Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një imazh ku shihen së bashku Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, dhe Besnik Bislimi, ish-zëvendëskryeministër.
Imazhi ka mbishkrimin ku shkruan “Kurti e pranon qē Bislimi negocioi keq me Petkoviqin: Pēr kētē e largova. Marrēveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit ishin gabim. Me to u jepet autonomi serbēve nē Kosovē. I ka negociuar keq Besnik Bislimi, prandaj edhe nuk e kam bērē mē as zēvendēskryeministēr, as minister.”
Pra në mbishkrim kemi një deklarim të pretenduar të Kurtit, ku ai tregon arsyet e mosemërimit të Bislimit si zëvendëskryeministër apo ministër.
Kjo përmbajtje është publikuar të enjten (19 mars) në grupin “LIRIA KA EMËR” në Facebook nga një llogari anonime dhe të shtunën (21 mars) në një faqe që ka emrin “Mërgata me LDK-në”.
Cila është e vërteta?
Pretendimi nuk konfirmohet nga burimet kredibile të informacionit.

Grupi ku është ndarë ky postim ka mbi 6 mijë anëtarë, ndërsa faqja që ka publikuar po ashtu ka mbi 6 mijë ndjekës (shih këtu dhe këtu).
Hibrid.info ka hulumtuar përmes “Google” (motorit të kërkimit) me fjalët e mbishkrimit të paraqitur në imazhin e trajtuar. Rezultatet e kërkimit nuk kanë shfaqur asnjë njoftim zyrtar apo deklaratë publike në mediat kredibile, ku do të konfirmohej se kryeministri Kurti ka dhënë cilësimin e pretenduar për Bislimin (shih këtu).
Hulumtimi është zgjeruar nëpërmjet kësaj makine të kërkimit, duke u fokusuar në çfarëdo deklarimi të mundshëm të Kurtit për Bislimin. Megjithatë, përveç artikujve të mediave ku është raportuar emërimi i Bislimit nga Kurti si udhëheqës i Zyrës për Ekspertizë, Zbatim dhe Mbikëqyrje Strategjike, nuk është gjetur asnjë fakt që do të konfirmonte pretendimin (shih këtu).
Bislimi ishte zëvendëskryeministër i parë dhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, në mandatin e kaluar të Qeverisë Kurti (shih këtu)
Verifikimi ka vazhduar në llogarinë zyrtare në Facebook të Kurtit. Nga postimet e kësaj llogarie, që prej momentit kur ai ka filluar mandatin si kryeministër, pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, e deri më sot, nuk janë gjetur njoftime ku Kurti të ketë komentuar vendimin për mosemërimin e Bislimit si zëvendëskryeministër apo ministër (shih këtu).
Konteksti i marrëveshjeve
Më 18 mars 2023 në Ohër në një takim në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve, palët ishin pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian (shih këtu).
Në marrëveshje palët shprehen se janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë (shih këtu).
Kurti në asnjë prej deklarimeve nuk e ka cilësuar marrëveshjen si gabim, por ka thënë se kusht për vazhdimin e dialogut janë nënshkrimi i marrëveshjeve dhe dorëzimi e Milan Radojçiq, që akuzohet për sulmin në Banjska në Kosovë (shih këtu).
Analiza:
Është publikuar një imazh ku shihen Albin Kurti dhe Besnik Bislimi, i shoqëruar me një mbishkrim që pretendon se Kurti ka deklaruar se Bislimi ka “negociuar keq” me Petar Petkoviq dhe se për këtë arsye nuk e ka emëruar më Bislimin as si zëvendëskryeministër e as si ministër. Në të njëjtin mbishkrim pretendohet gjithashtu se Kurti i ka cilësuar si gabim marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë.
Pas verifikimit të fakteve, nuk është gjetur asnjë dëshmi që Albin Kurti të ketë bërë një deklaratë të tillë publikisht. Nuk ekziston asnjë njoftim zyrtar apo raportim në media kredibile që e konfirmon këtë pretendim.
Kërkimet online, si dhe verifikimi i llogarive dhe burimeve publike, nuk kanë nxjerrë asnjë informacion që mbështet pretendimin për një deklaratë të tillë nga Kurti lidhur me Besnik Bislimin.
Bazuar në metodologjinë e punës, Hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.