[email protected]
Publikohen artikuj me tituj përgjithësues që nuk e qartësojnë ngjarjen
shape
shape
shape

Portalet në Kosovë “Kosovapost.net” dhe “Kosova-sot.info”, kanë publikuar artikuj me tituj përgjithësues, që nuk e qartësojnë vendndodhjen e ngjarjes, duke lënë vend për keqinformim.

Kosovapost.net ka publikuar artikullin me titull “Miratohet propozimin për katër ditë pune në javë”, ndërsa vetëm pasi të hapet artikulli, atëherë bëhet e ditur se ky propozim ka të bëjë me shtetin e Belgjikës.  

Një tjetër titull përgjithësues ka edhe artikulli i publikuar nga Kosova-sot.info. Në titullin e këtij artikulli shkruan “Sulmohet shteti, objektiv faqet zyrtare të qeverisë dhe bankat”, ndërsa pasi të hapet artikulli, në përmbajtje bëhet e ditur se një sulm kibernetik ka goditur faqet kryesore në Ukrainë të qeverisë dhe institucioneve të tjera të këtij shteti.

Pra të dy artikujt mbajte tituj përgjithësues, duke lënë të kuptohet se ngjarja mund të ketë ndodhur në Kosovë.


Pjesë nga artikujt e publikuar në këto portale:

Kosovapost.net

Punonjësit në Belgjikë do të mund të zgjedhin që katër ditë në javë të punojnë në kuadër të një sërë reformash, që janë duke u bërë në tregun e punës që janë paralajmëruar sot.

Kosova-sot.info

Mediat ndërkombëtare raportojnë se një sulm kibernetik ka goditur faqet kryesore në Ukrainë të qeverisë dhe institucioneve të tjera, në orët e fundit.

Sipas agjencisë së lajmeve ruse, Tass, objektiv i këtyre sulmeve ka qenë faqja e Ministrisë së Brendshme ukrainase si dhe bankat PrivatBank dhe OshadBank.


Vegëzat e artikujve të publikuar në këto portale:

https://www.kosova-sot.info/lajme/601185/sulmohet-shteti-objektiv-faqet-zyrtare-te-qeverise-dhe-bankat/


Analiza:

Portalet kosovare “Kosovapost.net” dhe “Kosova-sot.info” kanë publikuar artikuj me ngjarje që nuk kanë të bëjnë më Kosovën, ndërsa në titull nuk është bërë e qartë se fjala është për shtete tjera.

Duke e ditur se këto portale janë të regjistruara në Kosovë dhe shumicën dërmuese të lexuesve i kanë kosovarë, kjo mund t’i dezinformojë ata, duke lënë të kuptohet se këto ngjarje kanë të bëjnë me shtetin kosovar.

Nga analiza e kontrollit të fakteve e kryer nga hibrid.info, këta artikuj marrin vlerësimin si “clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others