[email protected]
Vazhdon të publikohet deepfake i aeroplanit me mbishkrimin “Albin Kurti – Kosova USA”
shape
shape
shape

Llogaria në TikTok që mban emrin “sherbimisekret1945” ka publikuar (16 dhjetor) një video-material në të cilin pretendohet se në një aeroplan civil është vendosur mbishkrimi “Albin Kurti – Kosova USA”.

Në video shihet një aeroplan civil-komercial, duke parakaluar në një pistë fluturimesh, me mbishkrimin, në të cilin pretendohet se aeroplani u soll nga një biznesmen.

Por pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar në video-materialin në fjalë janë bërë ndërhyrje, duke edituar me anë të ndonjë programi/aplikacioni për “Deepfake”, gjë e cila e bën të rremë edhe pretendimin e publikuesit të video-materialit.


Vegëza e videos së publikuar nga llogaria “sherbimisekret1945” në TikTok:

https://www.tiktok.com/@sherbimisekret1945/video/7312887423610965280

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave online të kërkimit dhe aplikacioneve për verifikim të burimit të informacionit, por nuk ka arritur të gjejë një publikim të ngjashëm nga ndonjë burim tjetër.

Video po ashtu nuk është publikuar nga asnjë medium tjetër kredibil nga Kosova dhe jashtë.

Përmes verifikimit manual të fakteve, hibrid.info ka vërejtur detaje që tregojnë se në këtë video janë bërë ndërhyrje. Pra mbishkrimi “Albin Kurti – Kosova USA”, duket se është bërë përmes editimit të ndonjë programi/aplikacioni për “Deepfake”.


Në bazë të gjetjeve nga hibrid.info, tregohet se logo e vendosur në bisht të aeroplanit, është e kompanisë së aviacionit dhe prodhuesit kinez të aeroplanëve civil “COMAC”. (shih këtu)

Lloji i këtij aeroplani – “arj21-700” – është i këtij prodhuesi kinez.


Ndërsa bazuar në të dhënat nga ueb-faqja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është gjetur se kjo kompani e aviacionit nuk operon fare në Kosovë, çka tregon edhe më shumë se kjo video është edituar. (shih këtu)

Detajet tjera shtesë të gjetura tregojnë se kompanisë në fjalë i është ndaluar operimi dhe e njëjta është sanksionuar nga Qeveria Federale në SHBA, pasi që është konsideruar si ndërmarrje e kontrolluar nga “Ushtria Popullore Çlirimtare” e Kinës. (shih këtu)


Nuk është hera e parë që hibrid.info ka trajtuar video-materialin e njëjtë të publikuar në platformat sociale online. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Pretendimi i bërë përmes videos së publikuar nga llogaria në TikTok me emrin ”sherbimisekret1945”, rezulton të jetë i pavërtetë dhe i edituar përmes aplikacioneve “Deepfake”.

Faktet e trajtuar nga kontrolluesit e hibrid.info, vërtetojnë se ky aeroplan me këtë mbishkrim, ka shumë pak gjasa të jetë i vërtetë.

Bazuar në metodologjinë e hulumtimeve, kjo video-përmbajtje merr vlerësimin si “Mashtrim”.

Share With Others