Java që shkoi u karakterizua me dominimin e artikujve clickbait në ekosistemin keqinformues.
Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative, media sociale dhe portale të dyshimta. Portale të dyshimta si dhe portale informative në gjuhën shqipe, gjatë ditëve të fundit kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues për raste tragjike që kanë ndodhur në shtetet e tjera, pa e specifikuar vendin se ku kanë ndodhur ato. Në Facebook është publikuar një lajm i vjetër për vdekjen e dy kosovarëve në Kalimash me pretendimin të paraqitet si aktual.
Në portale informative është pretenduar se presidenti i Turqisë, Erdogan do të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, por i njëjti doli të ishte një opininon i një analisti turk. Po ashtu, është publikuar një artikull me pretendimin se Dua Lipa emërohet Ambasadore, pa e bërë të ditur se këngëtarja është përzgjedhur ambasadore nga një brendi francez të grimit “YSL Beauty”.
Manipulimi i fakteve është publikuar nga portale informative ndërlidhur me pretendimet se një ekspert e porositi kryeministrin Kurti që të pushtohet Serbia; si dhe nëpërmjet pamjeve nga mbledhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për themelimin e Degës së Forumit të Gruas në Zvicër, me pretendimin se nuk ka kishte pjesëmarrëse gra.
U raportua gabimisht se përfaqësuesja e Kosovës fitoi dy herë kundër Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës në basketboll.
Clickbait/dezinformatë është vlerësuar lajm i vjetër i publikuar në mediat sociale ndërlidhur me rritjen e pensioneve në Shqipëri.
Përmbajtje mashtruese me fotografi të montuar ku pretendohet se opinionisti, Halil Matoshi, ka shkuar në Serbi për të marrë pagesën, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e qarkullimit të monedhës së dinarit serb në Kosovë.
Përmbajtje e paverifikuar/Satirë është vlerësuar publikimi në disa portale në gjuhën shqipe përmbajtja e një llogarie satirike e presidentit, Volodymir Zelensky, me titull “Samiti në Tiranë, Zelensky: Do të diskutojmë edhe për çështjen e Kosovës”.
Përmbajtje e paverifikuara/Dezinformatë është vlerësuar video e publikuar në një portali informativ me pretendimin se helikopterët e Serbisë fluturuan afër kufirit me Kosovën.
Sa i përket kontrollit të deklaratave, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është deklaruar se mjekët në Kosovë kanë një nga rrogat më të larta në regjionin e Ballkanit Perëndimor, e që pas hulumtimit është vërtetuar se vetëm Serbia ka paga më të ulëta për mjekët, në krahasim me Kosovën.
Manipulim i fakteve
Portali “Lecanton27.ch” i vetëquajtur si “gazeta e parë zvicerane në gjuhën shqipe” ka publikuar me 24 shkurt një fotografi në faqen zyrtare në Facebook duke pretenduar se janë pamje nga mbledhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për themelimin e Degës së Forumit të Gruas në Zvicër. Në fotografi shihen vetëm pjesëmarrës burra dhe në mbishkrim thuhet “Edhe kjo ndodhe: LDK sot ka themeluar degën e Forumit të Gruas në Zvicër pa asnjë grua?!…Shikone foton krejt mashki..”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron pasi që fotografia është prerë, ndërsa në fotografinë origjinale shihen edhe pjesëmarrëse gra, dhe gjithashtu në imazhet tjera të publikuara nga LDK shihen edhe gra. (këtu)
Portali informativ “ntv.al” ka publikuar një artikull me titull “Të pushtohet Serbia/ Eksperti ka një porosi për Kurtin”. Ndërsa në përmbajtje të këtij artikulli nuk gjendet një deklaratë e tillë nga ekonomisti austriak, Gunther Fehlinger. Pas hulumtimit përmes makinave online të kërkimit, të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë në titullin e këtij portali nuk qëndron dhe se Fehlinger nuk kishte deklaruar diçka të tillë. (këtu)
Gabim
Portali “lecanton27.ch”, e vetëquajtur si gazeta e parë shqipe në Zvicër, ka publikuar (23 shkurt) një artikull me titull “Fillimi i kualifikimeve për Kupën e Botës : Kosovarët fituan dy herë kundër Zvicrës”. Nga fotografia bashkangjitur publikimit si dhe në përmbajtje të tij, bëhet e qartë se artikullin bën fjalë për ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës, në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës në basketboll. Fakti se në titull është vendosur shenja e pikësimit, dy pika (:), e cila në këtë rast është përdorur për të lajmëruar një shpjegim (këtu), lë të nënkuptojë se titulli tregon informacionin që Kosova ka mposhtur dy herë Zvicrën, në fillimin e parakualifikimeve për Kupën e Botës, në basketboll. Por pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se përfaqësuesja e Kosovës në basketboll. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Faqja “Live News” në Facebook ka publikuar një artikull me titull “Qeveria Rama nuk ndalet! Tjetër rritje pensionesh për të moshuarit, duke filluar nga data…”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi për rritjen e pensioneve në Shqipëri, është i vjetër. Pra, faqja e lartcekur ka publikuar një lajm të vjetër me pretendimin ta paraqesë atë si aktual. (këtu)
Teori konspirative
