[email protected]
Rishikimi i javës: Manipulim i fakteve rreth dinarit, teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dezinformata se Zvicra po kërkon punëtorë
shape
shape
shape

Clickbait artikujt janë ato që kanë mbizotëruar gjatë javës së kaluar në ekosistemin keqinformues në përmbajtjet e publikuara në media reale, media sociale dhe portale të dyshimta.

Artikujt clickbait janë publikuar në portale informative, media sociale dhe portale të dyshimta ndërlidhur me kushte klimatike, vdekje në rrethana të ndryshme, si dhe për sport, të cilat nuk kishin të bënin me Kosovën e që nuk bëhej e ditur në titujt e artikujve.

Në mediat sociale u publikua një video-material mashtrues të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy duke vallëzuar.

Manipulimet e fakteve janë publikuar në portale informative për çështjen e dinarit, përfshirë deklaratën e Francës zyrtare dhe Marko Pelec nga grupi ndërkombëtarë i krizave.

U raportua gabimisht në portale informative lidhur me një aksident që kishte ndodhur në Gjakovë-Prizren, e që u pretendua të ketë ndodhur në rrugën Gjilan-Prizren, si dhe për numrin e të arrestuarve në një operacion të Policisë së Tiranës për trafikim të lëndëve eksplozive.

Një lajm i rremë është publikuar në TikTok ndërlidhur me pamje të armatimeve të ndryshme për të cilat pretendohet se po testohen nga FSK-ja.

Dezinformata me pretendimin se shteti i Zvicrës po kërkon punëtorë; si dhe përmes një imazhi të vjetër u pretendua se i njëjti paraqet atmosferën parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut.

Teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ku djegien e një stalle të një qytetari serb e ndërlidhin me tendencë për dëbimin e serbëve.

Përmbajtje e paverifikuar rreth një imazhi të Diellit dhe Hënës në horizont në distancë të afërt me njëri-tjetrin, që pretendon se është dukuri e shfaqur në Argjentinë; si dhe pretendimi se Dua Lipa dhe Rita Ora do të performojnë në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.

Sa i përket premtimeve, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar (7 shkurt) projektin që ndërlidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë dhe Hotelin Grand, ku janë gjetur dallime ndërmjet projektit të premtuar në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2021 dhe atij të prezantuar me 7 shkurt.

Mashtrim

Një llogari në median sociale Facebook ka publikuar një video-material në të cilin paraqitet presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy duke vallëzuar. Kontrollues faktesh nga Reuters e kanë trajtuar këtë përmbajtje, e cila ka rezultuar të jetë e montuar dhe se në videon origjinale paraqitet një valltar rus. Pra, autori ka ndërhyrë në videon origjinale, duke e zëvendësuar fytyrën e balerinit rus me atë të presidentit ukrainas. (këtu)

Manipulim i fakteve

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar me datë 3 shkurt një video-material në Facebook, në mbishkrimin e së cilës, ka vendosur “Franca sulmon Albin Kurtin/ Heqja e Dinarit, një provokim”. Hibrid.info ka verifikuar se video-materiali është raportim i komunikatës së shtetit francez mbi vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që parasheh përdorimin e vetëm një valute (euro) për pagesa në vend. Në bazë të hulumtimit nga hibrid.info, është vërtetuar se në komunikatë nuk është përdorur fjala “provokim” apo diçka e tillë e ngjashme. (këtu)

Portali informativ “ntv.al” ka publikuar një video-material në Facebook, me mbishkrimin “Kosova do e pësojë keq/ Njohësi i Ballkanit flet për vendimin e Dinarit”. Hibrid.info ka verifikuar se video-materiali është raportim i një interviste të Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, dhënë për Radio Evropa e Lirë (REL). Duke u bazuar në hulumtimin e kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në këtë intervistë, Prelec në asnjë rast nuk është shprehur se pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit, Kosova do ta pësojë keq, siç pretendohet nga portali “ntv.al”. (këtu)

Gabim

Mediumi informativ “EuroNews.al” me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Sekuestruam 203 kallëpe eksploziv”, Polica detaje nga operacioni: 7 të arrestuar”. Njëjtë edhe në përmbajtje të artikullit thuhet se në njërin prej operacioneve të Policisë në Tiranë janë arrestuar 7 persona, për shkak të trafikimit të lëndëve eksplozive. Por, pas hulumtimit dhe verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info është vërtetuar se në këtë operacion janë arrestuar 3 persona, e jo 7 siç pretendohet nga mediumi në fjalë. (këtu)

Disa portale kanë publikuar një artikull me titullin “Tre të lënduar në një aksident trafiku në rrugën Gjilan–Prizren”. Ndërsa nga përmbajtja e këtij artikulli është kuptuar se ngjarja ka ndodhur në rrugën Gjakovë – Prizren. Aksidentin e trafikut në rrugën Gjakovë – Prizren, e ka vërtetuar edhe hibrid.info duke u bazuar edhe në deklaratën e zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj. (këtu)

