info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Keqinformata lidhur me zgjedhjet lokale, mashtrim me inteligjencë artificiale
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Gjatë periudhës 20–26 tetor 2025, hapësira mediatike dhe rrjetet sociale në Kosovë janë përfshirë nga një sërë formash të keqinformimit, që nga lajmet e rreme e deri te manipulimet e fakteve dhe raportimet e njëanshme.

Përmbajtje të tilla janë publikuar kryesisht në portale si GazetaImazhi.com, GazetaKosova.net, Lajmi.net, Veriu.info, dhe Reporteri.net, si dhe në faqe anonime në Facebook si “Lajme Nga Bota”. Një ndër rastet më të përhapura ishte lajmi i rremë që i atribuohej Ramush Haradinajt, i cili pretendohej se kishte akuzuar Albin Kurtin për ndërhyrje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut — një deklaratë që rezultoi e paverifikuar. Po ashtu, mediat serbe si “Pink” dhe “Kurir” ringjallën narrativën e vjetër për “shtëpinë e verdhë” në Burrel, një pretendim i hedhur poshtë më parë nga raportet ndërkombëtare.

Në të njëjtën periudhë, janë shfaqur edhe forma më të sofistikuara të dezinformatave, përfshirë një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku paraqitej një vajzë serbe që bënte thirrje për njohjen e Kosovës — video që rezultoi mashtruese. Ndërkohë, disa portale përdorën tituj sensacionalë (clickbait) për të manipuluar opinionin publik, si rasti me artikujt që pretendonin bisedime mes VV-së e PDK-së, apo mes Kurtit dhe LDK-së për formimin e qeverisë së re. Gjithashtu, u vërejt raportim i njëanshëm politik, ku portale si “GazetaKosova.net” favorizonin kandidatë të caktuar gjatë fushatës lokale, duke përdorur gjuhë emocionale për njërin kandidat dhe diskredituese ndaj kundërshtarëve.

Lajm i rremë

Publikohet një fotografi ku shfaqet Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me mbishkrimin që pretendon se ai ka akuzuar Albin Kurtin dhe shërbimet serbe se kanë ndërhyrë gjatë fushatës në Maqedoninë e Veriut për ta larguar nga skena politike themeluesin e UÇK-së, Ali Ahmeti. Kjo përmbajtje është publikuar të hënën (20 tetor) në Facebook nga një llogari me emrin “Lajme Nga Bota”. Hibrid.info nuk ka identifikuar asnjë burim që të konfirmojë se Haradinaj ka bërë publikisht një deklaratë të tillë. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Pretendimi i mediave në gjuhën serbe se ka ekzistuar një e ashtuquajtur “shtëpi e verdhë” në Burrel të Shqipërisë, ku gjatë luftës në Kosovë është bërë trafikim me organe të njerëzve, nuk është i bazuar në fakte. Mediat serbe “Pink” dhe “Kurir” kanë publikuar disa deklarata që pretendojnë se janë bërë nga një shqiptar për të cilin pretendojnë se ka qenë pjesë e një njësiti special të UÇK-së, të quajtur “Tigrat”. Për personin në fjalë, të cilin e identifikojnë vetëm me nofkë “Kasapi”, por pa emër e mbiemër, thonë se ka qenë pjesë e ekipit që ka kryer heqje të organeve nga trupat e qytetarëve serbë në atë shtëpi. Por, janë dy raporte ndërkombëtare që janë publikuar pas luftës në Kosovë, të cilët hedhin poshtë pretendimet se në shtëpinë në fjalë janë bërë heqje të organeve njerëzore. (këtu)

