[email protected]
Videoja e fushatës në zgjedhjet lokale të para 3 vjetëve paraqitet rrejshëm si aktuale
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një videoje në TikTok është pretenduar për publikimin e qëndrimit të disa qytetarëve në mbështetje të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Bedri Hamza.

“Qytetaret te zhgënjyer me Kurtin, do ta votojme Bedri Hamzen, i mban premtimet dhe e zhvillon vendin”, është mbishkrimi i vendosur në videon e publikuar nga “tavnikcitypdk” më 25 shtator.

E vërteta?

Pas kontrollimit të pamjeve, hibrid.info ka konfirmuar se videoja në fjalë është e vjetër. Edhe pse në përshkrim thuhet se qytetarët e intervistuar janë zhgënjyer nga kryeministri aktual Albin Kurti, përmbajtja në video nuk ka të bëjë me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në vitin e ardhshëm.

Videoja ishte publikuar nga faqja “Bedri Hamza” në Facebook më 10 tetor të vitit 2021. Atë kohë ishte fushata për zgjedhjet lokale. Bedri Hamza garonte për kryetar të Komunës së Mitrovicës. “Ju falënderoj shumë për vlerësimin dhe besimin! Gjithmonë do të jem në shërbim të qytetarëve të mrekullueshëm të Mitrovicës”, kishte shkruar faqja e Bedri Hamzës në Facebook në përshkrim të videos së publikuar.

Hamza pati fituar zgjedhjet në raundin e parë, më 17 tetor. Ai kishte marrë 53.69 për qind të votave, sipas rezultateve në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Hamza tash është kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e caktuara për 9 shkurt.


Video e publikuar në TikTok deri tash ka marrë mbi 1900 pëlqime e 225 komente.

Hibrid.info në disa raste ka trajtuar përmbajtje keqinformuese që lidhen me kandidatët për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, ka qenë temë në disa prej tyre (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Llogaria me emrin “tavnikcitypdk” në TikTok ka publikuar një video nëpërmjet të cilës ka pretenduar se janë deklarata të qytetarëve në mbështetje të Bedri Hamzës si kandidat i PDK-së për kryeministër. Në video është vendosur përshkrimi se qytetarët janë të zhgënjyer me kryeministrin aktual Albin Kurtin.

Por pas verifikimit nga hibrid.info, del se videoja ishte nga fushata për zgjedhjet lokale në vitin 2021, kur Hamza garonte për kryetar të Komunës së Mitrovicës.

Sipas metodologjisë së punës të hibrid.info, ky publikim në TikTok hyn në kategorinë “Manipulim i fakteve”.

Manipulim i fakteve

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruar. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Translate »