Shkroi: Fatbardh Dema
Në median sociale Facebook, faqet si “Kosova Report”, “Prishtina ime” dhe “Gazeta 17 Shkurti” kanë publikuar të shtunën (13 dhjetor) postimin me pretendimin se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar një sondazh.
Në mbishkrimin e këtij postimi shkruan “LDK rënditet e para në këto zgjedhje sipas një sondazhi të cilin thuhet se e kan bërë vet ata!”. Ndërsa në mbishkrim të fotografisë, janë vënë shifra si, “LDK: 54.3%, PDK: 23.2% dhe LVV:17.2%”, me pretendimin “LDK publikon sondazhet online”.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se LDK nuk ka publikuar asnjë matje të opinionit publik për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 28 dhjetor.

Hibrid.info ka hulumtuar në ueb-faqen zyrtare të LDK-së “lidhjademokratike.org”, por që rezultatet nuk shfaqin asnjë “sondazh online” të publikuar nga ky subjekt politik. (shih këtu)
Po ashtu, një publikim i tillë nuk është gjetur as në faqen zyrtare të LDK-së në Facebook. (shih këtu)
Hibrid.info ka kërkuar në Google me fjalët kyçe “LDK publikon sondazh online” dhe “LDK: 54.3%, PDK: 23.2% dhe LVV:17.2%”, por rezultatet nuk shfaqin një informacion të tillë të publikuar në media apo burime kredibile.
Deri në shkrimin e këtij artikulli, postimi i publikuar në faqen “Kosova Report” ka grumbulluar mbi 2 mijë reagime, mbi 1 mijë komente e 28 shpërndarje. Postimi në faqen “Prishtina ime” grumbulloi mbi 1 mijë reagime, mbi 600 komente e 14 shpërndarje. Ndërsa postimi në faqen “Gazeta 17 shkurti” mori 23 reagime e 27 komente.
Analiza:
Disa faqe në Facebook kanë pretenduar se LDK-ja ka publikuar një sondazh zgjedhor në të cilin thuhet se ky subjekt politik renditet i pari me 54.3%, para PDK-së dhe LVV-së.
Pas verifikimit nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim është i pavërtetë. LDK nuk ka publikuar sondazh apo matje të opinionit publik, as në faqen e saj zyrtare, as në rrjetet sociale. Po ashtu, kërkimet në Google nuk nxjerrin asnjë burim kredibil që konfirmon ekzistencën e këtij “sondazhi online”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.