[email protected]
Nuk ka vendim nga Serbia për dorëzimin e Millan Radoiçiqit
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Vendimi i fundit, Serbia do ta dorëzojë Radojiçiçin, Serwer: Dështimi me turp i Lajçak” mban titullin një artikull.

Artikulli u publikua dje (1 korrik) nga portali informativ “ntv.al”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është i pasaktë. Në përmbajtje të artikullit, bëhet e qartë se profesori amerikan Daniel Serwer, në opinionin e tij ka thënë se Serbia duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin në Kosovë për gjykim, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023. (këtu)

Pra, Serwer nuk ka thënë se Serbia “do ta dorëzojë” Radoiçiin, por se “duhet ta dorëzojë” të njëjtin. Rrjedhimisht, nuk ka vendim se Serbia do ta dorëzojë të dyshuarin kryesor për sulmin e armatosur në Banjskë, Millan Radoiçiq, siç pretendohet në titullin e artikullit të “ntv.al”.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “ntv.al”:


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se këtë artikull, “ntv.al” e ka marrë nga portali “AlbanianPost.com”, të cilit më pas i ka ndryshuar titullin.

Në portalin “AlbanianPost.com”, artikulli mban titullin “Serwer: Lajçak ka dështuar, Serbia ta dorëzojë Radojiçiçin”. (shih këtu)


Për ta vërtetuar edhe më shumë se çka në të vërtetë tha Serwer, hibrid.info ka gjetur opinionin e profesorit amerikan të publikuar në blog-un e tij personal, “peacefare.net”. (shih këtu)

Pjesë nga opinioni i Daniel Serwerit, përkthyer në shqip:

Tani do të ishte një moment i mirë për Beogradin që të sigurojë që Millan Radoiçiq të paguajë për krimet e tij dhe të mos jetë në gjendje të rimëkëmbet politikisht. Serbia duhet ta dorëzojë atë në Kosovë për gjykim.


Analiza:

Pretendimi i portalit informativ “ntv.al” se ka një vendim nga Serbia për dorëzimin e Radoiçiqit në Kosovë, nuk është i saktë.

Hibrid.info ka gjetur se profesori amerikan në blog-un e tij personal, është shprehur se Serbia duhet ta dorëzojë Radoiçiqin për gjykim në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »
1406