[email protected]
Rishikimi i javës: Dezinformatë nga mediat në gjuhën serbe, clickbait/dezinformata me lajme të vjetra, lajme të rreme në media sociale
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me dominimin e artikujve clickbait/dezinformatë dhe lajmeve të rreme në ekosistemin keqinformues.

Lajmet e rreme kryesisht u publikuan në rrjete sociale dhe ndërlidheshin me pretendime për deklaratë të shkrimtarit Ismail Kadare për kryeministrin Kurti; për deklaratë të Kurtit për prejardhjen e parave të diasporës.

Clickbait artikull lidhur me një vrasje, e që nuk kishte ndodhur në Kosovë dhe kjo nuk bëhej e ditur në titull.

Përmbajtje mashtruese e publikuar në media sociale me pretendimin për kredi biznesi deri në 50 mijë euro.

Teori konspirative në median sociale “Telegram” me përmbajtje në gjuhën serbe, lidhur me disa fletushka me përmbajtje në gjuhën serbe të shpërndara në Veri, përmes së cilave u bëhet thirrje qytetarëve që të “synojnë patrullën e policisë së Kosovës, të injorojnë policin kur ai flet me ta dhe të demolojnë veturat zyrtare”.

Teori konspirative/clickbait lidhur me një deklaratë të konspiracionistit, Arianit Sllamniku për paralajmërim për luftë në Kosovë.

Artikuj clickbait/dezinformatë për lajm të vjetër për helmimin e qytetarëve në Malishevë; rast tragjik që nuk bëhet e ditur në titull që nuk ka ndodhur në Kosovë, si dhe një lajm i vjetër lidhur me parashikimin e motit që publikohet si aktual.

Manipulim i fakteve me mbishkrimin “Vuçiç: Kurtin nuk do ta lejojmë ta fitojë Ahmetin dhe ta kontrollojë shtetin”; si dhe deklaratë e manipuluar e ndihmës Sekretarit O’Brien që pretendohet se ai është deklaruar se “SHBA-të nuk e konsiderojnë Qeverinë e Kosovës si partnere”.

Raportohet gabimisht lidhur me gjetjen e një shumë të caktuar të monedhave 2 euro që dyshohet se janë të falsifikuara.

Përmbajtje e paverifikuar lidhur me pretendimin se Policia e Kosovës në fshatin Kajkovë të Leposaviqit, ka arrestuar një person të nacionalitet serb, të cilin, sipas një llogarie në gjuhën serbe në “Telegram”, e kanë rrahur në prani të fëmijëve.

Dezinformatë nga mediumi në gjuhën serbe ku pretendohet se shtatorja e Albin Kurtit e ngritur në Peran të Podujevës, është ngritur nën dëshirën dhe dijeninë e Kurtit.

Lajm i rremë

Një llogari në TikTok me emrin “lagraqsaqi” ka publikuar një video-material (10 shkurt) me një mbishkrim që pretendon për një deklaratë bërë nga shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare. Në deklaratë thuhet se Ismail Kadare është shprehur “Të jesh kundër Albin Kurtit sot, si të ishe kundër Adem Jasharit më 1998!”. Pas hulumtimit dhe verifikimit të fakteve nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë fakt që e provon se një deklaratë e tillë është bërë nga shkrimtari shqiptar. (këtu)

Në një grup publik në Facebook me emrin “Disapora me PDK” është publikuar (28 dhjetor) imazhi ku shfaqet portreti i kryeministrit Albin Kurti. Fotografisë i është bashkangjitur edhe mbishkrimi që pretendon se kryeministri Kurti është deklaruar “Kemi dyshime për prejardhjen e parave që po i sjellin mërgimtarët në Kosovë”. Pas hulumtimit nga hibrid.info, deklarata e pretenduar e Kurtit nuk është provuar të jetë e vërtetë madje janë gjetur edhe deklaratat reale të tij për mërgimtarët. (këtu)

Një faqe në median sociale Facebook ka publikuar një imazh të një personi me veshje ushtarake, me mbishkrimin “Vritet në Gaza Majori Britanik Aleksandër Emanuel”. Mirëpo, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se pretendimi nuk qëndron dhe se ky imazh ekziston në rrjet që nga viti 2008. (këtu)

Clickbait

Portali informativ “Albeu.com” ka publikuar një artikull me titull “Shokuese/ Burri djeg gruan dhe mbyt me zinxhir 2 djemtë: ‘Ishin të pushtuar nga djalli’”.Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet “Italia është shokuar nga një ngjarje e rëndë. Një burrë ka masakruar bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, Kevin 16 vjeç dhe Emanuel 5 vjeç”. (këtu)

Mashtrim

Një postim me pretendimin që ofron mundësi për kredi biznesi deri në 50 mijë euro është publikuar në Facebook nga faqja “Kredi e Sigurt” në Facebook. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo faqe ka publikuar postimin që paraqet njoftim të rremë. Hibrid.info ka arritur të vërtetojë se postimi është marrë nga njoftimi i bankës “ProCredit Bank Kosova” dega në Kosovë dhe i është ndryshuar përshkrimi. (këtu)