Clickbait

Një portal i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Befason bora deri në një metër në një pjesë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk sqaron se për cilin vend bëhet fjalë dhe se kjo ngjarje nuk është aktuale. Lajmi qartësohet vetëm në fund të artikullit, ku thuhet se “Në Sunnegga afër Zermatt VS. Imazhet e ueb-kamerës tregojnë: Aty ku dje kishte livadhe të gjelbra dhe mund të ecje, sot ka borë”. (këtu)

Një portal informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “E rëndë/ Hidhet në erë fabrika, 8 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur (Video)”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Indi. (këtu)

Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull me titull “Kosova në grup me Maltën e Qipron”, duke i bashkëngjitur një fotografi ilustruese të përfaqësueses së Kosovës në futboll në konkurrencën e meshkujve. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk sqaron se bëhet fjalë për shortin e hedhur për FIBA Kampionatin Evropian të basketbollit (Shtetet e Vogla) në konkurrencën e femrave, gjë që sqarohet vetëm në përmbajtje të artikullit. (këtu)

Një faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Marrin fund ditet e ngrohta/ Stuhia polare prek vendin tone, sinoptikani zbulon detaje: Diten e neserme..”.Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli ka të bëjë me parashikimin e motit në Shqipëri dhe se i njëjti është i vjetër. Pra, faqja në fjalë ka publikuar një artikull për parashikimin e motit të datës 16 nëntor të vitit të kaluar, të cilin e ka paraqitur si aktual. (këtu)

Lajm i rremë

Llogaria në TikTok më emrin “mtkrs25” ka publikuar një video-material ku shfaqen pamje të pajisjeve ushtarake. Në mbishkrimin e vendosur pretendohet se këto pamje tregojnë fillimin e testimit të këtyre pajisjeve në vendin tonë. Hibrid.info ka verifikuar dhe ka gjetur se behët fjalë për armatim të prodhuar dhe të testuar në Turqi, armatim të cilin Kosova nuk e posedon. (këtu)

Dezinformatë

Një faqe në Facebook ka publikuar një artikull ku pretendohet se shteti i Zvicrës po kërkon punëtorë, për punët në të cilat nuk nevojitet diploma. Hibrid.info ka vërtetuar se artikulli është i vjetër që nuk përkon me pretendimin e dhënë, dhe se Zvicra nuk po kërkon punëtorë pa diplomë në disa sektorë. (këtu)

Portali “Kercova.net” ka publikuar një postim në faqen e tij në Facebook, në të cilin paraqiten pamjet e asfaltimit të një rruge. Këtij imazhi, ky portal i ka vënë mbishkrimin “Atmosfera në Maqedoni para zgjedhjeve”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se imazhi është i vjetër dhe se nuk është realizuar në Maqedoninë e Veriut. Ky portal është munduar që këtë imazh ta paraqesë si aktual, të realizuar diku në Maqedoninë e Veriut, para zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen më 8 maj të këtij viti. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se në fshatin Hodanoc të Kamenicës, është djegur stalla e familjes Millenkoviq. Përmes këtij njoftimi pretendohet se “kjo është vazhdimësi e presionit dhe frikësimit të serbëve në Kosovë”, që sipas kësaj zyre kjo vepër ndërlidhet me vendimin e fundit të organeve të Kosovës për ndalimin e dinarit. Këto pretendime, kjo zyrë nuk i argumenton me asnjë fakt, pasi nuk dihet qëllimi dhe kryesit e veprës. (këtu)

Përmbajtje e paverfikuar

Një llogari në median sociale Facebook ka publikuar një imazh të Diellit dhe Hënës në horizont në distancë të afërt me njëri-tjetrin, që pretendon se është dukuri e shfaqur në Argjentinë. Imazhit i është bashkëngjitur edhe përshkrimi që thotë “FENOMENI ASTRONOMIK I PABESUESHËM NË TDF: DIELLI DHE HËNA U TAKUAN NË HORIZONT”. Pas verifikimit të fakteve të kryera nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. (këtu)

Disa media kanë publikuar një artikull me titull “Më në fund Rita Ora dhe Dua Lipa bëhen bashkë! Ja vendi ku do të performojnë”. Deri sa në titull mungon sqarimi për vendin se ku do të performojnë dy këngëtaret me origjinë nga Kosova, në përmbajtje të artikullit tregohet se bëhet fjalë për mundësinë e performimit të dy këngëtareve me origjinë nga Kosova, në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, që do të mbahen në Kosovë. Hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi për përformimin e dy këngëtareve me famë botërore në kuadër të ceremonisë hapëse të kësaj ngjarje, është bazuar në një deklaratë të zëdhënësit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Kushtrim Krasniqi, i cili shfaqi vullnetin e organizatorit për t’i ftuar ato. Megjithatë, Krasniqi nuk ka bërë të ditur se ka marrë ndonjë konfirmim për realizimin e këtij plani, siç lë të kuptohet përmes titullit. (këtu)

Kontrolli dhe vlerësimi i deklaratave

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar (7 shkurt) projektin që ndërlidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë dhe Hotelin Grand. Kryetari Rama në paraqitjen fillestare të këtij projekti gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021, kishte premtuar se ai do të realizohej brenda tre viteve. Pas hulumtimit të hibrid.info, janë gjetur dallime ndërmjet projektit të premtuar në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2021 dhe atij të prezantuar para dy ditësh (7 shkurt). (këtu)

Share With Others

Translate »