Të fundit | Projektligji për shqiptarët në Serbi nuk është miratuar ende nga Kongresi a… Të fundit | Titulli nuk sqaron se bëhet fjalë për përfituesit që nuk plotësojnë kritere… Të fundit | Si po përdoret figura e Rifat Jasharit për të prodhuar keqinformata Të fundit | Një deklaratë e sajuar paraqitet si e Kurtit Të fundit | Rishikimi i javës: Fotografi e manipuluar me IA që paraqiste rrejshëm Llugi… Të fundit | Ibri dhe Ujmani si instrument i luftës hibride Të fundit | Si mediat serbe po ndërtojnë narrativa të paqena rreth filmit “Dua” Të fundit | Pretendohet pa fakte se Kurti ka dy emra jopartiakë për president Të fundit | Renditja e Shqipërisë në NCSI nuk nënkupton se vendi është i pari në botë p… Të fundit | Manipulohet përmes nxjerrjes nga konteksti deklarata e Kurtit për Gjykatën…
[ ARTIKULLI ]

Tjetër sondazh i rremë në prag të zgjedhjeve parlamentare

HIBRID

Shkroi: Etrit Rexhepi

Një faqe në Facebook ka publikuar një imazh nëpërmjet të cilit pretendon se shfaq sondazhin e fundit për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas pretendimit të “Gazeta Premium”, sondazhi është realizuar nga një kompani prestigjioze amerikane “UGBA”.

Imazhi paraqet përqindjet e partive, nën pretendimin se paraqesin matje për pyetjen “nëse zgjedhjet mbahen nesër – kush fiton?”

Sipas grafikut, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me 33.1 për qind. Pas saj në renditjen e pretenduar të përqindjeve është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 26.9%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 25.2%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 8%, Nisma me 2.5% dhe Të tjerët me 4.3%.

Cila është e vërteta?

  1. Nuk ka të dhëna online që konfirmojnë se ekziston një kompani amerikane me akronim apo emrin “UGBA” e që merret me matje të opinionit publik.
  2. Një sondazh i tillë nuk është bërë publik në asnjë burim kredibil informacioni.
  3. Nuk është hera e parë që hibrid.info po trajton pretendime të ngjashme sikur kjo organizatë ka kryer sondazh për zgjedhjet në Kosovë.

Hibrid.info ka verifikuar përmes “Google” nëse ekziston një kompani e tillë me akronim apo emrin UGBA dhe nëse merret me sondazhe a matje të opinionit publik. Një e tillë nuk është hasur.

Për më shumë, hibrid.info ka verifikuar edhe në Wikipedia në listën e organizatave që merren me sondazhe. As aty nuk është hasur ndonjë me akronim UGBA.


Hibrid.info ka verifikuar në “Google” edhe me fjalët “Sondazh për zgjedhjet e 28 dhjetorit”. Rezultatet nuk çuan në ndonjë burim kredibil të informacionit që ka publikuar një matje të tillë.


Për sondazh të kryer nga “kompania prestigjioze amerikane UGBA”, hibrid.info pati trajtuar edhe një publikim gjatë zgjedhjeve lokale të tetorit, për komunën e Prizrenit. (shih këtu)


Deri në momentin e trajtimit, më shumë se një ditë, kjo përmbajtje ka marrë më shumë se 780 pëlqime shikime dhe mbi 400 komente. Në komente vërehet se kjo përmbajtje ka nxitur debat, mes përdoruesve që kanë dhënë parashikimet e tyre për rezultate.

Faqja që ka publikuar ka mbi 6 mijë e 600 ndjekës (shih këtu).

Përmbajtja me të njëjtin pretendim është hasur e publikuar edhe në TikTok nga një llogari me emrin “transparentmedia1”.

Çka janë sondazhet?

Sondazhi është hulumtim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Bazuar në artikullin e institutit Pew Research (institut kërkimor për sondazhe dhe studime të bazuara në fakte), sqarohet se çfarë informata duhet të kërkohen për mënyrën se si është kryer një sondazh.

Kush e kreu sondazhin dhe kush e sponsorizoi atë?

Kush u intervistua?

Si u zhvillua sondazhi? 

Si u përzgjodhën njerëzit për sondazhin?

Kur u krye sondazhi? 

Sa persona u intervistuan? 

A u peshua sondazhi? Nëse po, si?

A duken pyetjet e sondazhit sikur janë neutrale dhe të drejta? 

Sondazhet si fenomen i mediave sociale para zgjedhjeve:

Sondazhe të rreme si formë e manipulimit të opinionit në media sociale ishin detektuar edhe gjatë periudhës para dhe gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti. Në këtë periudhë, hibrid.info kishte verifikuar 36 sondazhe të rreme. Para fillimit të fushatës zgjedhore, hibrid.info kishte paralajmëruar lexuesit për rreziqet e informacionit të pasaktë që mund të publikohet gjatë kësaj kohe, duke përmendur edhe sondazhet e rreme si një nga format e përmbajtjeve keqinformuese. Ritmi i publikimeve të sondazheve të rreme u vazhdua edhe për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor dhe 9 nëntor. (shih këtu)

Presidentja Vjosa Osmani më 20 nëntor vendosi për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalli 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Analiza:

Llogaria “transparmentmedia1” në TikTok ka publikuar një imazh nëpërmjet të cilit ka pretenduar rrejshëm se bëhet fjalë për sondazh për zgjedhjet parlamentare, të realizuar nga “kompania prestigjioze amerikane UGBA”.

Hibrid.info ka verifikuar se një akronim i tillë nuk ekziston për kompani që merren me matje të opinionit publik dhe se asnjë matje për zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk është publikuar në ndonjë burim kredibil të informacionit.

Sondazhe të rreme po qarkullojnë shpesh para zgjedhjeve për të manipuluar opinionin publik.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Raporto

Na ndihmoni të përmirësojmë duke na raportuar problemet ose sugjerimet tuaja

0 / minimum 10 karaktere