Teori konspirative

Një llogari në median sociale “Telegram” me përmbajtje në gjuhën serbe, ka publikuar disa fletushka me përmbajtje në gjuhën serbe të shpërndara në Veri, përmes së cilave u bëhet thirrje qytetarëve që të “synojnë patrullën e policisë së Kosovës, të injorojnë policin kur ai flet me ta dhe të demolojnë veturat zyrtare”. Kjo llogari pretendon pa fakte se “shërbimet e sigurisë së Kosovës” i kanë shtypur dhe shpërndarë fletushkat në cirilik dhe me emrin “Mbrojtja Popullore” nën flamurin serb, për t’u dukur bindëse dhe për të shkaktuar konfuzion tek serbët. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, Policia e Kosovës si dhe Lista Serbe nuk janë lëshuar në pretendimin se kjo vepër është kryer nga “shërbimet e sigurisë së Kosovës”, siç thuhet në postimin e llogarisë në Telegram. (këtu)

Teori konspirative/ Clickbait

Një faqe në Facebook me emrin “Tringa Globale” ka publikuar një postim mbi një deklaratë të konspiracionistit, Arianit Sllamniku. Në bazë të mbishkrimit në postim, konspiracionisti në deklarim ka paralajmëruar për luftë në Kosovë, gjatë muajve nëntor ose dhjetor të vitit 2023. Por pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se deklarimi i Sllamnikut dhe artikulli në lidhje me këtë deklarim, janë publikuar në muajin tetor të vitit të kaluar (2023). (këtu)

Clickbait/Dezinformatë

Një faqe në median sociale Facebook ka publikuar një fotografi me mbishkrimin “215 qytetarë të helmuar, komuna e Malishevës del me njoftim: Situata po shkon drejt normalizimit” duke i bashkëngjitur një vegëz në koment për të klikuar në siç thuhet aty “videon e plotë”. Pas klikimit në vegëzën e dhënë në koment, hapet një artikull i vjetër i publikuar më 15 tetor të vitit 2023. Pra, faqja në fjalë ka publikuar një artikull për helmimin e qytetarëve në Malishevë të datës 15 tetor, të cilin e ka paraqitur si aktual. (këtu)

Një faqe në Facebook me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Stuhi shiu, rrufe dhe ulje temperaturash! Kjo do të jetë dita më e ftohtë e javës, bëni gati xhupat”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se artikulli ka të bëjë me parashikimin e motit në Shqipëri dhe se i njëjti është i vjetër. Pra, faqja në fjalë ka publikuar një artikull për parashikimin e motit të datës 15 tetor të vitit të kaluar, të cilin e ka paraqitur si aktual. (këtu)

Një portal informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Tronditëse/ Babai “shet” vajzën e mitur tek i moshuari: Më linte 2-20 euro çdo herë që… Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, që nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Greqi. (këtu)

Manipulim i fakteve

Një faqe në Facebook me emrin “Fleta Press” ka publikuar (11 shkurt) një postim me mbishkrimin “Vuçiç: Kurtin nuk do ta lejojmë ta fitojë Ahmetin dhe ta kontrollojë shtetin!”. Këtij postimi i është bashkangjitur edhe një artikull i portalit “fol.mk”, me të njëjtin titull. Por pas verifikimit, deklarata e pretenduar e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në titull, nuk përputhet me atë të cilën figuron në përmbajtje të këtij artikulli. (këtu)

Portali informativ “Ntv Televizion” ka publikuar një imazh në Facebook, më portretin e ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien. Fotografisë së ndihmës Sekretarit O’Brien i është shtuar edhe mbishkrimi që pretendon se ai është deklaruar se SHBA-të ,“Qeverinë e Kosovës nuk e konsiderojmë si partnere”. Pas verifikimit nga hibrid.info është vërtetuar se deklarata si e tillë e O’Brien, nuk është publikuar e plotë. (këtu)

Gabim

Portali informativ “Kosova.info” ka publikuar një artikull me titull “Bankierja dërgon në polici 2 euroshe të falsifikuara që arrijnë shumën mbi 7 mijë”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se në titull është pretenduar gabimisht për shumën e monedhave të falsifikuara, që janë dërguar në polici. Në përmbajtje të artikullit gjendet raporti i Policisë së Kosovës lidhur me këtë rast, ku sqarohet se në stacionin policor në Podujevë janë dorëzuar 7380 monedha metalike nga 2 €, që dyshohet se janë të falsifikuara. Pra, shuma e 7380 monedhave metalike nga 2 €, arrin shifrën prej 14 mijë e 760 euro. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Një llogari në median sociale “Telegram” me përmbajtje në gjuhën serbe, ka pretenduar se Policia e Kosovës në fshatin Kajkovë të Leposaviqit, ka arrestuar një person të nacionalitet serb, të cilin, sipas kësaj llogarie e kanë rrahur në prani të fëmijëve. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi i bërë nga kjo llogari nuk qëndron. Në raportin 24 orësh të lëshuar nga Policia e Kosovës (PK), lidhur me këtë rast thuhet se personi i lartpërmendur është arrestuar dhe liruar më pas në procedurë të rregullt, pasi nuk ju kishte bindur urdhrave të zyrtarëve policorë dhe e i njëjti me veturën e tij kishte goditur veturën zyrtare të Policisë. (këtu)

Dezinformatë

Mediumi në gjuhën serbe “Alo.rs” ka publikuar një artikull më 14 shkurt lidhur me shtatoren e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të zbuluar në Peran të Podujevës. Ky medium, duke iu referuar një burimi të pa identifikueshëm, pretendon se shtatorja në fjalë është ngritur nën dëshirën dhe dijeninë e Kurtit. Pas hulumtimit të bërë nga hibrid.info, nuk është gjetur ndonjë reagim i kryeministrit Kurti lidhur me shtatoren e ngritur në Peran të Podujevës. (këtu)

Share With Others

Translate »