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se me datë 25 shkurt në një fshat të Klinës, është djegur objekti ndihmës në pronën e Ljubisha Donçiq. Kjo zyrë, pretendon se sulme të tilla në pronat private, po kryhen nga, siç i quan kjo zyrë “ekstremistët shqiptarë”, për t’i dëbuar serbët nga shtëpitë e tyre. Këto pretendime, kjo zyrë nuk i argumenton me asnjë fakt, pasi nuk dihet qëllimi dhe kryesit e veprës. (këtu)
Clickbait
Portali informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe “kosovapost.net” ka publikuar një artikull me titull “Dua Lipa emërohet Ambasadore”, duke i bashkëngjitur edhe një fotografi ilustruese të Dua Lipës bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk sqaron se bëhet fjalë për emërimin e këngëtares me prejardhje kosovare, Dua Lipa si ambasadore nga një brend francez të grimit “YSL Beauty”, dhe duke i vënë si fotografi ilustruese një imazh që nuk ka të bëjë me lajmin. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet “Që nga viti 2019, Dua Lipa ka kryesuar ekskluzivitetin “Libre” si ambasadore e markës globale të “YSL Beauty”; sot, ajo vazhdon të mishërojë në mënyrë perfekte feminitetin modern si Ambasadore e sapoemëruar Globale e grimit për “YSL Beauty”. (këtu)
Faqja në Facebook “Live News” ka publikuar një artikull me titull “Këta janë dy kosovarët që vdiqën në aksidentin tragjik në Kalimash”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi për vdekjen e dy kosovarëve në aksidentin në Kalimash, është i vjetër. Pra, faqja e lartcekur ka publikuar një lajm të tetorit të vitit të kaluar me pretendimin ta paraqesë atë si aktual. (këtu)
Portale të dyshimta si dhe portale informative në gjuhën shqipe, gjatë ditëve të fundit kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues për raste tragjike që kanë ndodhur në shtetet e tjera. Gjatë monitorimit ditor, hibrid.info ka arritur t’i grumbullojë disa artikuj me strukturë të tillë nga portalet e dyshimta “lajmifundit.al” e “belmouth.com” dhe nga portali informativ “ntv.al”. Pra, këto portale kanë vendosur tituj përgjithësues në këta artikuj duke mos e bërë të qartë vendin e ngjarjes, dhe marrë parasysh që përmbajtjet e tyre janë në gjuhën shqipe, këta tituj çorientojnë audiencën se ngjarja mund të ketë ndodhur në ndonjë nga vendet shqip-folëse. (këtu)
Portali informativ “ntv.al” ka publikuar një artikull të titulluar, “Erdogan fut duart në dialog/ Vjen mbështetja e madhe nga Ankaraja”. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se në përmbajtje të këtij artikulli, informatat e paraqitura në titull janë bazuar nga deklaratat e një profesori turk, gjë e cila nuk sqarohet në titull. Mos saktësimi i informatës në titull se ajo paraqet një deklaratë apo citim, nënkuptohet dhe lexohet si një informacion i ndodhur. (këtu)
Mashtrim
Llogaria në TikTok me emrin “lagraqsaqi” ka publikuar një video-material, në të cilin paraqitet imazhi i opinionistit, Halil Matoshi. Në fotografi, Matoshi shfaqet në një vend, tabela në të cilin tregon për vendbanimin “Kraljevë”, më mbishkrimin vendosur nga autori i publikimit që pretendon se opinionisti ka shkuar në Serbi për të marrë pagesën, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e qarkullimit të monedhës së Dinarit në Kosovë. Bazuar në komentet e postuara në seksionin e komenteve, hibrid.info vlerëson se audienca nga ky publikim mund të informohet që Matoshi paguhet nga shteti serb. Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur fotografia reale e opinionistit Halil Matoshi, ku në fakt shfaqet tabela, e cila tregon për vendbanimin “Tugjec” (këtu), gjë e cila fakton ndërhyrjet në imazhin autentik. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar/Satirë
Disa portale në gjuhën shqipe kanë publikuar një artikull me titull “Samiti në Tiranë, Zelensky: Do të diskutojmë edhe për çështjen e Kosovës”. Këto media iu kanë referuar një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter). Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se llogarisë që iu kanë referuar mediat, përdorët kryesisht shpërndarje të përmbajtjeve satirike, duke pretenduar se është llogari e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky “Volodymyr Zelensky, President of Ukraine (parody)”. Pra, kjo deklaratë nuk është bërë nga ndonjë llogari zyrtare e presidentit ukrainas. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuara/Dezinformatë
Portali informativ “Indeksonline.net” ka publikuar një artikull me titull “Helikopterët e Serbisë fluturuan afër kufirit me Kosovën (video)”. Në këtë artikull është bashkëngjitur një video-material në të cilën paraqiten pamjet e dy helikopterëve duke fluturuar. Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, duke përdorur platformën “Google Maps”, është vërtetuar se pamjet janë xhiruar në një distancë afër 60 kilometra vijë ajrore nga vija kufitare me Kosovën. (këtu)
Kontrolli i deklaratave dhe premtimeve
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë një intervistë, të publikuar me 25 shkurt për Agjencinë e lajmeve, Ekonomia Online. Vitia në këtë intervistë është deklaruar se mjekët në Kosovë kanë një nga rrogat më të larta në regjionin e Ballkanit Perëndimor. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia ka paga më të ulëta për mjekët, në krahasim me Kosovën, gjë e cila sipas vlerësimit, e bën deklarimin e ministrit Vitia, si të pasaktë. (këtu)