[email protected]
Rritje e përmbajtjeve keqinformuese duke manipuluar me sondazhe të vjetra, të rreme e deklarata të pathëna nga zyrtarë politikë
shape
shape
shape

Përgatiti: Fatbardh Dema

Megjithëse ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të reja parlamentare në vend, të cilat duhet të mbahen jo më larg se në shkurt të vitit të ardhshëm, në mediat sociale kanë nisur të shpërndahen përmbajtje të pasakta të ndërlidhura me individë a parti politike.

Në fillim të vitit, tema e zgjedhjeve të parakohshme ka qarkulluar shumë nëpër media, meqë qeveria aktuale ka hyrë në vitin e fundit të mandatit, ndërsa partitë opozitare e kanë konsideruar 2024-tën si vit zgjedhor. (këtu dhe këtu)

Për rrjedhojë, hibrid.info ka vënë re muajt e fundit një rritje të përmbajtjeve keqinformuese në media sociale në lidhje me temën e zgjedhjeve.

Në disa prej përmbajtjeve janë përdorur deklarata të pavërteta që u janë atribuuar politikanëve kosovarë. E disa përmbajtje tjera kanë manipuluar me rezultate të sondazheve të vjetra, duke i paraqitur si aktuale, si dhe janë publikuar edhe sondazhe të rreme.

Më poshtë i gjeni disa prej këtyre përmbajtjeve të trajtuara nga Hibrid.info:


  • Një llogari në TikTok, me datë 7 qershor ka publikuar një fotografi për të cilën ka pretenduar se janë shifrat nga një sondazh i fundit për garën për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se për këto shifra s’ka pasur raportim kohëve të fundit dhe se imazhi i publikuar në prapavijë është marrë nga një publikim i mëhershëm prej “telegrafi.com”, e më pas të njëjtit i janë vendosur shifrat e pavërteta. (shih këtu)

  • Me datë 13 qershor, një portal informativ në gjuhën shqipe kishte publikuar një artikull me pretendimin se në qershor është realizuar një sondazh nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), ku pasqyron përkrahjen e qytetarëve për partitë politike në Kosovë.

Hibrid.info kishte kontaktuar përfaqësues të kësaj organizate në Kosovë. Ata kanë mohuar tërësisht përmbajtjen duke e quajtur “lajm të rremë”.

NDI edhe përmes postës elektronike (e-mail), ka thënë se “atribuimi i këtij raporti nuk është i vërtetë dhe nuk i përket NDI-së”. (shih këtu)

  • Në median sociale TikTok, me datë 20 qershor u publikua një imazh me mbishkrimin që pretendon se Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), është deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësinë e një koalicioni parazgjedhor ore paszgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për të larguar nga pushteti Albin Kurtin.

Hibrid.info ka gjetur se asnjë nga qëndrimet publike të Abdixhikut nuk përputhen me atë që pretendohet në përmbajtjen e lartcekur. (shih këtu)

  • Nëpërmjet një fotografie të publikuar në rrjetin social TikTok me datë 26 qershor, është pretenduar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e mbështet Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër të vendit.

Hibrid.info s’ka gjetur asnjë artikull për mbështetjen e pretenduar nga Hovenier për Hamzën apo ndonjë kandidat tjetër. Fotografia është marrë nga llogaria e Hamzës në Facebook. Ai dhe ambasadori amerikan shihen duke biseduar gjatë një organizimi në 25-vjetorin e misionit të OSBE-së në Kosovë më 25 qershor. (shih këtu)

  • Me datë 27 qershor, nga një llogari në Facebook u pretendua se kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, gjatë një takimi ka dalë kundër idesë për hapjen e Urës së Ibrit.

Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar lidhur me këtë, i cili do ta mbështeste pretendimin nga llogaria e lartcekur. (shih këtu)

  • Është publikuar një përmbajtje në TikTok me datë 27 qershor, përmes së cilës pretendohet se kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza është deklaruar se në rast të marrjes së këtij posti, do t’i rritë pensionet për veteranët e luftës deri në 1500 euro.

Hibrid.info pas hulumtimit të kryer, ka vërtetuar se i pari i komunës së Mitrovicës së Jugut nuk ka përmendur publikisht shumën e pretenduar, për rritjen e pensioneve për këtë kategorie. (shih këtu)

  • Përmes një fotografie të publikuar në TikTok, u pretendua se rinia nuk i shkon në takim Albin Kurtit dhe se i njëjti po e humb mbështetjen e qytetarëve. Fotografia paraqet pamje të një tubimi, ku disa nga karriget shihen të zbrazëta.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pamjet janë marrë nga Konferenca Ndërkombëtare e organizuar më 25 qershor nga Rinia për VETËVENDOSJE!. Në faqen zyrtare të kësaj lëvizje në Facebook janë publikuar disa fotografi nga kjo ngjarje, në të cilat shihet se salla ishte e mbushur. (shih këtu)

  • Në një postim në TikTok është pretenduar për publikimin e një sondazhi të ri lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se ky publikim përdor të dhëna të një sondazhi të vjetër. Madje aty janë ndërruar emrat e partive politike që prijnë në sondazh. (shih këtu)

  • Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se një portal amerikan ka kryer sondazh për kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Postimi përmbante një imazh përmes së cilit u pretendua se faqja “Secure America Now” në Facebook, ka nxjerr rezultatet e një sondazhi për zgjedhjet në Kosovë.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del që përmbajtja është tërësisht e rreme. Faqja e apostrofuar nga llogaria në TikTok, nuk ka bërë publikime të tilla që lidhen me sondazhe për Kosovën. (shih këtu)

Share With Others

Translate »