[email protected]
Artikujt “clickbait” që u gjetën gjatë dy ditëve të fundit në mediat online
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Tri portale në gjuhën shqipe në dy ditët e fundit kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues, me ngjarje që kanë ndodhur në vende të tjera, apo edhe duke mos treguar në titull se bëhet fjalë për opinion të dikujt dhe jo për fakt të kryer.

Të tre artikujt përdorin fotografi ilustruese.

Çfarë tituj përdorën këto mediume në gjuhën shqipe dhe çka gjeti hibrid.info?

“Tronditëse/ 12-vjeçari arrestohet për abuzim seksual me një 9-vjeçare”, mban titulli i artikullit të publikuar të mërkurën (3 korrik) nga mediumi “botasot.info”. Për fotografi, ky portal ka përdorur një ilustrim. Pas verifikimit, hibrid.info gjeti se edhe vetë artikulli tregon se rasti ka ndodhur në Diavata të Selanikut në Greqi. Titulli dhe fotografia janë përdorur edhe në rrjete sociale (Shih këtu). Lajmi është marrë nga raportimet në Greqi (Shih këtu). 

Vegëza e artikullit të publikuar nga “botasot.info”:

https://archive.is/1qnCD


Në rastin tjetër, “kosova-sot.info” ka shkruar për pezullim të mbi 20 policëve dhe ka përdorur një fotografi me mbishkrimin “Lajmi i Fundit”. “Pezullohen nga detyra mbi 20 policë” mban titullin artikulli i publikuar të mërkurën. Lajmi flet për pezullim të punonjësve të drejtorisë së Policisë në Korçë dhe drejtorisë së Kufirit e Migracionit. Ndërsa njoftimi i Policisë së Shtetit thekson se janë pezulluar 19 punonjës dhe se ndaj tyre kanë nisur hetimet (Shih këtu).

Vegëza e artikullit të publikuar nga “kosova-sot.info”:

https://archive.is/gT3wj


Rasti i tretë nuk ka të bëjë me mospërmendje të lokacionit ku ka ndodhur ngjarja, por në titull nuk tregohet se bëhet fjalë për qëndrim të një personi. “Ardhja në pushtet e Donald Trump do riaktualizojë ndarjen e Kosovës” titullohet artikulli i publikuar nga “ntv.al” të enjten (4 korrik). Përderisa titulli çorientues e konsideron këtë çështje si fakt të kryer, në artikull tregohet se bëhet fjalë për qëndrime të profesorit amerikan, Daniel Serwer. (Shkrimi i Serwer)

Vegëza e artikullit të publikuar nga “ntv.al”:

https://archive.is/i7Rlk


Analiza:

Portalet e lartcekura “botasot.info”, “kosova-sot.info” dhe “ntv.al” kanë publikuar artikuj me tituj çorientues duke mos e treguar vendin ku kanë ndodhur ngjarjet e raportuara, apo edhe s’kanë treguar se bëhet fjalë për opinion.

Pas analizës së kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, këta tituj vlerësohen si “clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »
1406