[email protected]
Titull dhe fotografi çorientuese për emërimin si ambasadore të këngëtares Dua Lipa
shape
shape
shape

Portali informativ me përmbajtje në gjuhën shqipe “kosovapost.net” ka publikuar dje (26 shkurt) një artikull me titull “Dua Lipa emërohet Ambasadore”, duke i bashkëngjitur edhe një fotografi ilustruese të Dua Lipës bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues, që nuk sqaron se bëhet fjalë për emërimin e këngëtares me prejardhje kosovare, Dua Lipa si ambasadore nga një brend francez të grimit “YSL Beauty”, dhe duke i vënë si fotografi ilustruese një imazh që nuk ka të bëjë me lajmin.

Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet “Që nga viti 2019, Dua Lipa ka kryesuar ekskluzivitetin “Libre” si ambasadore e markës globale të “YSL Beauty”; sot, ajo vazhdon të mishërojë në mënyrë perfekte feminitetin modern si Ambasadore e sapoemëruar Globale e grimit për “YSL Beauty”.


Vegëza e artikullit të publikuar nga “kosovapost.net”:


Pas kërkimeve online, hibrid.info ka gjetur postimin zyrtar të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të bërë në gusht të vitit 2022, ku kishte njoftuar se Dua Lipës, i është ndarë titulli Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës. (shih këtu)


Marrë parasysh këtë fakt, si dhe komentet në postimin e portalit “kosovapost.net” në artikullin e fundit (26 shkurt), titulli dhe fotografia e përdorur në këtë artikull janë çorientuese që ka bërë audiencën të mendojë se në fakt Dua Lipa është zgjedhur ambasadore e Kosovës, kjo pasi që nuk është sqaruar se bëhet fjalë për një brend bukurie si dhe pasi në fotografi shihet këngëtarja Lipa me kryeministrin e vendit, Kurtin.


Dje (26 shkurt) këngëtarja me origjinë kosovare, Dua Lipa është zgjedhur ambasadore e brendit francez “Yves Saint Laurent” (YSL), lajm ky që është raportuar edhe nga mediat ndërkombëtare. (shih këtu dhe këtu)


Se ajo është zgjedhur ambasadore e këtij brendi mund të shihet edhe në ueb-faqen zyrtare të këtij brendi. (shih këtu)


Analiza:

Një portal informativ ka publikuar një artikull për emërimin e këngëtares me origjinë nga Kosova Dua Lipa si ambasadore e një brendi francez të grimit, por në titull nuk ka sqaruar se bëhet fjalë për këtë brend, dhe i ka bashkëngjitur kështu edhe një fotografi të këngëtares Lipa me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Marrë parasysh edhe komentet që janë bërë në këtë artikull nga audienca, ky titull lë të kuptohet se ajo në fakt është emëruar ambasadore e Kosovës.

Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info këtë artikull e vlerëson si “Clickbait”.


Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others