjatë luftës në Kosovë. Megjithatë, fakti se ka ekzistuar “Shtëpia e verdhë” dhe se janë kryer operacione për trafikim të organeve nuk është vërtetuar asnjëherë. Pretendimet e priftit Markoviq, për ekzistencën e gjurmëve për pretendimin për trafikim të organeve të serbëve të Kosovës nuk faktohet. (këtu)