Shkroi: Fatbardh Dema
Që nga 13 shtatori, kur nisi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale 2025, hibrid.info ka identifikuar, trajtuar dhe vlerësuar tetë sondazhe të publikuara në gjashtë artikuj.
Megjithatë, ky fenomen po vazhdon të shfaqet edhe në rrjete sociale, ku publikohen përmbajtje të reja të këtij lloji pothuajse çdo ditë.
Që nga 2 tetori, hibrid.info ka zbuluar edhe tri sondazhe tjera të rreme, të cilat pretendohet se janë realizuar për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Deçanit.
Më 2 tetor, faqja në Facebook “Lajme Flash” publikoi një postim, duke pretenduar se paraqet një sondazh për kandidatët për kryetar të Prishtinës. Në këtë përmbajtje thuhet se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka fituar përqindjen më të lartë të mbështetjes – 28%, krahasuar me kandidatët e tjerë. (shih fotografinë më poshtë)

Pas një hulumtimi të kryer nga hibrid.info, u konstatua se nuk ekziston asnjë sondazh i publikuar së fundmi që mat mbështetjen për kandidatët për kryetar të Prishtinës. (shih këtu)
Në këtë postim nuk specifikohet se nga cila kompani është realizuar sondazhi, ndërsa përmbajtja nuk përmban as të dhëna mbi kohën apo periudhën e realizimit të anketës, çka e bën atë jo të besueshme.
Një tjetër rast u gjet më 3 tetor në TikTok, ku llogaria “gilan2026” publikoi një video me pretendimin se paraqet një sondazh për kandidatët për kryetar të Gjilanit.
Sipas këtij postimi, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, renditet i pari me 52% të mbështetjes. (shih fotografinë më poshtë)

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se nuk është realizuar asnjë sondazh kredibil për kandidatët në këtë komunë. (shih këtu)
Njësoj si në rastin e sondazhit për Prishtinën, edhe këtu mungon transparenca mbi autorin e sondazhit, kohën e realizimit dhe periudhën e matjeve, duke e bërë këtë përmbajtje të pabesueshme dhe të manipuluar.
Më 5 tetor, faqja “Deçani+” në Facebook ka publikuar një postim me pretendimin se është kryer një sondazh mbi kandidatët për kryetar të Deçanit. Përmes këtij postimi pretendohet se do të ketë balotazh ndërmjet kandidatit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Bashkim Ramosaj (41.7%) dhe kandidatit nga Iniciativa Demokracia, Shkumbin Demaliaj (20.9%).

Kjo faqe pretendon se në këtë anketë kanë marrë pjesë 1 mijë e 500 persona dhe e njëjta është kryer në periudhën 20 shtator – 5 tetor.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Faqja “Deçani+” nuk tregon se nga kush është kryer kjo anketë, si dhe fakti tjetër që e bën të dyshimtë këtë përmbajtje është se kjo faqe, bazuar në postimet e saj, nuk ka qenë aktive që nga data 18 korrik, për t’u rikthyer me postime vetëm më 5 tetor.
Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “Sondazh për komunën e Deçanit”, mirëpo rezultatet nuk shfaqin asnjë sondazh të kryer së fundmi mbi kandidatët për kryetar të kësaj komune. (shih këtu)
Rreth sondazheve
Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.
Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.
Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?
Kush u intervistua?
Si u zhvillua sondazhi?
Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?
Kur u krye sondazhi?
Sa persona u intervistuan?
A u peshua sondazhi? Nëse po, si?
A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta?
Analiza:
Vetëm gjatë datave 2–5 tetor janë identifikuar tri raste të sondazheve të rreme të publikuara në TikTok dhe Facebook, të cilat pretendojnë të paraqesin sondazhe për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Deçan.
Në rastin e parë, faqja “Lajme Flash” publikoi një sondazh të supozuar për Prishtinën, ku thuhej se kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, kryeson me 28%. Megjithatë, nuk ekziston asnjë matje reale që e mbështet këtë pretendim dhe nuk jepen të dhëna për kompaninë apo kohën e realizimit.
Rasti i dytë u gjet në TikTok, ku llogaria “gilan2026” publikoi një video me pretendimin se kandidati i VV-së, Alban Hyseni, prin me 52% në Gjilan. Edhe ky sondazh rezultoi i pabazuar, pa burim dhe pa informacion mbi metodologjinë.
Në rastin e tretë, faqja “Deçani+” publikoi një postim më 5 tetor, duke pretenduar se sondazhi i saj tregon balotazh mes Bashkim Ramosajt (41.7%) dhe Shkumbin Demaliajt (20.9%). Kjo faqe nuk tregon se kush e ka realizuar anketën, ndërsa aktiviteti i saj i papritur pas disa muajsh heshtje e bën pretendimin edhe më të dyshimtë.
Kërkimet përmes Google nuk gjetën asnjë sondazh të besueshëm apo të publikuar së fundmi për këto tri komuna, duke konfirmuar se të gjitha rastet përbëjnë sondazhe të rreme që po qarkullojnë në internet gjatë fushatës zgjedhore.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto përmbajtje si “Lajme të rreme”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.