Mashtrim

Në media sociale po qarkullon një video e shkurtër që tregon një grup të rinjsh serbë jashtë, ku një vajzë në plan të parë flet drejtpërdrejt, e rrethuar nga shokët e saj. Ajo mban të veshur një pallto gri dhe një shall të kuq, me flamurin e Serbisë të vendosur në pallto, ndërsa teksti në ekran kërkon “Recognize Kosova!” (Njihni Kosovën!). Ajo flet në serbisht, duke deklaruar se të rinjtë e Serbisë kërkojnë që shteti i tyre të njohë “realitetin dhe Kosovën”, me dëshirën për një “të ardhme pa frikë dhe pa urrejtje”. Pas verifikimit të videos është gjetur se ajo nuk është reale, por është gjeneruar më inteligjencë artificiale. (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Publikohet një artikull i titulluar, “VV dhe PDK nisin bisedimet, konfirmohet takimi ndërmjet dy partive”. Kjo përmbajtje është publikuar të martën (21 tetor) në mediumin “gazetaimazhi.com”. Ajo është shpërndarë edhe në faqen në Facebook të këtij mediumi, me anë të një fotografie ku shihen liderët e dy partive respektive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në titull nuk specifikohet konteksti i ngjarjes, dhe kur i bashkohet edhe fotoja, lë të kuptohet se takimi është realizuar mes krerëve të partive në fjalë. Mirëpo, në këtë rast lidhet me një takim të mundshëm të kandidatëve për kryetar komune nga këto dy subjekte politike në Fushë-Kosovë, ku do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale më 9 nëntor. (këtu)

Gabim

Publikohen artikuj me titullin “Gërvalla në OKB: Kosova është ekonomi e fortë, Banka Botërore na ka ranguar top-lider në botë për rritje ekonomike”. Përmbajtja me këtë titull është gjetur e publikuar (21 tetor) në mediat si: “lajmi.net”, “veriu.info” dhe “reporteri.net”. Hibrid.info gjeti se deklarata e Gërvallës në titull është paraqitur gabimisht. Në bazë të verifikimit të videos së fjalimit të Gërvallës, u vërtetua se ajo ka deklaruar se BB-ja e ka renditur Kosovën ndër vendet lidere për rritje ekonomike në Evropë, pra jo në botë. (këtu)

Nëpërmjet titujve në artikuj mediatikë, është pretenduar se një pjesëtar i tifogrupit “Arpagjikt” nga Prizreni është dënuar me 10 vjet burgim në Mal të Zi, pasi ka pranuar se ka shkruar grafitin UÇK në disa shtëpi. Pretendimi me titull “Dënohet me 10 vite burg një nga tifozët e Bashkimit që u ndalua në Mal Të Zi” u publikua të enjten (23 tetor) në “indeksonline.net” dhe “periskopi.com”. Edhe pse titujt pretendojnë për 10 vjet burgim, qysh në krye të lajmit këto media kanë informuar se bëhet fjalë për dënim me burgim prej dhjetë ditësh. (këtu)

Clickbait/Manipulim i fakteve

Publikohet një artikull i titulluar “Zhvillime dramatike/ Kurti në bisedime me LDK-në për formimin e Qeverisë së re”. Përmbajtja me këtë titull është publikuar të mërkurën (22 tetor) nga portali “GazetaImazhi.com”. Informacioni në titull nuk reflekton saktësisht përmbajtjen reale të artikullit. Përderisa titulli është “Zhvillime dramatike/ Kurti në bisedime me LDK-në për formimin e Qeverisë së re”, në përmbajtje paraqitet opinioni i opinionistit Ilir Deda, i cili ka deklaruar se “beson se prapa skenës po zhvillohen bisedime mes partive politike për formimin e qeverisë së re”. Pra, ky opinion personal është interpretuar në mënyrë të shtrembëruar për të nxjerrë përfundime më specifike. (këtu)

Raportim i njëanshëm

Artikulli i publikuar nga “gazetakosova.net” me titull: “Ish-ushtari i UÇK-së, Ferit Idrizi, punësoi djalin e heroit Afrim Bunjaku – Kurti e Meholli e ‘harruan’ gjakun e lirisë!” është i njëanshëm dhe favorizon kandidatin e PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përballë kundërkandidatet të tij Sylejman Meholli të VV-së. Në përmbajtje artikulli i referohet Idrizit me gjuhë emocionale dhe lavdëruese, ndërsa Mehollit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me gjuhë diskredituese. Po ashtu përmban dezinformim, pasi Qeveria e Kosovës ka mbështetur financiarisht familjen e policit Afrim Bunjaku, dhe jo siç pretendohet në artikull se nuk ka pasur “mbështetje konkrete nga ekzekutivi qendror”. Për më shumë, informata për punësimin e djalit të Afrim Bunjakut është e një viti më herët dhe është rikthyer në kohën e zgjedhjeve lokale në Kosovë. (këtu)

Share With Others