Përgatiti: Festim Rizanaj
Sipas monitorimit të mediave dhe rrjeteve sociale, gjatë javës së kaluar kanë dominuar dezinformatat dhe artikuj clickbait.
Gjatë javës së kaluar, në Facebook dhe TikTok janë shpërndarë disa dezinformata që kanë tërhequr vëmendje. Njëra prej tyre pretendonte se Ambasada e SHBA-ve në Kosovë kishte lavdëruar Qeverinë Kurti për situatën në veri, me deklaratën e supozuar: “Vizitë e sigurt dhe shëtitje e lirë për herë të parë pas 25 vitesh”. Ky pretendim, i publikuar nga disa faqe dhe llogari në rrjete sociale, është demantuar nga hibrid.info, pasi një deklaratë e tillë nuk ekziston. Po ashtu, janë shpërndarë video që pretendojnë se Kina ka thyer bllokadën izraelite në Gaza dhe ka dërguar ndihma humanitare, por këto pamje janë nga ngjarje të mëparshme dhe nuk lidhen me ndonjë ndërhyrje të vërtetë. Temat kryesore të dezinformatave këtë javë lidhen me zhvillimet politike në Kosovë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.
Gjatë javës janë publikuar disa përmbajtje me tituj clickbait në media online dhe rrjete sociale. Një prej tyre është artikulli me titullin “Publiku ia dha vendin e dytë Shqipërisë, por votat politike e vendosën në vendin e tetë”, publikuar nga “albaniannews.net” dhe shpërndarë më 18 maj në Facebook. Artikulli i referohet pjesëmarrjes së Shqipërisë në Eurovision me këngën “Zjerm” nga “Shkodra Elektronike”, e cila përfundoi në vendin e tetë me 218 pikë. Titulli sugjeron padrejtësi, ndonëse renditja është rezultat i kombinimit të votave të jurisë dhe publikut. Një tjetër rast është artikulli i KosovaPress me titullin “Dyvjeçari bie nga kati i 15-të”, publikuar më 17 maj. Titulli është i përgjithësuar dhe nuk tregon se ngjarja ka ndodhur në Maryland, SHBA, gjë që zbulohet vetëm pas hapjes së artikullit.
Clickbait/manipulim i fakteve është publikuar më 20 maj nga “a2news.com” me titullin “Papa i ri vazhdon traditën e vjetër: Nuk e njohim Kosovën”, i shpërndarë edhe nga media të tjera. Në titull është sugjeruar një deklaratë e re e Papa Leo XIV për mosnjohjen e Kosovës, ndonëse në përmbajtje mungon çdo qëndrim i ri nga Papa apo Selia e Shenjtë. Artikulli bazohet në qëndrime të mëhershme, ndërsa titulli paraqitet në mënyrë senzacionaliste dhe tërheqëse për klikime.
Clickbait/Dezinformatë është publikuar më 20 maj nga “kosovanews.net” me titullin “Abdixhiku ankohet te ambasadori italian: Vendi i bllokuar politikisht – kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar”. Megjithatë, pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, përmbajtja e artikullit nuk përmban asnjë deklaratë të tillë dhe pretendimi i titullit nuk mbështetet nga asnjë burim zyrtar. Titulli është vlerësuar si çorientues e dezinformues, pasi nuk përputhet me përmbajtjen reale të lajmit.
Përmbajtje e paverifikuar është publikuar më 18 maj në TikTok nga llogaria “lajmet_rrethpolicise”, ku shfaqet një fotografi e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës me mbishkrimin që pretendon se “Konkursi për zyrtarë policorë hapet në qershor”. Pas verifikimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës që të konfirmojë këtë pretendim.
Clickbait
Publikohet një artikull i titulluar, “Publiku ia dha vendin e dytë Shqipërisë, por votat politike e vendosën në vendin e tetë”. Kjo përmbajtje u publikua nga mediumi në gjuhën shqipe, “albaniannews.net”. Data e publikimit nuk është saktësuar, por në faqen në Facebook të këtij mediumi, postimi u publikua (18 maj). Artikulli ka të bëjë me pjesëmarrjen e Shqipërisë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”. Shqipëria u përfaqësua nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” dhe përfundoi e teta në këtë garë, duke marrë 218 pikë, nga një kombinim i votave të jurive profesionale të vendeve pjesëmarrëse dhe publikut. (këtu)
“Dyvjeçari bie nga kati i 15-të”, mban titullin një artikull i publikuar me datë 17 maj. Artikulli u publikua nga agjencia e lajmeve KosovaPress në uebfaqen zyrtare, si dhe në faqen KosovaPress në Facebook. Titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Pas klikimit të vegëzës së artikullit, në përmbajtje sqarohet se ngjarja ka ndodhur në Maryland të ShBA-ve. (këtu)
Clickbait/Manipulim i fakteve
Publikohet një artikull i titulluar “Papa i ri vazhdon traditën e vjetër: Nuk e njohim Kosovën”. Artikulli është publikuar (20 maj) fillimisht nga mediumi në gjuhën shqipe “a2news.com”. Më pas është publikuar nga disa media tjera në gjuhën shqipe. Titulli është paraqitur në formën se qëndrimi “Nuk e njohim Kosovën”, ka ardhur si deklarim i Papës Leo XIV, i emëruar në kishën katolike, pas vdekjes së Papa Franceskut. Por informacionet e paraqitura në artikull nuk përmbajnë asnjë deklaratë të re nga Papa apo Selia e Shenjtë që lidhet me njohjen apo mosnjohjen e Kosovës. (këtu)
Clickbait/Dezinformatë
Është publikuar një artikull me titull “Abdixhiku ankohet te ambasadori italian: Vendi i bllokuar politikisht – kërkohet ndërmjetësim ndërkombëtar”. Përmbajtja është publikuar (20 maj) nga mediumi “kosovanews.net”. Hibrid.info ka gjetur se informacioni i pretenduar në titull nuk përputhet me atë çka përmban brendësia e lajmit dhe se pretendimi nuk konfirmohet as nga njoftimet tjera zyrtare. (këtu)
Dezinformatë
Në mediat sociale Facebook dhe TikTok është shpërndarë (20 maj) një postim që pretendon se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë ka lavdëruar punën e Qeverisë së Albin Kurtit në veri, duke deklaruar “Vizitë e sigurt dhe shëtitje e lirë për herë të parë pas 25 vitesh”. Ky pretendim është publikuar nga llogaria “Lule Gjeli” e faqet “Gazeta 17 Shkurti” dhe “Albania USA” në Facebook, si dhe nga llogaria “folejadardanis” në TikTok. Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se një deklaratë e tillë nuk është bërë nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë. (këtu)
Disa video u shpërndanë me pretendimin se Kina kishte thyer bllokadën izraelite në Gaza dhe kishte dërguar ndihma humanitare. Në të vërtetë, nuk ekziston asnjë dëshmi që të mbështesë këto pretendime; videot e publikuara janë përmbajnë pamje nga ngjarje të mëparshme që nuk kanë lidhje me ndonjë ndërhyrje të vërtetë humanitare nga Kina në Gaza. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Publikohet një fotografi ku shihen pjesëtarë të Policisë së Kosovës, me mbishkrimin që pretendon se “Konkursi për zyrtarë policorë hapet në qershor”. Kjo përmbajtje u publikua më 18 maj në TikTok nga një llogari me emrin “lajmet_rrethpolicise”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim zyrtar nga ky institucion, që konfirmon pretendimin. (këtu)