[email protected]
Rishikimi i javës: Teori konspirative nga Vuçiq rreth operimit të dronëve “Bayraktar” të Kosovës, mashtrim me rezultatet e një sondazhi të vjetër duke e paraqitur si të ri
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, lajmet e rreme, teoritë konspirative dhe përmbajtjet mashtruese janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Lajmet e rreme u publikuan në media sociale. Në TikTok pretendimi i rremë se Ismail Kadare ka thënë, “Kurti nuk mund të krahasohet me Thaçin sa i përket kontributit për liri”; në TikTok është publikuar një fotografi, në të cilën paraqiten disa persona me veshje ushtarake, përmes së cilës pretendohet se pamjet tregojnë paramilitarët serbë duke u bërë gati të hyjnë në Kosovë. Po ashtu, pretendohet se fotografia u realizua me dron nga inteligjenca amerikane; në një publikim në TikTok është pretenduar se kryeministri aktual Albin Kurti në vitin 1998 kishte deklaruar për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)” se “ata që mbështesin Amerikën dhe Rugovën janë kundër Kosovës”.

Teori konspirative janë vlerësuar pretendimet pa fakte të Presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në një deklaratë të bërë me 3 korrik, se Kosova i ka lëshuar dronët “Bayraktar” për t’i zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe; rrahja e një qytetari serb në Kosovë,  nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është interpretuar pa asnjë fakt se ngjarja ka ndodhur për motive etnike; përmes një video-materiali pretendohet se pamjet paraqesin pllaka të arit në një tunel nga Vatikani në Jerusalem rreth 1500 milje të gjatë.

Përmbajtjet mashtruese janë publikuar në media sociale. Në TikTok është publikuar një përmbajtje me pretendimin se tregon pagat mesatare në sektorin publik, për vendet e Ballkanit, duke e renditur Kosovën si të tretën nga këto shtete; një përmbajtje që pretendon se nga qershori i vitit 2024, personat mbi moshën 50 vjeçare në Kosovë, do të marrin rimbursim ndërmjet 63% dhe 91% të faturave të energjisë elektrike; një llogari në TikTok ka pretenduar rrejshëm për publikimin e një sondazhi të ri lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Manipulim i fakteve janë vlerësuar përmbajtjet me anë të së cilës pretendohet se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden është deklaruar se “Bjellorusia është vendi ynë i preferuar i NATO-s”; si dhe përmes një fotografie pretendohet se rinia nuk i shkon në takim Albin Kurtit dhe se i njëjti po e humb mbështetjen e qytetarëve.

Manipulim i fakteve/dezinformatë është vlerësuar një artikull i publikuar në media që pretendon se numri i popullsisë në Shqipëri ka rënë për 17% që nga viti 2011. Madje sipas të njëjtit artikull, Kosova tashmë ka banorë më shumë se Shqipëria.

Dezinformatë/clickbait është vlerësuar titulli i artikullit “Vendimi i fundit, Serbia do ta dorëzojë Radojiçiçin, Serwer: Dështimi me turp i Lajçak”, i publikuar në media.

Clikcbait janë vlerësuar publikimet e tre portaleve në gjuhën shqipe, të cilat në ditët e fundit kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues, me ngjarje që kanë ndodhur në vende të tjera, apo edhe duke mos treguar në titull se bëhet fjalë për opinion të dikujt dhe jo për fakt të kryer.

Manipulim i fakteve

Publikohet një përmbajtje me anë të së cilës pretendohet se presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden është deklaruar se “Bjellorusia është vendi ynë i preferuar i NATO-s”. Pretendimi është publikuar në Facebook (28 qershor) nga llogaria “Investiguesi Shkrimor”, me anë të një video-materiali shkëputur nga debati ndërmjet Donald Trump dhe Joe Biden, kandidatë për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Në bazë të asaj që shihet e dëgjohet, Biden ka folur për rrezikun që sipas tij paraqet Vladimir Putin për Ukrainën e vendet përreth, si Polonia e Bjellorusia. (këtu)

