[email protected]
Konspirohet se dënimi i Zlatkoviqit për nxitje të përçarjes është qëllim i Prishtinës për shtypje dhe frikësim të serbëve
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Dënimi i Sasha Zlatkoviqit me burgim prej pesë muajsh pasi pranoi akuzën për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit është interpretuar si “qëllim i Prishtinës për shtypje dhe intimidim të serbëve”.

Pretendimi është bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në një komunikatë për media të premten (30 gusht).

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

“Verdikti kundër Sasha Zlatkoviqit është dëshmi që qëllimi i vetëm i Prishtinës është t’i shtypë dhe intimidojë serbët”, titullohet komunikata në fjalë. Për këtë pretendim, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk është bazuar në asnjë fakt.

Sipas komunikatës së kësaj zyre, “Zlatkoviqi ishte arrestuar për fyerje verbale teksa po shkonte në një turne humanitar të futbollit në 25-vjetorin e vrasjes së serbëve në Grackën e Vjetër”. Kjo zyrë ka pretenduar po ashtu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeson “struktura kriminale” me qëllim të “dëbimit të serbëve”. Për asnjë nga këto pretendime nuk ka ofruar fakte.


Vegëza e publikimit të kësaj zyre:

https://www.kim.gov.rs/lat/v5663.php

Pjesë nga komunikata (përkthyer në shqip):

“Sigurisht, gjykata në Prishtinë nuk i dënon autorët e asaj maskarade, por prandaj i persekuton të gjithë ata që guxojnë të kujtojnë që ideja për ndarjen e Kosovës dhe Metohisë ishte dhe është në thelb terroriste e kriminale. Vrasësit e korrësve serbë ndoshta sot janë figura të shquara në qeverinë e Albin Kurtit, pasi për ta Azem Kurtaj është hero, që, pavarësisht faktit se qëlloi me gjakftohtësi fëmijët serbë në prag të Krishtlindjeve, mbetet i lirë. Strukturat politike dhe gjyqësore në Prishtinë janë thelbi i strukturës kriminale të kryesuar nga Albin Kurti dhe kushdo që pretendon se në Kosovë e Metohi funksionojnë disa institucione të rregullta demokratike, po e mohon të vërtetën e qartë dhe të dhimbshme se në Prishtinë ka vazhduar ideologjia për dëbimin e popullit serb qe dy dekada e gjysmë”.


Komunikata e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është publikuar edhe nga disa mediume në gjuhën serbe (shih këtu, këtu, këtu, dhe këtu)


Cili ishte vendimi i gjykatës?

Përderisa Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar dënimin e Zlatkoviqit si persekutim, ishte vetë Zlatkoviqi që ka pranuar fajin për veprën e bërë.

Prokuroria Speciale pati njoftuar më 16 gusht për ngritjen e aktakuzës ndaj Zlatkoviqit. “Sipas aktakuzës i pandehuri S.Z ka nxitë, përhapë publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare në atë mënyrë që përmes rrjetit social Tik-Tok ka fyer, ofenduar dhe përhapur urrejtje ndëretnike”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale (shih njoftimin). Zlatkoviq ishte arrestuar në pikëkalimin kufitar në Merdarë më 22 korrik.

Siç ka shkruar “betimipërdrejtësi.com”, sipas aktakuzës, këto veprime Zlatkoviqi i kishte bërë në fund të qershorit në Deçan. Sipas shkrimit, derisa ai ishte duke lëvizur me veturën e tij të markës “Polo” nga vetura e tij ka realizuar një video-incizim me telefon një veture para tij e tipit “Golf 3”, e cila prapa kishte të vendosur emblemën e UÇK-së, e më pas i njëjti iu kishte drejtuar me fjalët në gjuhën serbe (përkthyer shqip): “Shikoni se si terroristët e UÇK-së vozisin nëpër Deçan, njeriu ka stemën e UÇK-së, sikur me mbajt stemën e Zvezdës e Partizanit, jav q*** nënën shqiptarëve e stërvinave, e ishalla e godet dikush nga mbrapa”.

Të enjten Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Zlatkoviqin, pasi e pranoi fajësinë për akuzën se në rrjete sociale ka nxjerrë një videoincizim, ku fyhej logoja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nënat shqiptare.

Pos kësaj, Zlatkoviqit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues – dëbim i të huajit nga territori i Republikës së Kosovës në kohëzgjatje prej pesë vjetësh.


Me Kushtetutën e Kosovës pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykata (neni 102).

Ndërsa neni 141, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës, për veprën për të cilën ngarkohej Zlatkoviq, specifikon që “Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.


Hibrid.info në disa raste ka trajtuar pretendime të pabazuara në fakte Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (shih disa këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar pa fakte se dënimi i Sasha Zlatkoviqit me burgim prej pesë muajsh është dëshmi se “qëllimi i vetëm i Prishtinës është t’i shtypë dhe intimizojë serbët”.

Megjithatë, ka qenë vetë Zlatkoviqi që në gjykatë ka pranuar fajin për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

Në pretendimet, për të cilat s’ka përmendur fakte, kjo zyrë ka thënë se kryeministri Albin Kurti udhëheq “struktura kriminale” me qëllim të dëbimit të serbëve.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info pretendimin e vlerëson si “teori konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »