Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë javës së kaluar, monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale ka treguar se forma kryesore e çrregullimit informativ ka qenë përhapja e mashtrimeve, lajmeve të rreme dhe përmbajtjeve të paverifikuara.
Javën e kaluar, mashtrimet në rrjetet sociale janë shpërndarë përmes postimeve të sponsorizuara në Facebook, ku janë keqpërdorur emrat dhe logot e kompanive të njohura. Një faqe me emrin “Amy Allen” ka publikuar një reklamë që ofronte punësim të rremë në emër të “Alibaba Group”, ndërsa një tjetër faqe, “Weekly Wow Promo”, ka shpërndarë një postim mashtrues duke përdorur logon e “Viva Fresh Store”, duke premtuar kupona në vlerë prej 300 eurosh në këmbim të të dhënave personale të përdoruesve. Hulumtimi i hibrid.info ka konfirmuar se të dyja rastet janë mashtrime dhe nuk kanë lidhje me kompanitë përkatëse.
Në javën që shkoi u publikuan përmbajtje të paverifikuara që kanë krijuar keqinformim në publik. Më 31 maj, në platformën X (ish-Twitter), llogaria shqipfolëse “Brerore” publikoi një fotografi të një tanku të shoqëruar me pretendimin se i përkiste ushtrisë shqiptare gjatë stërvitjes “Europe Defender 2025”. Verifikimi i hibrid.info zbuloi se fotografia ishte e një tanku rus dhe datonte nga viti 2015. Ndërkohë, më 2 qershor, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, u përhap pretendimi se Koordinatorja e OKB-së në Kosovë kishte kërkuar ndërprerjen e kontakteve zyrtare me Qeverinë Kurti. Megjithatë, më 3 qershor, përmes një reagimi në Facebook, ekipi i OKB-së në Kosovë theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë mbetet i qëndrueshëm, duke e relativizuar pretendimin e bërë publikisht, edhe pse nuk u mohua në mënyrë eksplicite.
Këtë javë janë shpërndarë edhe lajme të rreme në median sociale TikTok, ku janë paraqitur pretendime të pabazuara për pajisje ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Më 3 qershor, një video e publikuar nga llogaria “forca.kosovesfsk” pretendonte se Turqia po dhuron automjete ushtarake BMC ALTUG 8×8 për Kosovën, pretendim i cili rezultoi i pavërtetë. Po ashtu, më 1 qershor, një video tjetër e shpërndarë nga llogaria “besimlikaj” paraqiste një automjet ushtarak Stryker në Kanada, duke u prezantuar si pjesë e FSK-së. Sipas verifikimit të hibrid.info, automjeti është prodhim kanadez dhe përdoret nga ushtria amerikane, por nuk bën pjesë në inventarin e FSK-së.
Një tjetër rast dezinformimi dhe mashtrimi është publikuar më 31 maj nga faqja “Kosova e Re” në Facebook, ku pretendohej se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike për 30% duke filluar nga muaji tetor. Ky pretendim, i shpërndarë në një faqe me mbi 48 mijë ndjekës, është verifikuar nga hibrid.info si i pavërtetë. Për më tepër, imazhi i përdorur në këtë postim rezultoi i manipuluar, duke shtuar elementë që nuk përfaqësojnë deklarata zyrtare të ZRRE-së.
Dezinformatë/Mashtrim
Përmes një postimi të publikuar të shtunën (31 maj), pretendohet se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka deklaruar se energjia do të shtrenjtohet 30% përsëri nga muaji tetor. Ky pretendim u postua në Facebook nga faqja “Kosova e Re”, e cila numëron mbi 48 mijë ndjekës. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, rezultoi se ky pretendim është i pavërtetë. Në fakt, imazhi i përdorur në postim është manipuluar. (këtu)
Mashtrim
Publikohet një fotografi që paraqet një mundësi për punësim me kohë të pjesshme, ku tregohen kushtet dhe përfitimet. Kjo përmbajtje, që mban logon e kompanisë së shitje elektronike “Alibaba Group”, është publikuar si e sponsorizuar, nga një faqe në Facebook me emrin “Amy Allen”. Hibrid.info ka gjetur se përmbajtja në emër të Alibaba Group për punësim, është mashtrim. (këtu)
Në një postim të publikuar në Facebook, i cili përdor fotografinë me logon e rrjetit të marketeve “Viva Fresh Store”, pretendohet se kjo kompani po dhuron kupona në vlerë prej 300 eurosh. Për të marrë pjesë në këtë shpërblim, përdoruesve u kërkohet të klikojnë një vegëz dhe të japin të dhënat e tyre personale. Pretendimi u publikua dje (6 qershor) nga një faqe në Facebook që mban emrin “Weekly Wow Promo”. Pas një hulumtimi të realizuar nga hibrid.info, është vërtetuar se faqja në fjalë në Facebook nuk ka asnjë lidhje me kompaninë “Viva Fresh Store”, ndërsa vegëza (domain-i) i publikuar rezulton të jetë i dyshimtë. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
Është publikuar një fotografi ku shihet një tank, e shoqëruar me mbishkrimin: “Ushtria e fuqishme e Shqipërisë në Europe Defender 2025”. Ky postim u publikuar me 31 maj në X (ish-Twitter) nga llogaria në gjuhën shqipe “Brerore”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se tanku është rus dhe fotografia është e vjetër, e publikuar në vitin 2015. (këtu)
Përmes një artikulli të publikuar në portalin informativ “klankosova.tv” pretendohet se “Koordinatorja e OKB-së në Kosovë kërkon të mos mbahen kontakte zyrtare me Qeverinë Kurti”. Ky pretendim u bë më 2 qershor në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, nga autori i këtij emisioni, Adriatik Kelmendi. Përmes një reagimi përmes faqes zyrtare në Facebook, ekipi i OKB-së në Kosovë, më 3 qershor ka theksuar se vazhdon bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës. Edhe pse, ekipi i OKB-së në Kosovë nuk ka mohuar decidivisht pretendimin e Kelmendit, përmes këtij njoftimi ka sqaruar se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës është i vazhdueshëm dhe i fortë. (këtu)
Lajm i rremë
Publikohet një video-material ku shihen automjete ushtarake, për të cilat pretendohet se Turqia po ia dhuron Kosovës. Përmbajtja është publikuar të martën (3 qershor) në TikTok nga një llogari me emrin “forca.kosovesfsk”. Pretendimi me anë të një videoje se Turqia po ia dhuron Kosovës automjetet ushtarake (BMC ALTUG 8×8) të shfaqura në video nuk qëndron. (këtu)
Publikohet një video-material, ku shihet një automjet ushtarak në Kanada, për të cilin pretendohet se i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo përmbajtje është publikuar (1 qershor) në TikTok nga një llogari me emrin “besimlikaj”. Hibrid.info ka gjetur se nuk bëhet fjalë për pajisje të cilën e posedon FSK-ja. Automjeti në fjalë është i tipit Stryker, i prodhuar në Kanada dhe i përdorur nga ushtria amerikane dhe jo pjesë e inventarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. (këtu)