Përmes një fotografie pretendohet se rinia nuk i shkon në takim Albin Kurtit dhe se i njëjti po e humb mbështetjen e qytetarëve. Në këtë fotografi paraqitet pamje e një tubimi, ku disa nga karriget shihen të zbrazëta. Postimi u publikua me 27 qershor nga llogaria “tavnikcitypdk” në median sociale TikTok. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pamjet janë marrë nga Konferenca Ndërkombëtare e organizuar më 25 qershor nga Rinia për VETËVENDOSJE!. Në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook janë publikuar disa fotografi nga kjo ngjarje, në të cilat shihet se salla ishte e mbushur. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Është publikuar një artikull që pretendon se numri i popullsisë në Shqipëri ka rënë për 17% që nga viti 2011. Madje sipas të njëjtit artikull, Kosova tashmë ka banorë më shumë se Shqipëria. Artikulli është publikuar më 29 qershor nga portali në gjuhën shqipe që operon në Zvicër, “lecanton27.ch”. Hibrid.info ka vërtetuar se përqindja e rënies së numrit të popullsisë, në krahasim me regjistrimin e vitit 2011 në Shqipëri, është më e ulët nga sa pretendohet në artikullin e lartcekur. Po ashtu pretendimi se Kosova ka numër më të madh të banorëve se Shqipëria, është i pasaktë. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

“Vendimi i fundit, Serbia do ta dorëzojë Radojiçiçin, Serwer: Dështimi me turp i Lajçak” mban titullin një artikull. Artikulli u publikua (1 korrik) nga portali informativ “ntv.al”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është i pasaktë. Në përmbajtje të artikullit, bëhet e qartë se profesori amerikan Daniel Serwer, në opinionin e tij ka thënë se Serbia duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin në Kosovë për gjykim, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023. Pra, Serwer nuk ka thënë se Serbia “do ta dorëzojë” Radoiçiin, por se “duhet ta dorëzojë” të njëjtin. Rrjedhimisht, nuk ka vendim se Serbia do ta dorëzojë të dyshuarin kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë, Millan Radoiçiq, siç pretendohet në titullin e artikullit të “ntv.al”. (këtu)

Lajm i rremë

“Në politikë s’ka personalitet që inkuadrohet dhe largohet pa gabime. Por, thënë troç: në peshoren e historisë, Kurti nuk mund të krahasohet me Thaçin sa i përket kontributit për liri. Thaçi nuk është politikan i rëndomtë, është epokë”. Kjo është e deklarata e pretenduar të jetë bërë nga shkrimtari Ismail Kadare, e publikuar (1 korrik) nëpërmjet një fotografie me mbishkrim, në TikTok nga llogaria me emrin “ilirnews”. Kadare ka dhënë komentet e tij për ish-presidentin Thaçi, po asnjëherë në raport me ndonjë politikan tjetër. (këtu)

Është publikuar një fotografi, në të cilën paraqiten disa persona me veshje ushtarake, përmes së cilës pretendohet se pamjet tregojnë paramilitarët serbë duke u bërë gati të hyjnë në Kosovë. Po ashtu, pretendohet se fotografia u realizua me dron nga inteligjenca amerikane. Kjo fotografi me këtë pretendim, të cilës i është shtuar edhe emërtimi si “Lajmi i fundit” u publikua (2 korrik) në TikTok nga llogaria që mban emrin “sekreti_07”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e vjetër (e publikuar më 4 shtator 2023) dhe paraqet disa pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë. Gjithashtu, imazhi nuk u shkrep nga inteligjenca amerikane, siç pretendohet. E njëjta u gjet e publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi në datën e lartcekur. (këtu)

Në një publikim në TikTok është pretenduar se kryeministri aktual Albin Kurti në vitin 1998 kishte deklaruar për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)” se “ata që mbështesin Amerikën dhe Rugovën janë kundër Kosovës”. Pretendimi është publikuar nga llogaria me emrin “mentoralbodollar” në TikTok të enjten (4 korrik). Në imazhin e publikuar pretendohet të ketë qenë ballina e gazetës gjermane, me një fotografi të vjetër të Kurtit, që kinse ka thënë se ata që mbështesin Amerikën dhe presidentin e Kosovës atëkohë, Ibrahim Rugova, janë kundër Kosovës. “Wer die USA und Rugova unterstuzt, ist gegen Kosovo”, është titulli në gjuhën gjermane që pretendohet të ketë qenë publikuar në gazetë. Por publikimi del të jetë i rremë. (këtu)

Teori konspirative

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në një deklaratë të bërë (3 korrik), ka pretenduar pa fakte se Kosova i ka lëshuar dronët “Bayraktar” për t’i zbuluar pozicionet e ushtrisë serbe. Këtë deklaratë, ai e ka bazuar në ngjarjen e 31 majit, kur Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) bëri testimin e dronëve në fjalë në Aeroportin e Gjakovës. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion publik që do të mbështeste pretendimet e presidentit serb. Krahas kësaj, pretendimi i Vuçiqit është demantuar nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës. (këtu)

