[email protected]
Bartja e maskave në rrugë: Fakte pro dhe kundër
shape
shape
shape

Lajmet për mbajtje ose jo të maskës në rrugë, vazhdojnë të sjellin kokëçarje tek qytetarët në Kosovë dhe jo vetëm.

Përderisa në disa hulumtime thuhet se bartja e maskës është e nevojshme vetëm në hapësira me përqendrim të madh të njerëzve, institucione në anën tjetër, udhëzojnë që ato të vihen menjëherë pas daljes nga shtëpia, që i bije dhe në rrugë.

Ky udhëzim është parë me skepticizëm nga ekspertët por, në të njëjtën kohë, bije ndesh edhe me institucione ndërkombëtare të shëndetësisë.

Mikrobiologu Lul Raka me datën 8 qershor, në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka shkruar se maskat duhet të mbahen vetëm në vendet e mbyllura, duke lënë të kuptohet se nuk janë të domosdoshme të mbahen edhe në rrugë.

“Mbani distancën fizike gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim! Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë (autobus, qendra tregtare, vende të mbipopulluara me njerëz), vendosni maskat ose mburojat e fytyrës!”, shkroi Raka në Facebook.

Në kundërshtim me këshillën e mikrobiologut Raka, ishte vendimi i qeverisë së Kosovës që obligon përdorimin e maskave në rrugë, dhe parasheh gjoba për ata që nuk përfillin vendimin.

Kjo temë ka përplasur edhe institucionet ndërkombëtare. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se maskat nuk duhet të mbahen masivisht, ndërsa Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC), vazhdon të jetë pro mbajtjes së tyre edhe në hapësirat e jashtme.

“Duhet të përdorni maska vetëm kur jeni të infektuar nga “Covid-19” (sidomos kur keni kollë), ose gjendeni pranë dikujt i cili mund të jetë i prekur nga “Covid-19”. Maskat kirurgjikale mbrojtëse, mund të përdoren vetëm një herë. OBSH rekomandon përdorimin racional të maskave me qëllim parandalimin e përdorimit të panevojshëm të tyre”– thuhet në seksionin e pyetje-përgjigjeve të OBSH-së.

Nga ana tjetër, Qendra CDC rekomandon përdorimin e maskave edhe në hapësirat e jashtme, sidomos në vendet ku ka numër të madh të njerëzve.

“CDC rekomandon përdorimin e maskave në publik, aty ku masat e distancimit social janë më të vështira për t’u zbatuar (pika shitjeje apo farmaci).  CDC gjithashtu këshillon përdorimin e maskave me qëllim ngadalësimin e përhapjes së virusit si dhe për t’u lejuar njerëzve që nuk janë në dijeni se janë të infektuar, të mos infektojnë edhe të tjerët”,- thuhet në seksionin e këshillave të Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA.

Një përpalsje e ngjashme ka ndodhur edhe në Shqipëri. Vet kryeministri Edi Rama ka shfaqur mospajtime në këtë aspekt me rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Rama vazhdon t’i qëndrojë besnik pohimt se maskat nuk duhet të përdoren masivisht, e nga ana tjetër Silva Bino nga ISHP e deklaron të kundërtën.

Kryeministri i Shqipërisë më datën 18 mars bëri thirrje përmes rrjetit të tij social Facebook për mospërdorimin e maskave në mënyrë masive.

“E kemi përsëritur vazhdimisht që për ata qe nuk janë të sëmurë, nuk janë duke trajtuar një të sëmurë apo nuk punojnë në një mjedis me shumë njerëz, maskat janë jo vetëm të padobishme, po edhe të dëmshme sepse ulin vigjilencën tonë në zbatimin e rregullave bazë”, shkroi Rama.

Rama citoi virologun italian, Fabrizio Pregliasco, duke shtuar se “maskat po përdoren kot nga ata që nuk janë të sëmurë dhe se e rëndësishme është higjiena e duarve në veçanti, si dhe ajo e përgjithshme”.

Pavarësisht thirrjes së bërë nga Rama, ishte doktoresha Silva Bino nga ISHP, e cila më datën 7 prill kërkoi mbajtjen e maskave edhe në daljet jashtë ambienteve të shtëpisë.

“Është shumë e rëndësishme të zbatohen masat, të mbahet maskë kur shkojmë në supermarket, në mjedise të grumbulluara dhe të ruhet distancë midis njëri-tjetrit”- theksoi Bino. (Hibrid.info)

Share With Others