[email protected]
Keqinformatat që po qarkullojnë në mediat sociale rreth çështjes për hapjen e Urës së Ibrit
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Autoritetet e Kosovës kanë nisur plan për hapjen e urës mbi Ibër në Mitrovicë për automjete, duke shkaktuar reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare. Vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që kjo çështje të diskutohet në dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa serbët e Kosovës kanë mbajtur protesta kundër hapjes së urës.

Me gjithë kundërshtimet, Qeveria e Kosovës, vazhdon të këmbëngulë në planin për hapjen e urës. KFOR-i ka paralajmëruar se do të ndërhyjë në rast se siguria e qytetarëve vihet në rrezik. Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë, megjithëse është rënë dakord në dialogun Kosovë-Serbi që ajo të hapet edhe për automjete.

Lajmet e rreme që u publikuan në media sociale

Në media sociale, nga faqe të ndryshme me përmbajtje në gjuhën shqipe, janë publikuar dhe shpërndarë keqinformata për diskutimin e hapjes së urës mbi Ibër.

Lidhur me hapjen e urës së Ibrit, disa faqe në Facebook me përmbajtje në shqip, kanë publikuar pretendimin se komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas ka deklaruar se “Ura e Ibrit është në Kosovë dhe se ajo duhet të hapet pa pyetur askënd”. Postimi është ilustruar me fotografi të takimit të fundit që pati kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, një deklaratë e tillë nga Ulutas nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil. Pra pretendimi rezulton të jetë i rremë. KFOR përmes një komunikatë të lëshuar për media me datë 13 gusht, lidhur me këtë çështje, është shprehur se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. (këtu)

Një postim në TikTok pretendon se Turqia mbështet kryeministrin Kurti për hapjen e Urës së Ibrit. Postimi është ilustruar me fotografi të takimit të fundit që pati kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe ministrin e jashtëm, Hakan Fidan. Por që, hibrid.info nuk ka gjetur informacion të besueshëm që ta konfirmojë këtë pohim.  Nuk është gjetur ndonjë informacion i publikuar nga burime kredibile, që dëshmon se qeveria turke ka dalë me ndonjë qëndrim lidhur me hapjen e Urës së Ibrit. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në një faqe në Facebook, pretendohet se presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se trupat franceze të KFOR-it mund të tërhiqen nëse Kosova insiston ta hapë Urën e Ibrit. Në postimin e faqes së lartcekur, thuhet se ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i ka replikuar deklaratës së Francës, duke thënë se nëse shteti francez tërheq trupat nga KFOR-i në Kosovë, kjo nuk do të prishë punë dhe se Kosova e ka përkrahjen e Turqisë në vendimet për ruajtjen e territorit të Kosovës. Një deklaratë e tillë nuk është bërë nga presidenti Macron, si dhe Ministria e Jashtme e Turqisë nuk ka dalë me ndonjë reagim në lidhje me insistimin e Kosovës për të hapur Urën e Ibrit. (këtu)

Share With Others

Translate »