Përmes një video-materiali pretendohet se pamjet paraqesin pllaka të arit në një tunel nga Vatikani në Jerusalem rreth 1500 milje të gjatë. Pretendimi u publikua nga një llogari në gjuhën sllovene në Facebook, e që e njëjta është shpërndarë më pas edhe nga llogari në gjuhën shqipe. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur se nga janë marrë këto pamje. Gjithashtu, pretendimi i bërë se tuneli 1500 milje i gjatë (rreth 2400 kilometra), nuk qëndron, pasi distanca mes Vatikanit dhe Jerusalemit është 4057 kilometra. (këtu)

“Rrahja e Mlladen Gjoshiqit është një valë e re e frikësimit të serbëve në Kosovë dhe pasojat e politikës antiserbe të Albin Kurtit”, mban titullin komunikata e lëshuar (6 korrik) nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në këtë komunikatë, kjo zyrë ka reaguar pas raportimin për rrahjen e një qytetari serb mbrëmë (5 korrik) në Bërnicë afër Prishtinës, duke pretenduar pa asnjë fakt se ngjarja ka ndodhur për motive etnike. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka gjetur deklaratën e qytetarit që dyshohet se u rrah mbrëmë, dhënë për mediumin në gjuhën serbe “Kosovo-online.com”. Në këtë deklaratë, personi i apostrofuar ka dhënë detaje për rastin. Ai ka treguar se edhe më herët me të dyshuarin kanë pasur probleme, siç ceket në artikull të “Kosovo-online.com”, për punën që ata bëjnë – “shitjen e perimeve”. Ai në asnjë rast nuk ka përmendur se ngjarja ka ndodhur për motive etnike, siç pretendohet në komunikatën e zyrës së lartcekur. (këtu)

Mashtrim

Publikohet përmbajtje që pretendon se tregon pagat mesatare në sektorin publik, për vendet e Ballkanit, duke e renditur Kosovën si të tretën nga këto shtete. Pretendimi është publikuar në TikTok nga një llogari me emrin “folejadardanis”, me anë të një imazhi ku shfaqen flamujt e vendeve të Ballkanit, me shifrat e pretenduara të pagës mesatare për secilin nga këto shtete. Hibrid.info ka gjetur se në fotografi janë paraqitur pagat minimale të këtyre vendeve dhe në të njëjtën është ndërhyrë duke manipuluar me të dhënat sa i përket Kosovës. (këtu)

Është publikuar një përmbajtje që pretendon se nga qershori i vitit 2024, presonat mbi moshën 50 vjeçare në Kosovë, do të marrin rimbursim ndërmjet 63% dhe 91% të faturave të energjisë elektrike. Pretendimi është paraqitur me anë të një një vegëze në formë imazhi, e publikuar (19 qershor) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “Connie”, në Facebook. Ndonëse në imazhin e publikuar shihet logoja e Republikës së Kosovës, hibrid.info ka gjetur se nuk ka vendim zyrtar institucional që ofron mundësinë e pretenduar. (këtu)

Llogaria me emrin “tavnikcitypdk” në TikTok ka pretenduar për publikimin e një sondazhi të ri lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se nuk bëhet fjalë për sondazh të ri. Në këtë publikim janë marrë të dhëna nga një sondazh i vjetër, ndërsa janë bërë manipulime duke e ndryshuar renditjen e partive në listë. (këtu)

Clickbait

Tri portale në gjuhën shqipe në dy ditët e fundit kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues, me ngjarje që kanë ndodhur në vende të tjera, apo edhe duke mos treguar në titull se bëhet fjalë për opinion të dikujt dhe jo për fakt të kryer. Të tre artikujt përdorin fotografi ilustruese. “Tronditëse/ 12-vjeçari arrestohet për abuzim seksual me një 9-vjeçare”, mban titulli i artikullit të publikuar të mërkurën (3 korrik) nga mediumi “botasot.info”. Për fotografi, ky portal ka përdorur një ilustrim. Pas verifikimit, hibrid.info gjeti se edhe vetë artikulli tregon se rasti ka ndodhur në Diavata të Selanikut në Greqi. Titulli dhe fotografia janë përdorur edhe në rrjete sociale. Lajmi është marrë nga raportimet në Greqi. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »