[email protected]
Pretendohet rrejshëm se popullsia në Shqipëri ka rënë për 17% dhe se tash ka më pak banorë se Kosova
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një artikull që pretendon se numri i popullsisë në Shqipëri ka rënë për 17% që nga viti 2011. Madje sipas të njëjtit artikull, Kosova tashmë ka banorë më shumë se Shqipëria.

Artikulli është publikuar më 29 qershor nga portali në gjuhën shqipe që operon në Zvicër, “lecanton27.ch”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka vërtetuar se përqindja e rënies së numrit të popullsisë, në krahasim me regjistrimin e vitit 2011 në Shqipëri, është më e ulët nga sa pretendohet në artikullin e lartcekur. Po ashtu pretendimi se Kosova ka numër më të madh të banorëve se Shqipëria, është i pasaktë.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “lecanton27.ch”:

https://archive.is/NIjOc


Kreu i këtij artikulli:

“FATI SHQIPERISE NË RREZIK / Shqipëria e Edi Ramës ne rrezik, po zhduket: Vendi ka humbur 17% të popullsisë që nga viti 2011 dhe eksodi me mbi 1 milionë tjere ne vendet perendimore. Kosova, sot ka banorë më shumë se Shqipëria!”


Hibrid.info ka gjetur video-materialin e konferencës së rezultateve kryesore nga regjistrimi i popullsisë në Shqipëri, të publikuar në kanalin zyrtar të “Top Channel Albania” në Youtube (shih këtu).

Në bazë të të dhënave të publikuara, numri i popullsisë nga ky regjistrim del të jetë 2,402,113 banorë, apo siç tregohet rreth 420 mijë më pak se regjistrimi i vitit 2011.


Sipas raportit përfundimtar të Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT), të gjetur me anë të makinave të kërkimit, informatat e plota të publikuara në vitin 2013, për regjistrimin e vitit 2011, tregojnë se Shqipëria numëronte 2,821,977 banorë, që do të thotë 419,864 banorë më shumë se regjistrimi i realizuar në vitin e kaluar (shih këtu).


Përqindja e rënies së popullsisë e llogaritur nga hibrid.info, rezulton të jetë 14.87% e jo 17%, ashtu siç pretendohet në artikullin e lartpërmendur. (shih më poshtë fotografitë)


Hibrid.info ka trajtuar edhe pretendimin që thotë se Kosova ka numër më të madh banorësh se Shqipëria.

Shifrat tregojnë se numri i banorëve në Kosovë, në regjistrimin e vitit 2021, ishte 1.739.825 (këtu), ndërsa rezultatet për regjistrimin e realizuar në vitin 2024, ende nuk janë publikuar (shih këtu dhe këtu).


Analiza:

Pretendimet që thonë se Shqipëria ka rënie prej 17% të popullsisë dhe se Shqipëria tashmë ka numër më të vogël të banorëve se Kosova, janë të pasakta.

Numri i përqindjes së rënies së popullsisë së Shqipërisë nga viti 2011 është 14.8%. Megjithë rënien, vendi ende numëron numër më të madh të banorëve se Kosova.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.


Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »
1406