Shkroi: Festim Rizanaj
Medium rus, shërbimi në gjuhën serbe “Sputnik” ka publikuar një artikull me pretendimin lidhur me mundësinë e “dëmtimit” të Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë, duke theksuar se nuk ka kontroll adekuat mbi procesin zgjedhor dhe se mund të futen “votues fantom” nga Prishtina.
Ky medium pretendon për mundësinë e përfshirjes së “votuesve fantom”, duke e lidhur këtë me një përllogaritje që krahason listën e votuesve të Kosovës dhe numrin e banorëve. Sipas këtij krahasimi, është shprehur se të drejtën e votës në zgjedhje do ta kenë edhe 800 mijë persona më shumë sesa është numri i regjistruar në listën zgjedhore.

Çka thotë artikulli?
Në këtë artikull, mediumi rus paralajmëron se Lista Serbe mund të dëmtohet lehtësisht në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, për shkak të mungesës së kontrollit adekuat mbi procesin zgjedhor. Aty thekson se kjo mund të krijojë mundësi për futjen e “votuesve fantom” nga Prishtina.
Gjithashtu, në artikull, akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për përpjekjet që Lista Serbe të përjashtohet nga jeta politike e Kosovës, duke u mundësuar forcave të tjera të kontrollojnë numërimin e votave. Po ashtu thuhet se ky veprim është pjesë e një “plani për të margjinalizuar një forcë politike”. Përveç kësaj, sipas pretendimit, një përllogaritje ka treguar se numri i votuesve në zgjedhje mund të jetë 800 mijë më i lartë sesa numri i regjistruar në censusin e fundit.
Për më tepër, sipas raportimit, Lista Serbe nuk do të ketë përfaqësues në disa komisione zgjedhore, pasi ankesa e saj ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor në Prishtinë u refuzua. Përmbajtja vazhdon me pretendimin se kjo do të rezultojë në një numër vendvotimesh pa mundësi kontrolli për votat dhe procesin zgjedhor.
A qëndron ky pretendim?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka certifikuar më 4 janar listën përfundimtare të votuesve, duke njoftuar se 2 milionë 75 mijë e 868 individë do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Nga këta, 1 milion e 970 mijë e 944 votues janë regjistruar për të votuar brenda Kosovës, ndërsa 104 mijë e 924 qytetarë do të votojnë jashtë Kosovës.(këtu)
Sipas rrjetit të organizatave, Demokracia në Veprim, në listën përfundimtare të votuesve figurojnë 500 mijë emra më shumë se numri i banorëve të regjistruar në censusin e fundit. Kjo, sipas tyre, ka ndodhur për shkak të mospastrimit të listave, edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë përpjekje për të adresuar këtë çështje.(këtu)
Krahas kësaj, më 22 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akreditoi 18 mijë e 163 vëzhgues të subjekteve politike, ndër të cilët janë 290 vëzhgues nga Lista Serbe. (këtu)
Lista Serbe paraprakisht ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të KQZ-së të datës 14 janar për përbërjen e komisioneve zgjedhore dhe përbërjen e ekipeve të numërimit në qendrat komunale të votimit, duke e konsideruar të paligjshëm. Ndërsa në vendimin e PZAP lidhur me këtë ankesë është thënë se KQZ-ja ka vepruar konform ligjit.
“Përfundimisht paneli nga PZAP ka gjetur se KQZ-ja ka vendosur në mënyrë të drejtë dhe së barabartë për të gjitha subjektet politike, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, si për subjektet që kanë fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet e fundit, e po ashtu edhe për të gjitha subjektetet tjera pjesëmarrëse dhe se mbi këtë arsye të njëjtave nuk iu është bërë ndonjë padrejtësi me vendimin nr.01/84-2025 të datës 14.01.2025, për Përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve të Rregullta dhe me Kusht dhe vendimin nr.01/85-2025 të datës 14.01.2025, për Përbërjen e Ekipeve të Numërimit në QKN, në këtë kontekst duhet pasur parasysh edhe dispozitën ligjore nenin 77 par.4 18 LZP-së e cila i jep të drejtë KQZ-së, për të emëruar anëtarë të KKV sipas zgjedhjes së saj, pa marrë parasysh numrin e votave të fituara në zgjedhjet e fundit”.
Sa i përket mbarëvajtjes së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të vendosë kamera në çdo vendvotim për të siguruar mbikëqyrje gjatë zgjedhjeve, siç njoftoi zëdhënësi Valmir Elezi. Ai sqaroi se KQZ-ja nuk do të ketë qasje në pamjet e kamerave dhe se ato nuk do të regjistrojnë momentin kur qytetarët janë duke votuar, por mund të shërbejnë si provë për të dokumentuar ndonjë zhvillim eventual në vendvotim. (këtu)
Me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, rreth 100 vëzhgues do të jenë pjesë e misionit të Bashkimit Evropian që do të monitorojnë procesin e votimit më 9 shkurt. Shefja e këtij misioni, Nathalie Loiseau, bëri të ditur në nisje të detyrës se ekipi do të vlerësojë nëse procesi zgjedhor është në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet dhe me standardet ndërkombëtare. (këtu)
Analiza:
Mediumi rus “Sputnik” në gjuhën serbe ka publikuar një artikull ku pretendon se Lista Serbe mund të “dëmtohet” në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në Kosovë, duke argumentuar për mungesë të kontrollit adekuat mbi procesin zgjedhor dhe futjen e mundshme të “votuesve fantom”, duke e bazuar këtë në mospërputhjen mes listës së votuesve dhe numrit të banorëve në Kosovë.
Faktet tregojnë se listat përfundimtare të votuesve kanë 500 mijë emra më shumë se numri i banorëve të regjistruar, për shkak të mospastrimit pavarësisht përpjekjeve të KQZ-së. Po ashtu, KQZ do të vendosë kamera në çdo vendvotim për mbikëqyrje, ndërsa rreth 100 vëzhgues nga misioni i Bashkimit Evropian do të monitorojnë procesin e votimit më 9 shkurt.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info pretendimin e Sputnik e vlerëson si “teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.